E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu: 12 Qershori, ditë dhimbje dhe krenarie

Prishtinë -Me rastin e 12 qershorit, Dita e Lirisë, presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu ka mbajtur një ligjatë drejtuar qytetarëve të Kosovës, duke theksuar se që prej shpalljes së pavarësisë, qytetarët e kremtojnë këtë ditë si ditë krenarie, por gjithashtu edhe si ditë dhimbjes dhe e kujtimit për të gjithë ata që në rrugën e gjatë të pavarësimit të Republikës së Kosovës bënë aktin më sublim, dhanë jetën e tyre për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

“Sot po mbushen dhjetë vjet që nga dita e madhe kur Kosova iu bashkua shteteve të lira të botës, pas një periudhe të gjatë përpjekjesh e vuajtjesh, pas një lufte në të gjitha fushat: me arsim, me kulturë, me luftë politike e me luftë të armatosur, që në kujtesën tonë historike janë sublimuar te Presidenti historik Ibrahim Rugova dhe komandanti Adem Jashari”-tha Sejdiu.
Ai shtoi se në këtë ditë, të parët në radhën e atyre që duhen respektuar dhe kujtuar janë luftëtarët e lirisë, ata që dhanë më shumë se kushdo tjetër për lirinë e vendit.

“Një numër i madh i tyre nuk e pritën Ditën e Lirisë, nuk patën jetë për të parë realizimin e synimit të përjetshëm të tyre. I kujtojmë përjetë dhe i falemi kujtimit të gjithë atyre që bënë flijimin e madhërishëm, duke rënë në altarin e lirisë!”-tha presidenti.

Me këtë rast, ai ka falenderuar edhe eprorët dhe ushtarakët e aleancës më të madhe ushtarake, NATO-s, të cilët, duke hyrë në fshatrat dhe qytetet e Kosovës sot dhjetë vjet, shpëtuan jetë njerëzish që kanoseshin nga shfarimi fizik në ditët e fundit të çmendurisë së makinerisë vrastare e Serbisë.

“Në këtë ditë të madhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, kemi arsye për të qenë të gëzuar dhe për të numëruar një varg rezultatesh të arritura deri tash, në radhë të parë faktin se shtetin tonë deri tash e kanë njohur 60 shtete, përfshirë këtu shtetet më të fuqishme e më me ndikim në botë. Përmendim këtu edhe anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore, si shenja shumë të mira se Kosova ngadalë, edhe institucionalisht, po bëhet pjesë e institucioneve më prestigjioze botërore, me synimin e pandalshëm për të ecur me hapa të shpejtë në procesin integrues në strukturat euroatlantike”-thotë presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›