E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërkombëtarizohet bojkoti i PS, Blushi, Islami e Harasani nisen drejt Brukselit

Për herë të parë kundërshtarët e Edi Ramës marrin një inisiativë që kalon caqet e debatit brenda partisë. Mesditën e së martës Ben Blushi, Kastriot Islami dhe Andis Harasani janë nisur drejt Brukselit për të kërkuar mbështetjen e faktorit ndërkombëtar për qëllimin e tyre që deputetet e PS-së të kthehen në Parlament dhe t'i japin fund bojkotit.
Mësohet se në axhendën e 3 figurave të rëndësishme të PS-së, janë rreth 10 takime që do të fokusohen pikërisht tek nevoja për të ndërprerë bojkotin dhe për t'iu rikthyer jetës parlamentare.
Edhe pse të 3 deputetët e njohur si kundershtarë të kryetarit Edi Rama nuk kanë asnjë mandat për të përfaqësuar PS-në, ka qenë iniciativa e tyre personale për të lobuar në favor të ndërprerjes së bojkotit të deputetëve socialistë.
Deputetët socialistë bëjnë të ditur se gjatë qëndrimit në Bruksel do të takohen me përfaqësues të Komisionit Europian, por edhe me përfaqësues të Parlamentit Europian qoftë të partive të majta qoftë edhe të partive të djathta.
Vizita e 3 kundërshtarëve të kryetarit Edi Rama vjen vetëm 2 ditë para se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës të miratojë rezolutën për situatën në parlament, e cila ndër të tjera kërkon edhe futjen e deputetëve socialistë në parlament. Dy reporterët David ëillshire dhe Jaako Lakso që hartuan këtë projekt resolutë gjatë muajit nëntor përveç liderit të PS-së dhe kryeministrit Berisha kanë zhvilluar gjithashtu edhe takime me deputetët që mendojnë ndryshe nga kryesocialisti Edi Rama për bojkotin ndaj Parlamentit.
Inisiativa e socialistëve Ben Blushi, Kastriot Islami dhe Andis Harasani duket se do të ketë një kosto jo të vogël për lidershipin e PS-së , duke qenë se deri më tani të gjithë përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar janë shprehur kundër bojkotit ndaj Parlamentit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›