Amendamentet e PD-së: Kutitë nuk hapen

Drafti i amendamenteve mban firmat e tre deputetëve të djathtë, Eduard Halimi, Gent Strazimiri dhe Edi Paloka
Sipas amendimeve, opozita s'duhet të ketë shumicën me ligj, të mos hapen kutitë dhe të hiqet afati për ngritjen e komisionit për zgjedhjet e Qershorit
TIRANË - Kutitë e votimit, për të cilat ka një vendim të Kolegjit Zgjedhor nuk do të hapen.
Nuk bëhet më fjalë për një konstatim të bazuar vetëm në deklaratat politike të përfaqësuesve të mazhorancës, por për një nismë ligjore që disa deputetë të grupit parlamentar të kësaj shumice kanë depozituar në Kuvend dhe nëpërmjet të cilit rrëzohen thuajse pjesa thelbësore e propozimeve të bërë nga socialistët në projektligjin e tyre.
Amendamentet e PD-së mbajnë si datë protokollimi 11 marsin, por vetëm dje është bërë e mundur të zbulohen dhe kjo vetëm pasi ato i janë bërë të njohura deputetëve opozitarë.
Amendamentet
Drafti i amendamenteve mban firmat e tre deputetëve të djathtë, Eduard Halimi, Gent Strazimiri dhe Edi Paloka dhe me anë të tij propozohet rrëzimi i 3 nga 6 nenet që përmban projektligji që ka paraqitur grupi parlamentar socialist për disa ndryshime në ligjin për komisionet hetimore parlamentare.
Kështu, deputetët e djathtë i propozojnë Komisionit të Ligjeve që gjatë diskutimit sot nen për nen të nismës së socialistëve të mos miratojnë tre nenet dhe pikërisht nenin 3, 4 dhe 5, nëpërmjet të cilëve kërkohej të sanksionohej në ligj e drejta e opozitës për të pasur shumicën në komisionet hetimore, e drejta për të hapur kutitë, si dhe afati i paraqitjes së kërkesës për ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit.
Kështu neni 3 i projektligjit të PS-së përcaktonte se në rastet kur objekti i hetimit ishin zgjedhjet atëherë shumicën e anëtarëve të komisionit duhet ta kishte opozita. Neni 4 i projektligjit, që gjithashtu kërkohet që të hiqet, kërkon të bëjë ndryshime në nenin 17 të ligjit bazë dhe që përcakton administrimin e dokumenteve dhe të dhënave që ndihmojnë procesin hetimor përfshi këtu edhe hapjen e kutive në rast se këtë do ta kërkonte shumica e komisionit.
Pikërisht kjo pikë që kërkohet të hiqet nga drafti i PS-së, është konsideruar dje nga sekretari për çështjet ligjore në PS gjatë fjalës që ai mbajti në komisionin e ligjeve si pika kryesore e projektligjit dhe nëpërmjet të cilës bëhet e mundur zgjidhja e krizës.
"E veçanta e ndryshimit në nenin 17 qëndron tek pika 3 (shtesë), në të cilën parashikohet procedura e hapjes së kutive zgjedhore, nëse kërkohet nga shumica e komisionit. Ky paragraf është thelbi i projektligjit tonë. Lidhur me këtë amendament ligjor duhet të qartësojmë se projektligji nuk është një rregullim krejt i ri, por vetëm detajon ligjin për të shmangur çdo paqartësi në zbatimin e tij për sa i përket mjeteve dhe provave të hetimit", - u shpreh Xhafaj në fjalën e vet.
Gjithashtu, propozohet të hiqet dhe neni 5 i draftit të socialistëve, i cili kërkon të sanksionojë në ligj një dispozitë kalimtare për lejimin e ngritjes së komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit pavarësisht kalimit të afateve. Nuk dihet nëse me këtë propozim demokratët duan të mbyllin përfundimisht historinë e hetimit të zgjedhjeve të shkuara parlamentare nga parlamenti.
Provat
Përveç këtyre tre propozimeve, drafti i amendamenteve të deputetëve të djathtë përmban edhe 3 pika të tjera, të cilat forcojnë rregullat për ngritjen e një komisioni hetimor në sensin negativ, duke mbyllur çdo shteg për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit.
Demokratët propozojnë që ligjit bazë të komisioneve hetimore t'i shtohet një pikë e veçantë në nenin 5 të tij ku të përcaktohet detyrimi që grupi nismëtar për hetimin parlamentar duhet të paraqesë ndërmjet të tjerave edhe objektin e hetimit i cili duhet të jetë i argumentuar dhe duhet të përmbajë fakte ose kompleks faktesh, të cilat të tregojnë qartë se për çfarë po hetohet.
Pra, ashtu si në rastin e hetimit administrativ në KQZ, tashmë propozohet që edhe në hetimin parlamentar kërkuesi duhet të paraqesë paraprakisht fakte që krijojnë indicion për një hetim të tillë.
Demokratët kërkojnë të sanksionojnë në ligj edhe ndalimin e hetimit parlamentar kur çështja është në hetim apo gjykim nga organet e drejtësisë, si dhe përcaktimin e afatit 3 mujor të zgjatjes së punës së tij.
Nisur pikërisht nga përmbajtja krejt e kundërt e këtyre dy drafteve të paraqitura nga palët, sot pritet një debat i fortë në Komisionin e Ligjeve, ku PS dhe PD do të ballafaqohen në diskutimin nen për nen dhe miratimin në tërësi të ndryshimeve që do të bëhen në ligjin bazë.
Amendamente për projektligjin "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8891, datë 2.05.2002 "Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit", për ta përqasur përmbajtjen e tij me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, deputetët hartues paraqesin këto amendamente:
I
Në nenin 1 të projektligjit bëhet ky amendament:
Më pikën 1 të nenit 4 shtohen fjalitë e mëposhtme:
"Në veprimtarinë e tyre komisionet hetimore të Kuvendit janë të detyruara të respektojnë parimin e ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve. Komisionet hetimore nuk mund të kenë objekt dhe as mund të hetojnë çështje, fakte apo kompleks faktesh, për të cilat është regjistruar kallëzim penal në prokurori ose kur ato janë në shqyrtim gjyqësor.
II
Neni 2 i projektligjit ndryshohet si vijon:
Neni 2
Pas nenit 4 shtohet neni 4/1 me këtë përmbajtje:
Neni 4/1
Hetimi i Zgjedhjeve
1. Kuvendi mund të vendosë ngritjen e komisionit hetimor për të hetuar zbatimin e Kodit Zgjedhor në zgjedhjet për Kuvendin ose për organet e qeverisjes vendore. Komisioni hetimor i ngritur sipas këtij neni e ushtron veprimtarinë e tij për një periudhë jo më të gjatë se 3 muaj.
III
Neni 3 i projektligjit hiqet.
IV
Pas nenit 3 të projektligjit shtohet një nen me këtë përmbajtje
Neni 3/A
Në nenin 5, pika 1 pas fjalës "paraqet" shtohet ky togfjalësh "objektin e hetimit, i cili duhet të jetë i argumentuar dhe duhet të përmbajë fakte ose kompleks faktesh, të cilat të tregojnë qartë se për çfarë po hetohet ...."
V
Neni 4 i projektligjit që përfshin hapjen e kutive të votimit të hiqet.
VI
Neni 5 i projektligjit të hiqet.
Neni 5
Dispozite kalimtare
Për zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit 2009 afati i paraqitjes së kërkesës në përputhje me nenin 4, pika 6/a të ligjit fillon nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji".
Firmëtarët
Eduard Halimi
Edi Paloka
Gent Strazimiri
Komisioni i Ligjeve miratoi dje në parim nismat e PS-së. Sot shqyrtimi nen për nen
Xhafaj: Kutitë? Jemi të gatshëm për kompromis
TIRANË - Komisioni i Ligjeve ka miratuar dje në parim me votat e të gjithë anëtarëve projektligjin e socialistëve, i cili synon të bëjë të mundur hetimin e zgjedhjeve duke hapur kutitë e votimit.
Por, vota e njëjtë e të gjithë anëtarëve të këtij komisioni, të djathtë dhe të majtë nuk reflektoi atë se çfarë ndodhi jo vetëm në këtë seancë, por edhe në dy takimet e para, ku u diskutua parimisht mbi këtë draft.
Kështu, në vijim edhe të mbledhjeve të mëparshme palët kanë debatuar edhe dje për qëndrimet e tyre pro dhe kundër hapjes së kutive të zgjedhjeve, duke sjellë në tryezë interpretime të ndryshme të Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për sa i përket komisioneve hetimore.
Ajo që u vu re hapur dje ishte pikërisht një farë tërheqje në qëndrimin e socialistëve, të cilët u shprehën të gatshëm që të negociojnë si politikisht ashtu edhe teknikisht mbi propozimet e tyre.
Duke mbajtur fjalën përmbyllëse të qëndrimit të përfaqësuesve socialistë në Komisionin e Ligjeve, deputeti Fatmir Xhafaj ka ripërsëritur ftesën për të negociuar mbi projektligjin e tyre për të gjetur një zgjidhje të pranueshme.
"Ne jemi të hapur për negocim politik e ligjor për projektin tonë. Ne jemi të gatshëm që deri në momentin e fundit të negociojmë rreth iniciativës sonë, për të cilën ne jemi të lirë të vendosim në përmbajtje dhe në procedurë.
Kjo frymë tolerance e konsensusi nuk është dobësi, por forcë, seriozitet e përgjegjshmëri", - tha Xhafaj në fjalën e vet. Ai ka theksuar se socialistët janë të gatshëm që të bisedojnë me mazhorancën për të gjetur pikat e përbashkëta të qëndrimeve të tyre dhe për të ezauruar zgjedhjet për ato çështje ku palët ndahen.
"Ne jemi të gatshëm të gjejmë pikëtakimet midis nesh për një zgjidhje konsensuale. Jemi të gatshëm për të gjetur konsensus në interes të demokracisë, të fateve të vendit, por s'jemi asfare të gatshëm të bëjmë pazare me të nesërmen e zgjedhjeve dhe votën e shqiptarëve", - tha më tej Xhafaj, duke i bërë thirrje deputetëve të djathtë të reflektojnë para se të votojnë kundër projektligjit.
Por, një frymë kjo që nuk gjeti konsensusin e shumicës, të cilët me anë të kreut të komisionit të ligjeve, Ilir Rusmali, kanë shprehur qartë qëndrimin e tyre kundër draftit të socialistëve.
"Unë besoj shumë, ne do ta gjejmë kompromisin lidhur me këtë projektligj. Unë shpresoj shumë që do ta kem këtë mundësi kompromisi, sepse sa herë ka pasur kriza politike në Shqipëri dhe gjetke, njerëzit e mençur e kanë gjetur zgjidhjen e krizave e kanë gjetur tek Kushtetuta, tek ligji, tek rregullat e lojës", - tha Rusmali.