Montobio: Integrimi dhe vizat varen nga përmbushja e detyrimeve

Shqipëria, sipas ambasadorit të Spanjës që udhëheq BE-në ka në vitet 2010-2011 një periudhë thelbësore në rrugën e integrimit
Bashkimi Europian tha se proceset integruese të Shqipërisë varen nga përmbushja e detyrimeve të vendit që mëton të bëhet pjesë e familjes 27-anëtarëshe me qendër Brukselin. Komentet janë bërë nga ambasadori spanjoll Emanuel Montobio, vendi i të cilit udhëheq Presidencën e Radhës së Bashkimit Europian që prej 1 janarit e deri më 30 qershor. Sipas tij, periudha njëvjeçare e muajve maj (2010-2011) do të jetë vendimtare në procesin thelbësor që ka Shqipëria për të kaluar në ecurinë e integrimit. Në dhjetëvjetorin e Samitit të Zagrebit, Montobio ritheksoi se takimi në kryeqendrën e Kroacisë është rast pozitiv për Shqipërinë, për të cilën tha se “ka ndjekur politikë të fqinjësisë së mirë në rajon”. Ambasadori Montobio foli për përparësitë e Spanjës në këtë cilësi në krah të kryetarit të Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan. Ambasadori i Mbretërisë së Spanjës, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës (Shqipëria Verilindore iu dha Serbisë në Konferenvcën e Londrës më 1913), tha megjithatë se e ardhmja europiane e Ballkanit Perëndimor do të jetë përparësi e Presidencës që drejton kryeministri Hoze Manuel Rodrigez Zapatero në Madrid. Montobio tha dje përpara Trupit Diplomatik dhe politikanëve në Tiranë se “politikat e zgjerimit, do të jenë objektiv për të gjitha ato vende që duan të integrohen në familjen europiane”. “Politikat e zgjerimit janë jo vetëm një objektiv, por dhe prespektivë për të promovuar metamorfozën, ndryshimin e disa shteteve që do të promovohen dhe që duan të integrohen në shtëpinë tonë të madhe europiane. Dhe këtu dua të them se programi për zgjerimin përqendrohet si tek vendet që e kanë fituar tashmë statusin e vendit kandidat. Ne duam që të përfundojmë negociatat me Kroacinë, hapjen e kapitujve të rinj me Turqinë dhe të nisim negociatat me Maqedoninë, por kemi dhe një grup vendesh, që kanë kërkuar të marrin këtë status siç është Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi dhe angazhimi ynë është që të promovojmë ecurinë e këtij procesi dhe gjithçka ka të bëjë dhe me liberalizimin e vizave me Shqipërinë”-tha ambasadori spanjoll, ndërsa vendi i tij e drejton BE-në me strukturën e re të pasmiratimit të Traktatit të Lisbonës. Ai theksoi se proceset integruese të Shqipërisë varen nga angazhimi në përmbushjen e standarteve për liberalizimin e vizave dhe përgjigjet e pyetësorit të Komisionit Europian që do të hartojë “Opinionin” nëse Shqipëria është ose jo e gatshme të nisë negociatat për të marrë statusin e vendit “kandidat” për anëtarësim në BE. “Vendi juaj tashmë ka prezantuar kërkesën për statusin e vendit “kandidat”. Por çelësi i procesit integrues është që Shqipëria duhet të përmbushë rekomandimet e Progres raportit dhe po u arritën këto, çdo gjë do vijë në mënyrë të natyrshme. Përmbushja e standarteve për liberalizimin e vizave është një tjetër kriter shumë i rëndësishëm, sikundër dhe përgjigjet e pyetësorit, afati i dorëzimit për të cilin është data 31 mars”-tha ambasadori Montobio.
Qeveria: Kemi vështirësi në pajisjen me pasaporta, të rishikohen aplikuesit
Lehtësimi i regjimit të vizave, sipas kryeministrit Sali Berisha, është objektiv që ai përsëriti se qeveria e tij që e ka premtuar, do ta realizojë. Por, ai pranoi se ndonëse procesi për pajisjen me pasaporta biomterike sipas tij, po ecën mirë për frymë popullate, “qytetarët po kanë vështirësi në marrjen e tyre”. Në takimin javor me deputetët e Partisë së tij Demokratike, sikurse edhe në mbledhjen e komitetit ndërministror, Berisha garantoi se vizat do të hiqeshin. Ai iu drejtua ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha kur bëri vërejtjen për pajisjen me vështirësi të shtetasve me pasaporta. “Mundësisht të shihet mënyra për të zbutur marrjen e pasaportave për të gjithë ata që kanë aplikuar. Të hyhet në tratativa serioze më firmën në mënyrë që në disa vende, ku është numri më i lartë i popullsisë, mund të hapen zyra. Tratativat të jenë mbi bazën komerciale dhe është plotësisht e plotësisht e mundur që të mos krijohet kjo vështirësi e tyre për t’u pajisur me dokumentet e domosdoshme. Pra, misionet e ardhshme duhet të gjejnë të përmbushura të gjitha detyrimet tona që rrjedhin nga udhërrëfyesi, në mënyrë që vendimi, i cili është shumë i shumëpritur nga qytetarët shqiptarë, të merret sa më shpejtë, ashtu sikurse ka përcaktuar në rezolutën e vetë Parlamenti Evropian për heqjen e vizave për Shqipërinë”-tha ai. Kryeministri nuk tha nëse në këtë proces do të ndikojë kriza politike, por theksoi se “brenda vitit të parë të këtij mandati, vendimi për heqjen e vizave për Shqipërinë do të merret” dhe se “kjo qeveri dhe kjo mazhorancë do të bëjnë çdo përpjekje për ta bërë të mundur këtë vendim”. Ai u tha ministrave dhe deputetëve se çështja kryesore në programin e punës së Kuvendit dhe të qeverisë është plotësimi i kërkesave të udhërrëfyesit për heqjen e vizave. “Ky proces po trajtohet me përgjegjësinë më të madhe. Kjo është e kuptueshme. Në rrafshin kombëtar, nuk ka asgjë tjetër që prek direkt për mirë, më shumë qytetarët shqiptarë, sesa heqja e vizave. Progresi është i madh. është përfunduar tërësisht sistemi i kontrollit të integruar të kufijve, por edhe sistemi i të dhënave për krimin e kriminalitetin në të gjitha qarqet e vendit dhe janë tashmë të lidhur me qendrën. Janë plotësuar dhe janë në plotësim e sipër një seri kushtesh që kanë të bëjnë me plotësimin e kërkesave të udhërrëfyesit”-tha Berisha.