Moore: Shqipëria ska përplasje me ne, ndodh nëse ka dhunë në zgjedhje

Tiranë- Drejtori për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore, ka deklaruar sot se nuk ka asnjë përplasje mes qeverisë shqiptare dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjatë një bashkëbisedimi me analistë dhe gazetarë, ai është pyetur lidhur me mosdëgjimin e deklaratave të ambasadorit amerikan Aleksandër Arvizu nga kryeministri, dhe ai ka thënë se përplasje do të ketë vetëm nëse zgjedhjet bëhen të dhunshme.
Nuk jemi në kurs përplasjeje, përplasje do të ketë nëse ka dhunë pas zgjedhjeve,- tha ai.
Lidhur me heqjen e vizave, premtim i bërë nga kryemnistri Sali Berisha, ai u shpreh se ky është një proces mjaft i gjatë.
Sigurisht, ne i mirëpresim shqiptarët në SHBA, por ne i qëndrojmë 100% deklaratave të ambasadorit Arvizu, pasi për heqjen e vizave nuk bëhet fjalë as për tani dhe as në një të ardhme të afërt. Është një çështje kriteresh të përcaktuara nga Kongresi amerikan,- tha ai.
Më herët zyrtari amerikan Moore në deklaratën e bërë nga qyteti i Durrësit ka lënë të kuptohet se meqënëse çështja e KQZ-së mund të mos zgjidhet shpejt, atëherë mund të shkohet në zgjedhje me përbërjen aktuale të saj me vetëm 4 anëtarë dhe se vendimet me 3/5 mund t’i kalojnë Kolegjit Zgjedhor.
“Zgjedhjet e 23 qershorit janë mjaft të rëndësishme. Situata më e mirë do të ishte që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të kishte 7 anëtarë. Sidoqoftë aty ka vetëm 4 anëtarë aktivë dhe kjo çështje mund të zgjidhet shpejt, por edhe mund të mos zgjidhet shpejt. SHBA do të japin një vëmendje tejet të shtuar ndaj të gjithë procesit të zgjedhjeve”, tha Moore.
Moore theksoi gjithashtu se edhe Kolegji Zgjedhor është një institucion që funksionon në Shqipëri, ndërsa vuri rëndësinë tek fakti që SHBA-të duan që votuesit shqiptarë të besojnë tek institucionet që merren me menaxhimin e zgjedhjeve.
Moore ishte i pranishëm sot në qytetin e Durrësit ku pati një takim me kryetarin e bashkisë së qytetit bregdetar Vangjush Dako.