E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moon: Rezoluta 1244 nuk është më e obligueshme

Nju Jork -Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, në raportin e ri për Kosovën, thekson se autoritetet në Kosovë kanë vazhduar të veprojnë mbi bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe kanë deklaruar dhe kërkuar publikisht përfundimin e Misionit të UNMIK-ut, duke nënvizuar se rezoluta 1244 nuk ishte më relevante dhe ata nuk i obligonte ligjërisht. Sekretari Ban thotë se ka vazhduar bashkëpunimi praktik i UNMIK-ut dhe autoriteteve të Kosovës, ndërsa thekson se takimet me përfaqësuesin e tij Lamberto Zannier janë minimale.

Raporti i Sekretarit Ban u është dhënë mbrëmë vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit, ndëraq për të do të debatohet në një senacë më 17 qershor ku para anëtarëve atë do ta paraqesë dhe arsyetojë Lamberto Zannier. Në seancë në emër të Republikës së Kosovës do të marrë pjesë ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, ndërsa kryesuese e radhës për këtë muaj e Këshillit të Sigurimit është Turqia. Pasi përmend disa nga ngjarjet kryesore të kësaj periudhe tre mujore, raporti i Sekretarit thekson edhe punën e EULEX-it në kuadër të autoritetit të Kombeve të Bashkuara për të theksuar se ky mision në fillim të prillit ka arritur funksionimin e plotë operacional.

Raporti i punës së EULEX-it i përgatitur nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Siguri dhe politikë të Jashtme, Havier Solana dhe i është bashkangjitur si aneks këtij raporti. Ndër aspektet pozitive integruese, Sekretari Ban përmend faktin se ndonëse shumë serbë vazhdojnë të refuzojnë autoritetet e pushtetit të Republikës së Kosovës, një numër në rritje i tyre ka vazhduar të aplikojë për karta identiteti, leje vozitjeje dhe dokumente të tjera të Republikës së Kosovës.

Për zgjedhjet lokale thuhet se mund të mbahen në tetor ose nëntor, ndërkaq për komunat serbe në veri të Kosovës raporti thotë se kanë vazhduar të operojnë krejtësisht ndaras nga pjesa tjetër e Kosovës. Raporti vazhdon të përshkruaj ecuritë tashmë të rregullta, pa ndonjë risi dhe dramacitet, mbi sigurinë, rendin dhe ligjin, dialogun, kthimin, të drejtat e njeriut, çështjet e komuniteteve, moslejimin e vizitave të zyrtarëve serbë si dhe aspekte të tjera të zhvillimeve që tashmë gjejnë hapësirë në çdo raport. (start/rtk)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›