E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Reforma të orientohet në funksion të konsolidimit të pavarësisë së gjyqësorit

14-05-2012 / Gazeta 55

Gjatë Konferencës së Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore e Lindore, faktorët politikë në vend kanë nxitur reformimin e sistemit të drejtësisë, si e vetmja mënyrë për t’i dhënë atij pushtetin që i takon, sipas kushtetutës së vendit

Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje në pritjen e organizuar nga Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë, me rastin e çeljes së punimeve të “Konferencës së Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore dhe Lindore”.
Në pritje merrnin pjesë Alexander A. Arvizu, Ambasador i Shteteve të Bashkuara të  Amerikës në Shqipëri, John M. Walker Jr., Gjyqtari Gjykatës së Apelit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Qarkun e Dytë dhe J. Clifford Wallace, Gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Qarkun e Nëntë. Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë për këtë aktivitet dhe falënderoi kryetarët e gjykatave të vendeve mike që përzgjodhën Tiranën si kryeqytet të drejtësisë për rajonin.
Kryeministri Berisha shprehu gjithashtu vlerësimin për Gjykatën e Lartë dhe trupin gjykues të Shqipëri  në tërësi, i cili, siç theksoi ai, në një hark kohor  relativisht të shkurtër është shndërruar nga njërin prej gjykatave dhe trupave gjykuese më të politizuara të planeti, në një gjykatë dhe trupë gjykues, që i përmbahet ligjit dhe të drejtësisë, dhe ndër më pak të politizuarit. “Është një rast i shkëlqyer për mua të shpreh nderimin dhe vlerësimin më të madh për Gjykatën e Lartë të këtij vendi  dhe trupin gjykues të Shqipëri në tërësi, i cili në një hark kohor relativisht të shkurtër është shndërruar, nga njërin prej gjykatave dhe trupave gjykuese  më të politizuara të planeti, në një gjykatë dhe trupë gjykues, që i përmbahet ligjit dhe të drejtësisë, dhe në vlerësimin  tim ndër më pak të politizuarit. Ndër të gjitha vendet ish-komuniste gjykatësit e Shqipërisë e kanë pasur rrugën më të vështirë, për shkak të një kompleksi  faktorësh  me ndikim të fuqishëm, por ata me një vullnet të hekurt, me përgjegjësi të lartë  kanë bërë, që sot vendi të ketë një sistem drejtësie të respektuar, të depolitizuar, të përgjegjshëm”, u shpreh Berisha.
Në këtë kuadër kryeministri theksoi se një tregues i kësaj është fakti se nga viti 2005 ku popullata e burgjeve të Shqipërisë përbëhej gjithsej nga 1800 të burgosur, sot ajo numëron rreth 5 mijë. “Për të pranishmit jo gjykatës do të jap vetëm një statistikë këtu. Në vitin 2005 popullata e burgjeve të Shqipërisë përbëhej gjithsej nga 1800 të burgosur. Sot ajo numëron rreth 5 mijë. Me vendimet tuaja ju e keni bërë shumë të sigurt dhe më të lirë shoqërinë  shqiptare. Isaiah Berlin thotë se paqja për ujqërit është vdekje për qengjat  dhe ju me veprimtarinë tuaj keni bërë ligjin, keni bërë drejtësinë. Një shoqëri e lirë bazohet para së gjithash dhe mbi të gjitha në lirinë dhe paqen, por liria dhe paqja kanë për garant kryesor një sistem drejtësie të konsoliduar dhe më të drejtë. Thuhet se, paqja nuk ka të kundërt luftën, të kundërt ka mungesën e drejtësisë. Theksova ketë moment sesa i rëndësishëm është për paqen e brendshme të individit, të familjes, shoqërisë, vendimi  i  drejtë i gjykatave, por është po kaq i rëndësishëm për zhvillimin e vendit. Nuk mund të ketë shtet ligjor pa vendimet tuaja të drejta dhe zbatimin e tyre”, u shpreh kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë vlerësoi se inaugurimi i sistemit on- line të ankesave të qytetarëve, të publikut për problematikën që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë, është një arritje e këtij sistemi drejt transparencës. “Zonja Kryetare e Gjykatës, po këtë javë sistemi ynë i drejtësisë festoi 99 vjetorin e themelimit të tij. Ishte simbolike, se kjo ditë u shënua me inaugurimin e sistemin on-line të ankesave të qytetarëve, të publikut për problematikën që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë. Ju në çdo komb përfaqësoni një komunitet të vogël dhe mbi ju projektohen presione të shumta, të pandershme. Nuk ka mekanizëm dhe mjet më të sigurt për mbrojtjen e pavarësisë tuaj, sesa transparenca  e plotë e veprimtarisë suaj”, tha më tej Berisha.
Në mbyllje të fjalës, kryeministri siguroi se qeveria, në klimën e krijuar të bashkëpunimit me opozitën, është e  vendosur  të ndërmarrë të gjitha reformat e nevojshme, të cilat të konsolidojnë më tej pavarësinë e gjykatave të vendit dhe të krijojnë kushtet optimale për një veprimtari kaq të rëndësishme dhe jetike për një vend të lirë. “T’ju siguroj ju zonja Kryetare dhe gjykatësit e tjerë të vendit, se qeveria në klimën e krijuar të bashkëpunimit me opozitën, është e vendosur të ndërmarrë të gjitha reformat e nevojshme, të cilat të konsolidojnë më tej pavarësinë e gjykatave të vendit dhe të krijojnë kushtet optimale për një veprimtari kaq të rëndësishme dhe jetike për një vend të lirë”, tha ai.
Në këtë konferencë marrin pjesë Kryetarët e Gjykatave të Larta të: Shqipërisë, Azerbajxhanit, Kroacisë, Republikës Çeke, Gjeorgjisë, Hungarisë, Kosovës, Letonisë, Lituanisë, Maqedonisë, Moldavisë, Malit të Zi, Sllovakisë, Ukrainës dhe gjyqtarë e juristë të shquar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo konferencë, dikur nismë e Institutit CEELI me seli në Pragë, tanimë, me një vendim unanim të kryetarëve të Gjykatave të Larta të këtyre shteteve, do të organizohet çdo vit në një nga vendet pjesëmarrëse. Shqipëria është vendi i parë që çel punimet e “Konferencës së Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore dhe Lindore”.

Reforma në gjyqësor
Qeveria në klimën e krijuar të bashkëpunimit me opozitën, është e vendosur të ndërmarrë të gjitha reformat e nevojshme, të cilat të konsolidojnë më tej pavarësinë e gjykatave të vendit dhe të krijojnë kushtet optimale për një veprimtari kaq të rëndësishme dhe jetike për një vend të lirë.

Ankesat on-line 
Nuk ka mekanizëm dhe mjet më të sigurt për mbrojtjen e pavarësisë tuaj, sesa transparenca e plotë e veprimtarisë suaj. Po këtë javë sistemi ynë i drejtësisë festoi 99 vjetorin e themelimit të tij. Ishte simbolike, se kjo ditë u shënua me inaugurimin e sistemin on-line të ankesave të qytetarëve, të publikut për problematikën që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë.

Të dënuarit
“Për të pranishmit jo gjykatës do të jap vetëm një statistikë këtu. Në vitin 2005 popullata e burgjeve të Shqipërisë përbëhej gjithsej nga 1800 të burgosur. Sot ajo numëron rreth 5 mijë. Me vendimet tuaja ju e keni bërë shumë të sigurt dhe më të lirë shoqërinë  shqiptare”.

Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj

“Sfida e gjyqësorit, mbrojtja e pavarësisë”

Kryetarja e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, Shpresa Beçaj, organizoi pasditen e djeshme pritjen zyrtare në Hotel Rogner, në prag të çeljes së punimeve të Konferencës së Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore e Lindore.
Gjatë fjalës së saj, kryetarja e Gjykatës së Lartë theksoi se sfida e gjyqësorit mbetet mbrojtja e pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe gjyqtarëve.
Sipas Beçaj, një gjyqësor funksional kërkon bashkëpunim me pushtetet e tjera. “Një gjyqësor funksional kërkon edhe një bashkëpunim dhe kontribut të të gjithë elementëve të shoqërisë civile, të aktorëve të sistemit të drejtësisë dhe të medias. Sfida jonë sot orientohet në mbrojtjen e pavarësisë se sistemit dhe gjyqtarëve, në mënyrë që ata të administrojnë ligjin në mënyrë të fortë, të ndershme dhe të paanshme, për të kthyer besimin e publikut tek drejtësia”, deklaroi Beçaj.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›