Kukan: Anëtarësimi në BE bllokohet për 10 vjet
Europarlamentarët japin arsyet e ndalimit të procesit të zgjerimit: Duhen vite për të përmbushur kërkesat
BRUKSEL - Nisma për bllokimin e zgjerimit të Bashkimit Europian për 10 vitet e ardhshme ka gjetur edhe mbështetjen e europarlamentarëve. Eurodeputetët e Parlamentit Europian insistojnë që vendet, të cilat kërkojnë të jenë pjesë e Bashkimit Europian, veçanërisht Ballkani Perëndimor duhet që të kalojnë hapat e nevojshëm për integrim deri në plotësimin e të gjithave kritereve të domosdoshme që, sipas tyre, kanë mbetur edhe shumë derisa të anëtarësohen.
Në këtë mënyrë, sipas kreut të delegacionit në Parlamentit Europian për Europën Juglindore, Eduard Kukan, pas anëtarësimit të Kroacisë, për një periudhë të gjatë kohore nuk do të ketë anëtarësim të vendeve të tjera në Bashkimit Europian.
Kukan kërkoi që vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të zgjidhin problemet e tyre dhe, sipas tij, ato kanë shumë punë për të bërë në mënyrë që plotësojnë të gjitha kriteret e kërkuara nga BE-ja.
Plotësimi i këtyre kritereve deri më tani duket larg, pasi Shqipëria ende nuk ka zgjidhur krizën politike, si mënyrë për të përmbushur kriterin politik të Kopenhagenit, ndërsa Maqedonia nuk ka zgjidhur çështjen e emrit me Greqinë dhe Serbia ende nuk ka dorëzuar kriminelët e luftës në Bosnje përpara drejtësisë ndërkombëtare.
"Besoj se Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia dhe Kosova do të përparojnë dhe definitivisht pas anëtarësimit të Kroacisë, pavarësisht pauzës që do të ketë do të vazhdojë zgjerimi i Bashkimit Europian.
Por për të qenë realë dhe duke gjykuar situatën për vendet kandidate, duhet të kalojnë dhe shumë vjet deri sa ato të plotësojnë kriteret e domosdoshme për anëtarësim në Bashkimin Europian", - theksoi Kukan gjatë një interviste për Dojçe Vele.
Në të njëjtën linjë ka qenë edhe raportuesja për Bosnjën në PE, Doris Pak, duke konfirmuar ndalimin e procesit të zgjerimit të BE-së për 10 -15 vitet e ardhshme. Doris Pak ka thënë se askush nuk është kundër zgjerimit, por në Bashkimin Europian, sipas saj, përpara se të pranohet një shtet anëtar, ai duhet të jetë 100% i gatshëm për tu bërë pjesë e BE-së.
Pavarësisht qëndrimit të eurodeputetëve, komisioneri për Zgjerimin Europian, Stefan Fyle, ka theksuar se procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian do të jetë një nga prioritet e presidencës belge gjatë këtij 6-mujori. Fyle ka shtuar se zgjerimi i familjes europiane do të ishte një mundësi e mirë për të përballuar recensionin global që ndeshet sot kontinenti europian.