E Diel, 1 Nëntor 2026

Montobio: Zgjidhni krizën, ndryshe nuk ka BE

Meta: Opozita po pengon integrimin duke mos votuar ligjet. Ndryshimi i Kodit? "Në zgjedhje edhe me sistemin e vjetër elektoral"


TIRANË - Në një kohë kur kanë kaluar një vit nga zgjedhjet e kaluara të 28 qershorit dhe kur kriza politike midis mazhorancës dhe opozitës vazhdon të mbetet e pazgjidhur, ambasadori spanjoll në Shqipëri, Manuel Montobio, ka kërkuar dje zgjidhjen e kësaj situate për evituar pasojat e mëdha që ajo mund të sjellë për perspektivën europiane të vendit tonë.


Ambasadori i Spanjës, vendi që përfundoi dy ditë më parë kryesimin e presidencës së Bashkimit Europian vuri në dukje se veprimtaria e presidencës spanjolle ka qenë mjaft e vështirë për shkak të krizës politike që po përjeton Shqipëria dhe, sipas tij, kjo gjendje duhet të kapërcehet në mënyrë që të shmangen edhe pasojat. Këtë apel, ambasadori Montobio e bëri pas firmosjes së një marrëveshjeje dypalëshe me ministrin e Jashtëm, Ilir Meta.


"Ka qenë ushtrimi i një presidence në kushte të vështira, sepse Shqipëria ka qenë dhe është në një moment të vështirë, që dëshirojmë ta kapërcejë, mbi të gjitha për veten e saj dhe për një të ardhme me të mirë për vendin, por njëkohësisht edhe për pasojat që kjo ka në lidhje me perspektivën europiane.


Në këtë kuptim, miqtë e vërtetë janë ata që të thonë të vërtetën, ashtu si ata e shohin situatën", - tha dje Montobio. Nga ana tjetër, kreu i diplomacisë shqiptare, Ilir Meta, shkakun në të cilën ndodhet aktualisht Shqipëria ia faturoi opozitës, duke thënë se ajo po pengon procesin integrues të vendit, pasi, sipas tij, nuk po voton asnjë ligj në Parlament.


Megjithatë, sipas Metës, marrëdhënia e kushtëzuar e Partisë Socialiste me Kuvendin nuk i bën asnjë dëm qeverisë, e cila, sipas tij, miraton ligje edhe me 71 vota, kjo falë edhe ndryshimeve kushtetuese të dy viteve më parë. "Kuptohet që ka dhe mosmarrëveshje dhe kjo është më se normale, aq më tepër midis qeverisë dhe opozitës, por ka shumë çështje të përbashkëta, është interesi i vendit.


Por të deklarosh se nuk do të votoj më asnjë ligj, asnjë ligj që i shërben integrimit europian të vendit, ky nuk është një dëm që i bëhet qeverisë, sepse qeveria, sikurse të gjithë e dinë, me 71 vota është e blinduar në funksionimin e saj, në mënyrë të veçantë falë ndryshimeve kushtetuese që u bënë natën e 21 prillit", - u shpreh Meta.


Për sa i përket pretendimeve të ngritura nga opozita për transparencën e zgjedhjeve parlamentare, ministri i Jashtëm theksoi se ajo duhet t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, ndërsa specifikoi se transparencën e duhur e krijon vetëm ligji dhe reforma zgjedhore. "Do të ishte më mirë t'i ishin drejtuar prej kohësh gjykatës Kushtetuese për pretendimet e tyre, dhe në këtë rast, këto çështje do të ishte zgjidhur prej kohësh.


Transparencën e vërtetë e garanton vetëm ligji, Kodi Zgjedhor dhe reforma zgjedhore", - nënvizoi Meta. Nëse opozita do të vazhdojë të mbajë këtë qëndrim mbi reformimin e Kodit Zgjedhor, sipas zëvendëskryeministrit Meta, në zgjedhjet e ardhshme do të shkohet me sistemin e vjetër elektoral.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›