E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri nuk heq dorë nga tunelet dhe rritja e pagave

Qëndrimet Berisha pranon kufizimin e shpenzimeve: Duhet të ulim borxhin

Pavarësisht vendimit për të reduktuar buxhetin me 25 miliardë lekë, Kryeministri Berisha është i vendosur t’i përmbushë premtimet elektorale, për më shumë rrugë, ujësjellës dhe rritje pagash e pensionesh. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri u tha deputetëve të tij se këtë vit do të kryhen shkurtime të “ashpra” fondesh, por plani ambicioz i rrugëve nuk do të ndalet.

“Qeveria ka vendosur të adaptojë një regjim ashpërsie, kursimi. Parashikimet që ka bërë Ministria e Financave do të përmbahen plotësisht, pasi duhet ngushtuar deficiti buxhetor. Nuk është se unë personalisht ndaj ndonjë shqetësim serioz për borxhin, se kur je borxhli i mirë, nuk ke pse i druhesh borxhit dhe ne jemi borxhlinj të mirë, jemi kualifikuar të tillë”, tha kreu i qeverisë. “Por ne kemi përcaktuar si përparësi, nuk do të prekim investimet në infrastrukturë, në moshën dixhitale dhe te burimet njerëzore, rrogat dhe pensionet do të rriten, siç kanë qenë të parashikuara”, siguroi Kryeministri.

Duke u ndalur te rrugët, Berisha përmendi tri akset kryesore, Tiranë-Elbasan, Berat-Tepelenë dhe Rrugën e Arbrit, që të gjitha, këto me tunele, pavarësisht se arka e shtetit është pakësuar. Qeveria shumë shpejt do të paraqesë në Berat projektin e Boshtit të Jugut, që shkurton vetëm në 42 kilometra distancën Memaliaj-Berat, kurse Tiranë-Elbasan u prezantua javën e kaluar. Sa i takon Rrugës së Arbrit, paskan dalë disa probleme, jo pak serioze në vendin ku do të ndërtohet tuneli. “Problemet kanë dalë në Qafë të Murrizit, me tunelin, sepse struktura gjeologjike e kuotës në të cilën ishte parashikuar tuneli, është jashtëzakonisht problematike dhe e bën, sipas ekspertizës së vendit dhe ndërkombëtare, të papërshtatshme për të nisur shpimin. Atëherë po kalohet në një nivel pak më të lartë, rreth 110 metra më lart, por kjo kërkon një vlerësim tërësor të strukturës gjeologjike”, tha Berisha.

Qeveria vazhdon t’i ketë shpresat te fondet e donatorëve, të cilat kanë premtuar një hua prej 400 milionë dollarë, por që ende nuk është kompletuar. Ndërsa Kryeministri flet për fondin e kontingjencës që do të përdoret për rrugët, Ministria e Financave konfirmon ngrirjen e këtij fondi, që llogaritet të ishte 5.2 miliardë lekë.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›