Deputetët e PS, trajnim për aksionin politik
Rama dhe Ruçi janë takuar dje me deputetët duke i shpjeguar strategjinë e re: Çdo ligj do diskutohet në komisione, por në seancë vota do të jetë kundër
TIRANË - Partia Socialiste nis trajnimin e deputetëve për betejën e re që pritet të nisë me mazhorancën për të arritur transparencën e zgjedhjeve. Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe kryetari i grupit parlamentar, Gramoz Ruçi, kanë zhvilluar dje takime me deputetët, të cilëve u është bërë një përmbledhje e situatës politike në vend, ku i është shpjeguar domosdoshmëria për të përshkallëzuar aksionin politik.
Në takim, deputetëve socialistë u është bërë e ditur mënyra se si do të zhvillohet beteja parlamentare.
Sipas skemës së re të PS, të gjithë deputetët do të bëhen pjesë shumë aktivë në diskutimet që do të bëhen për projektligjet e ndryshme që kalojnë në komisione dhe në seancat parlamentare.
Një nga detyrat që u është lënë është edhe oponenca e fortë për ligjet me qëllim përmirësimin e tyre.
Deputetët nëpër komisione do të shfaqin rezervat që ata kanë për ligjet dhe më pas të kërkojnë që ligjeve t'iu bëhen amendime të ndryshme. Pavarësisht ndryshimeve që deputetët e majtë do kërkojnë për projektligjet, socialistët nuk do të japin votën e tyre për projektligjet nëse ato kanë mangësi.
Në momentin që projektligjet do të mbërrijnë për miratim në Parlament, PS do të votojë kundër tyre ose do të braktisë seancat në rastet kur projektligjet do të cenojnë jetën ose mirëqenien e qytetarëve shqiptarë.
Në orët e para të ditës së djeshme, dy drejtuesit kryesorë të PS, Edi Rama dhe Gramoz Ruçi, kanë zhvilluar takimet me deputetët socialistë, duke u fokusuar më shumë tek deputetët e rinj. Fillimisht deputetëve socialistë u është shprehur domosdoshmëria e nisjes së përshkallëzimit që PS do të ndërmarrë në ditët në vijim.
Më pas u është shpjeguar procedura që do të ndjekin deputetët e majtë në komision dhe në seancat parlamentare. Burime nga brenda takimeve pohuan se deputetët e majtë, të ndarë sipas komisioneve, do të përgatisin oponencën për ligjet që do të kalojnë për shqyrtim dhe miratim në komisionet parlamentare.
Ata do të paraqesin pikëpamjet e opozitës për projektligjet. Ndërkohë, vota e tyre do të jetë kundër çdo ligji.
E njëjta procedurë do të ndiqet nga deputetët edhe në seancat parlamentare. Asnjë ligj nuk do të marrë votat e së majtës.
Ditët e fundit, krerët e Partisë Socialiste kanë shpeshtuar takimet e tyre me deputetët, në të cilat janë shkëmbyer opinione për nismat e selisë rozë.
Dy ditë më parë në mbledhjen e grupit parlamentar, të drejtuar nga Gramoz Ruçi, u mor edhe vendimi për të pasur një marrëdhënie të përshkallëzuar me parlamentin. Deputetët e PS kanë pasur mendime të ndryshme për hapat që PS do të ndërmarrë në ditët në vijim.
Me rinisjen e sesionit të ri parlamentar, që sipas nenit 74 të Kushtetutës, përcaktohet data 6 shtator, socialistët do të bëjnë publik hapat e mëtejshme lidhur me marrëdhëniet dhe me qëndrimin ndaj parlamentit shqiptar dhe nëse do të rinisin protestat.
Rama - Berishës: Zgjidh krizën, ose përshkallëzim të veprimeve
TIRANË - Kryesocialisti Edi Rama i bëri apel kryeministrit Sali Berisha për zgjidhjen e krizës politike që ka përfshirë vendin, sepse në rast të kundërt forca që ai drejton do të nisë përshkallëzimin e veprimeve të saj.
Kryetari i PS-së mbështeti dje edhe vendimin e grupit parlamentar të selisë rozë për të mos votuar asnjë projektligj në parlament.
"Nuk do të marrim pjesë në asnjë proces votimi për asnjë nisëm që vjen nga ky pushtet, të cilin do ta përballim me të gjithë fuqinë e rezistencës sonë.
Në një betejë që do të përshkallëzohet përsëri e përsëri, deri kur Shqipëria të rivendoset në binarët e kushtetutshmërisë dhe të transparencës dhe kur qeveria e këtij vendi, cilado qoftë ajo, t'ju shërbejë qytetarëve dhe jo të bëjë ç'ka po bën me qytetarët", - deklaroi Rama.
Lideri i opozitës shprehu bindjen se opozita nuk do të tërhiqet nga beteja e saj për transparencën e zgjedhjeve. "Ne nuk tërhiqemi! Është e thënë hapur dhe publikisht që do të vazhdojmë betejën tonë, si një betejë për liri dhe të drejta që nuk negociohen.
Çdo betejë për liri dhe të drejta nuk është as një betejë e lehtë, dhe nuk është as një rrugë e çelur frytet e së cilës mblidhen aty për aty", theksoi kryesocialisti Edi Rama.
Në lidhje me situatën ekonomike në vend, Rama tha se kriza po thellohet përherë e më shumë. "Sot qeveria nuk ka para për shkak të një krize ekonomike, të cilën e ka përshpejtuar në mënyrën marramendëse po vetë.
Nga një anë duke e mohuar, dhe nga ana tjetër përmes shpenzimeve abuzive elektorale të një viti më parë, të cilat e kanë vendosur qeverinë sot në kushtet e mbartjes së një fature shpenzimesh e borxhesh që është e papërballueshme dhe që rëndon përditë e më shumë mbi kurrizin e çdo familje shqiptare", nënvizoi Rama.
Kryetari i PS-së e cilësoi tërësisht kriminale skemën që po përdor kryeministri Berisha për rritjen e pensioneve nëpërmjet marrjes borxh te depozitat e qytetarëve shqiptarë.
Profesori socialist komenton zhvillimet e fundit politike: Kriza po shtyhet që të fitojë kohë kryeministri
Pëllumbi: Fronti kryesor, lufta në Parlament
Një nga figurat e njohura të Partisë Socialiste Servet Pëllumbi u shpreh se opozita duhet ta zhvillojë betejën e saj në Parlament dhe se miratimi i ligjeve është përgjegjësi për këdo ligjvënës. "Mendimi im për këtë çështje është se forca më e madhe, PS, është në Parlament, ka 64 deputetë dhe PS të bëjë një lojë parlamentare me të gjitha format dhe të gjitha mënyrat.
Nuk përjashtoj as edhe largimin nga votimi për raste të veçanta, por gjithsesi mendoj se lufta në institucione, lufta në Parlament duhet të konsiderohet fronti kryesor", theksoi Servet Pëllumbi pas takimit me një prej themeluesve të PS, Dritëro Agolli. Sipas sociologut Pëllumbi, vendi gjendet në një situatë të vështirë, por që të dy palët po tentojnë të fitojnë kohë, duke mos tentuar për ta zgjidhur.
"Situata politike në vend është kritike, por unë mendoj se të gjithë tani këto po bëhen për të shtyrë kohën, dhe në radhë të parë kërkon të fitojë kohë kryeministri, mazhoranca të kalojë pushimet, të kalojë gushtin që është pushim politik jo vetëm për ne, por dhe për Europën, dhe pastaj vjen vjeshta dhe pastaj me të ardhur me të parë. Këtë po bën dhe presidenti", deklaroi ish-kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi.