E Shtunë, 31 Tetor 2026

Montobio: Zgjidhje para 6 marsit



Aristir Lumezi

Ambasadori i Spanjës në Tiranë, Manuel Montobbio, i bëri apel politikës shqiptare të gjejë sa më parë zgjidhje për krizën.Pas një takimi 90-minutësh, të zhvilluar në zyrën e kreut të Komisionit Evropian në Shqipëri, Helmut Lohan, Ambasadori spanjoll, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, ishte i drejtpërdrejtë përballë palëve të politikës shqiptare. “Pozicioni dhe mesazhi i 27 vendeve të BE është shumë i qartë. Perspektiva evropiane e Shqipërisë varet nga këto momente historike. Nëse nuk ndërmerren veprime tani, hapat e tjera mund të rrezikohen. Dialogu duhet të vijë nga vetë liderët e Shqipërisë. Ne mendojmë se kjo tryezë dialogu është një hap i mirë, por duhet të prodhojë rezultat dhe madje shumë shpejt. Rezultati duhet të vijë para 6 marsit, që t’i lejojë opozitës të shkojë në Parlament dhe ngrejë komision parlamentar, i cili do të kënaqë të dy palët dhe bazuar në transparencë dhe Kushtetutë sipas propozimit të Presidentit të Republikës”, u shpreh Montobbio, në përfundim të takimit me homologët e tjerë evropianë në zyrën e Lohan. Faktori ndërkombëtar, edhe pse jo në rolin e moderuesit, ka qenë shumë aktiv në javët e fundit, për të ulur palët dhe për të gjetur një zgjidhje të krizës politike që ka nisur menjëherë pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Këtë rol, ndryshe nga krizat e mëparshme, ndërkombëtarët ia kanë lënë Presidentit të Republikës. Montobbio paralajmëroi dje se Shqipëria do të ketë pasoja nga një krizë politike e zgjatur. “Nuk do japim opinion për pozicionet e asnjërit prej aktorëve politikë, por ne si BE themi pasojat e mundshme që vijnë prej kësaj krize”, tha Montobio në prononcimin e tij për mediat. Apeli i diplomatëve evropianë vjen në një kohë kur negociatat në zyrën e Presidentit Topi kanë hyrë në fazën e paraqitjes së pretendimeve të palëve në përpjekje për të dalë nga kriza. Por ende nuk duket asnjë sinjal i qartë që tregon se palët janë ulur në pretendimet e tyre dhe kriza politike të fillojë të zgjidhet gradualisht. Socialistët kanë hyrë në këto negociata me kushtin e patjetërsueshëm të hapjes së kutive të votimit për tre qarqe, Berat, Tiranë dhe Shkodër. Nga ana e saj, maxhoranca e ka injoruar këtë kërkesë duke u shprehur se kjo është një marrëdhënie që PS duhet ta vendosë me gjykatën, pasi në qarqet që kërkon PS, ka një vendim të Kolegjit Zgjedhor. Me këto qëndrime të palëve, duket se zgjidhja e krizës duket e largët dhe e vetmja shpresë për ta gjetur atë, është delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që pritet të mbërrijë në Tiranë më 22 shkurt, për t’u marrë posaçërisht me krizë politike në vend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›