Agolli: Mënyrat për zgjidhjen e krizës politike

"Nëse kanë vjedhur të djathtët, kryetari i së djathtës të japë dorëheqje. Nëse gënjen PS, të japë kryetari i saj dorëheqjen"
TIRANË - Një prej themeluesve të PS-së, Dritëro Agolli, është i mendimit se opozita duhet ta zhvillojë betejën e saj politike në Parlament. Sipas zotit Agolli, miratimi ose jo i ligjeve është diçka tjetër, por opozita duhet të qëndrojë në Parlament dhe të gjejë mjete të tjera për të vazhduar betejën e saj politike.
Dritëro Agolli është kontaktuar dje në linjë telefonike nga "Shekulli" për shkak të gjendjes së tij të rënduar shëndetësore që e ka mbyllur në shtëpi prej disa kohësh.
Zoti Agolli, grupi i PS ka marrë vendimin për të mos votuar asnjë ligj. Si e shikoni këtë vendim dhe a duhet PS të bojkotojë Parlamentin?
Unë mendoj që opozita duhet të qëndrojë në Parlament dhe atje të thotë mendimin e saj për të gjitha veprimet, ligjet, problemet dhe diskutimet. Ajo duhet të qëndrojë që të marrë pjesë, sepse derisa hyri njëherë, ajo nuk mund të dalë të përsërisë po atë që ka bërë. Kjo nuk mund të përsëritet.
Duhen shpikur gjëra të tjera, por jo kjo ikja përsëri nga Parlamenti. Aq më keq është kur paralajmërohet që ne nuk do të vijmë në Parlament dhe ne nuk do të aprovojmë asnjë ligj.
Kjo është kategorike dhe nuk është reale. Deputetët duhet të hyjnë dhe të japin votat për ato ligje që janë për t'u votuar dhe të mos votojnë ato që s'janë. Në këtë kuptim nuk e kanë të drejtë, siç e ndjej unë personalisht si socialist. Prandaj mendoj se duhen gjetur metoda të tjera.
A jeni pro nisjes së protestave të PS?
Protestat janë demokratike. Populli i Hamallajt bëri protestë duke u organizuar vetë, jo më një parti politike. Duhen gjetur mënyrat.
Në mendimin tuaj, PS, duhet të marrë pjesë në zgjedhjet lokale?
Partia Socialiste do të bënte gabimin më të madh nëse nuk do të merrte pjesë në zgjedhje dhe t'i linte terren të lirë PD-së. Ato janë zgjedhje dhe nuk duhet të bojkotohen. Dy vjet më vonë do jenë zgjedhjet e tjera.
Si e shikoni zgjidhjen e krizës politike?
Duhen hapur disa kuti si në Tiranë, Berat, apo Shkodër, dhe të shikohen se si ka shkuar procesi zgjedhor. Prej tyre të nxirret një konkluzion. Nëse vërtet kanë vjedhur të djathtët, kryetari i së djathtës të japë dorëheqje dhe nëse gënjen Partia Socialiste të japë kryetari i saj dorëheqjen.