Topalli-Dade, replika për kredencialet e delegacionit

Partia Socialiste tha se vendimi i Asamblesë erdhi për shkak të mosplotësimit të kritereve. Topalli përgjigjet: Kam zbatuar me përpikmëri rregulloren
Kreshnik KUçAJ
Partia Socialiste dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, që i përket Partisë Demokratike, replikuan në distancë dje për vendimin, duke fajësuar palën kundërshtare për vendimin e djeshëm të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Duke iu referuar pezullimit të së drejtës së votës së delegacionit shqiptar, sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë në PS, Arta Dade, akuzoi përsëri kryeparlamentaren Topalli, duke thënë: “Ka marrë disa herë vendime inatçore”, të cilat kanë dëmtuar imazhin e Shqipërisë. Pas vendimit të djeshëm në Bruksel, Dade tha se pezullimi i së drejtës së votës për delegacionin shqiptar erdhi pasi ai nuk përmbush kriteret europiane. “Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës edhe njëherë jep leksione demokracie për mazhorancën shqiptare. Në demokraci, politikat me inat dhe politikat e diversionit nuk ka sesi funksionojnë. Përkundrazi, ato dëmtojnë imazhin e vendit dhe zonja Topalli mëse njëherë e ka kryer këtë detyrë më së miri, duke dëmtuar imazhin e vendit. Ajo u është kthyer politikave të diversionit me opozitën, duke shkelur njëherazi rregulloren, jo vetëm të Parlamentit të Shqipërisë, por edhe rregulloret e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Konstatimi, sipas medias, se delegacioni shqiptar nuk përfaqëson vlerat e Europës, është një mësim tjetër që mazhoranca duhet ta marrë”, tha Dade. Deputetja socialiste përforcoi qëndrimin e saj, duke thënë se opozita do të vazhdojë protestat në mbrojtje të demokracisë dhe të vlerave europiane që shqiptarët aspirojnë. Po ashtu, Dade tha se vendimi i kryeparlamentares Topalli për “mbushjen” e delegacionit shqiptar në APKE bie ndesh me sugjerimet që vijnë nga partnerët ndërkombëtarë. Dade tha se këta partnerë i bëjnë thirrje politikës shqiptare që të zgjidhin krizën institucionale e politike përmes dialogut. “Ajo çfarë ka ndodhur sot në Strasburg, përveçse i përkeqëson gjërat, nuk sjell asgjë në dobi të zgjidhjes së krizës”, duke argumentuar se “faji” qëndron në kampin e mazhorancës.
Reagimi i Topallit
Ndryshe ka qenë argumentimi i kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila ka reaguar, duke akuzuar Partinë Socialiste se po “fërkon duart” për bllokimin e kredencialeve. Përmes zëdhënëse Suela Ruseti, kryetarja e Kuvendit tha se në përzgjedhjen e delegacionit shqiptar është respektuar me përpikmëri rregullorja. Sipas saj, Partisë Socialiste nuk i është mohuar një vend në delegacion, por përkundrazi i është shtuar një vend tek anëtarët zëvendësues. “Kërkesa e Partisë Socialiste për të sfiduar kredencialet e delegacionit parlamentar në Këshillin e Europës është përpjekje dashakeqe ndaj vendit. Rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë për delegacionet parlamentare është zbatuar pikë për pikë. Partia Socialiste në delegacionin e Asamblesë së Këshillit të Europës ka pasur vetëm një anëtar, dhe ky është zoti Kastriot Islami. Deri në momentin e verifikimit të kredencialeve, zoti Kastriot Islami ka të drejtë të ushtrojë të gjithë atributet si pjesëtar i Delegacionit të Asamblesë së Këshillit të Europës. Shtoj këtu, se nga Asambleja e KE-së, zoti Islami është reporter për Gjeorgjinë. Lidhur me këtë, nuk ka pasur asnjë tendencë për të ndërhyrë në punët e askujt”, tha Ruseti. Në emër të kryeparlamentares, ajo shtoi se kërkesa e Partisë Socialiste është false dhe e pabazuar, pasi ndryshe nga legjislatura e kaluar, ku PS-ja kishte një vend si anëtar dhe një vend si zëvendësues, kësaj radhe asaj i është lënë vendi i anëtarit dhe dy vende si zëvendësues. Duke i dhënë një ton paksa më problematik situatës së delegacionit shqiptar në Asamble, kryetarja e Kuvendit ka sqaruar përmes zëdhënëses, se në këtë rast kemi të bëjmë vetëm me zbatimin e një procedure. Sipas argumentimit, në Asamble është shfrytëzuar e drejta e rregullores që, kur dikush ngre çështje për verifikim mandatesh, kjo kalon automatikisht në Komisionin e Rregullores. “Kuvendi ka zbatuar ligjin dhe rregulloren, dhe mandatet e deputetëve të Delegacionit Shqiptar në Asamblenë e KE-së janë krejtësisht legjitimë”, tha zëdhënësja. Ndërkohë, deputetët socialistë që nuk kanë bërë betimin, përfshirë deputetin Kastriot Islami, nga kryetarja e Kuvendit nuk cilësohen as si deputetë dhe as si ish-deputetë. Këtë qëndrim Topalli e ka bërë të ditur disa herë në media, ndërsa pyetej për statusin e deputetëve socialistë që kanë marrë mandatin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, por që nuk kanë bërë betimin në parlament.