E Shtunë, 31 Tetor 2026

Monumentet e harruara të Sarandës

Në rajonin e Sarandës numërohen 116 monumente të kulturës, një pjesë e tyre të vizitueshme, ndërsa të tjerat të lëna në harresë. Herë për mungesë të vëmendjes, herë të mosmenaxhimit të fondeve dhe herë tjetër të mungesës së tyre, këto vlera rrezikojnë zhdukjen

Në rajonin e Sarandës numërohen rreth 116 monumente kulture. Kjo pasuri përbën padyshim një arsye më tepër që turistët të grishen nga skaji jugor i Shqipërisë. Në këtë listë të pasur të monumenteve, ku Parku Arkeologjik i Butrintit kryeson për mirëmbajtjen, por edhe vizitueshmërinë, gjen edhe anën tjetër të medaljes. Një pjesë e kësaj trashëgimie kulturore ka humbur shkëlqim ose është në prag të bjerrjes së pakthyeshme të vlerave.

Trashëgimia e heshtur në Rusan të Delvinës

Dy objekte monumentale kanë bërë që fshati Rusan i Delvinës të shënohet si destinacion ku “takohet” trashëgimia kulturore. Guidat turistike të Jugut i çojnë shigjetat e udhëtimeve te kompleksi islamik i Gjin Aleksit, që gjendet në Rusan, tërheqës me arkitekturën e veçantë, por edhe me historinë e bashkëjetesës në kohëra mes besimit kristian dhe atij mysliman. Por ky monument i rrallë nuk është i vetmi në Rusan. Banesa e Alush Dizdarit është gjithashtu një vlerë më vete. Veçse një vlerë e zbehur pas braktisjes prej banorëve të fundit, më shumë se 20 vjet më parë. Kjo ka qenë edhe koha e degradimit të shpejtë të saj. Drejtori i Drejtorisë së Kulturës Kombëtare në Sarandë, Ilir Papa, e tregon gati si një dhembje të vetën profesionale kur flet për gjendjen e kësaj banese, një pjesë e konsiderueshme e së cilës ka shkuar drejt shembjes. Dëmtimi është më i dallueshëm në korridorin hyrës. Braktisja e më tej faktori kohë e ka çuar në prag të shkatërrimit këtë banesë. Thuhet se një ndërhyrje e pjesshme do të kryhet në këtë monument duke përdorur një pjesë nga fondi prej 1 milion lekësh që Drejtoria Rajonale ka në dispozicion për ndërhyrje emergjente në tërësi, akorduar nga dikasteri i turizmit. Ndërhyrja në banesën e Alush Dizdarit do të synojë fillimisht të ndalojë degradimin e mëtejshëm të këtij monumenti. Faza e dytë parashikon restaurimin e plotë deri në ngritjen edhe të mureve të rrënuara. Kjo banesë është identifikuar si një nga më të vjetrat në rajonin e Delvinës (ndërtim i vitit 1822) dhe e dallueshme për veçoritë që paraqet e gjithë arkitektura e godinës dykatëshe. Në mënyrë të posaçme vlerësohet në të pjesa e hajatit, por edhe karakteristikat e dallueshme qartë në dhomat ku rrinte pronari autentik dhe ato të shërbëtorëve të tij. Për këto vlera, kjo banesë qëndron në listën e monumenteve të kulturës prej gati 40 vjetësh (1971). Duke parë gjendjen e saj sot, specialistët shprehen se do të përpiqen të mos lejojnë rrënimin e plotë. Projekti i restaurimit përfshin deri dhe ringritjen e murit që nuk është më. Llogaritjet thonë se për ta risjellë tërësisht në jetë këtë banesë, lypset të shpenzohen jo më pak se 400 mijë lekë. Drejtori Papa thotë se kanë nisur bashkëbisedimet me donatorë të huaj dhe shqiptarë, që kanë shfaqur interes. Disa versione janë në tryezë: për ta kthyer atë në funksionet e një hani, për t’i dhënë vlerat e një shtëpie-muzeale, apo qoftë duke e kthyer në lokal shërbimi. “Mjafton që dera e saj të punohet dhe njerëzit, qoftë edhe në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, të marrin kontakt me tradicionalen”, thotë drejtori Ilir Papa.

Kisha e Shënjanit, shpëtimi nga Tirana apo Bolonja?

E baraslarguar nga qyteti i Delvinës dhe ai i Sarandës, në një bregore të pyllëzuar në afërsi të fshatit Shënjan, gjendet gjithashtu një monument, prej të cilit ka ardhur sinjali SOS. E tillë vlerësohet gjendja në Kishën e Shënjanit, që i përket shekullit IX. Nevoja për ndërhyrje u pa që në momentin që mbaruan gërmimet arkeologjike në vitet 2000-2002. Prej asaj kohe nuk është bërë asgjë. Në këtë drejtim nuk ndikoi aspak as shpallja si monument kulture në vitin 2005. E datuar në shekullin XI, ajo cilësohet nga kishat unikale në rajon, por edhe në shkallë vendi. Arkitektura e saj, por edhe elementë të tjerë si mozaiku i dyshemesë i realizuar me gur të vegjël të zallit, e bëjnë të veçantë.

çfarë e kanos këtë vlerë? Në mënyrë të përsëritur është pohuar se Kisha e Shënjanit gjendet në rrezik rrëshqitjeje dhe se muri i nefit jugor të saj ka pësuar zhvendosje. Projekti shpëtues dhe restaurues është gati dhe i miratuar prej një viti. Zbatimi i tij mënjanon rrezikun e rrëshqitjes, konsolidon muraturën e monumentit dhe plotëson anën arkitekturale të kishës. Një fond prej 1,5 milionë lekësh pritet që të destinohet sivjet për të kryer restaurimin e plotë, por na thonë se ai është i ngrirë për momentin dhe nuk dihet nëse monumenti do të rezistojë derisa të mbarojnë procedurat e tenderimit. Më i shpejtë e shpëtues për monumentin ka të ngjarë të rezultojë donacioni i huaj nga shkolla e restaurimit e Universitetit të Bolonjës, i cili ka ofruar një projekt me vlerë 20 mijë euro, që fokusohet në restaurimin e dyshemesë së kishës së Shënjanit.

Një reflektim nga Manastiri i Mesopotamit

Manastiri i Shën Kollit në Mesopotam mund të mos figuronte sot në guidat turistike nëse në kohë dhe me teknika të kohës nuk do të ishte ndërhyrë për shpëtimin e tij nga restauruesit. Tani që flitet për situata dhe rreziqe të ngjashme në monumentet e kërcënuara, puna e bërë në Mesopotam vjen si model i ndërhyrjes efektive shpëtuese. “Operacioni” ka kaluar dy faza dhe tani pritet e treta. Para se të restaurohej, edhe ky monument pati probleme të arkitekturës, çarje të muraturës etj. Madje, referuar jetëshkrimit të tij, këto probleme zënë fill prej shekujve X-XI, kur një tërmet i fuqishëm tronditi themelet dhe kolonat e tij. Pas kësaj, arkitektura e kishës ka pësuar ndryshime që shihen qartë edhe në muraturën “e qepur” me stile ndërtimore që u përkasin kohëve të ndryshme, pasi ajo është rrëzuar dhe ringritur në kohë. Mësojmë se çdo dy shekuj në jetën e këtij manastiri janë shoqëruar me rindërtime që dallojnë me sy të lirë, nga muret deri te kolona qendrore, që gjithashtu shfaq disa faza ndërtimi. E njëjta gjë ka ndodhur me kolonat e brendshme, si dhe me kambanoren jashtë saj. Në një fazë të parë, restaurimi me vlerë 5 milionë lekë ka realizuar vendosjen e një unaze metalike rreth e qark kishës. Ajo mundësoi lidhjen e muraturës dhe bërjen e saj të qëndrueshme përballë lëvizjes tektonike të terrenit. Ndërsa në fazën vijuese ndërhyrja u bë në brendësi. U hapën terondat e vjetra të drunjta dhe u zëvendësuan me metalike. Kështu u veprua edhe me kolonat ndihmëse, ku gjithashtu u vendosën struktura metalike, që mbajnë peshën e ndërtimit. Edhe pas këtyre, ky monument ende nuk quhet përfundimisht “i fituar” në vlerat autentike. Ato pritet t’i marrë pas një faze të tretë që do të realizojë edhe restaurimin e brendshëm. Projekti parashikon heqjen e kolonës qendrore, vendosur atje prej shekujsh, për të nxjerrë në pah kolonën origjinale dhe për instalimin e strukturës metalike. Ky projekt përfshin edhe hapjen e njërës prej dyerve të mbyllura në thellësi të kohërave, por ngrirja e fondeve ka prekur edhe 5 milionët e destinuara për këtë qëllim.

Rivlerësimi i Manastirit të Mesopotamit nuk ndalet as këtu, pasi na thonë se projektohet edhe një fazë tjetër punimesh me vlerë 700 mijë euro, që do të trajtojë afresket e tij. “Ai është i njohur si një monument me vlera komplekse, të cilat janë si një magnet për turistët e huaj”, shprehet Ilir Papa. Në sezonin më të mirë turistik, numri i vizitorëve të huaj në të ka shënuar 10 mijë vetë. Numri më i ulët, 5 mijë turistë, u regjistrua në verën e vitit 2009, kjo për shkak të projektit restaurues që nisi i detyruar në mesin e gushtit.

Jashtë rrezikut, por brenda harresës…

Ditën e çeljes së sezonit veror të një viti më parë, vëmendjen e miqve të ardhur nga larg, e madje edhe të Kryeministrit Berisha, e tërhoqi një stendë-fizarmonikë, që kishte zbritur në shëtitore fotografi të rralla. Bashkia e Sarandës dhe fondacioni “Lidia” në Sarandë, duke pasur asistencën e arkeologut Dhimitër çondi, kishte drejtuar objektivin mbi dhjetëra monumente të fshirë nga kujtesa për shkak të harresës. Prej majit të kaluar, ajo “fizarmonikë” zë vend në sheshin kryesor të qytetit të Sarandës, duke qëndruar si një apel i përhershëm për t’iu kthyer atyre e për t’i bërë pjesë të trashëgimisë. Dita e çeljes së një sezoni të ri po afron dhe të vjen mirë që “zbulimi” nga ferrat e shkurret e një pjese të këtyre monumenteve ka nisur të hyjë edhe në vëmendjen e specialistëve të strukturës rajonale të kulturës kombëtare në Sarandë. Mësojmë se puna ka nisur nga zonat e Vergoit të Delvinës, nga 5 monumente të tillë, duke filluar me Kamenicën e gurtë, për të mbërritur te 5 ura monumentale në Kalanë e Tatzat, të cilave u është shtuar edhe një e gjashtë, si dhe kalldrëmi në Tatzat.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›