E Shtunë, 31 Tetor 2026

Morali!



Në brendinë e çdo njërit prej nesh ekziston morali, ku në shumicën e rasteve shfrytëzohet si një kod, i cili ndan “të keqen” nga “e mira”. Por se sa ne arrijmë ta përmbushim mjaftueshëm domethënien e moralit, për shoqërinë sot mbetet një murtajë epidemike. Baza e jetës familjare e asaj sociale në një rang të gjerë ndërkombëtar ka qenë dhe mbetet nderi, morali i krijimit të unit përballë tjetrit dhe reales si një e tërë, që sot ajo është denigruar aq sa mund të rrezikojmë edhe deformimin e sistemit tonë aktual. Ky është thelbi që aktori i skenës, Mirush Kabashi synon të na parashtrojë me monodramën e tij “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit”, si një rrëfenjë shoqërore të një prej dramaturgëve më të mirë kontemporanë, Eric - Emmanuel Schmitt. Kjo vepër vjen dy muaj pasi është shfaqur vetëm në një natë në skenën e Teatrit Kombëtar, për të na dhënë mundësinë e përtypjes së idealit të veprës, se nuk mund të ketë një sistem të ndershëm demokratik, nëse nuk ecim mbi gjurmët e normave të moralit të njeriut. Artisti i merituar Kabashi pretendon se monodrama i shërben perspektivës së të gjithë brezave, e cila pritet pikërisht më 30, 31, janar dhe më 1 shkurt në Teatrin Kombëtar. Aktori Mirush Kabashi duhet thënë, se është nga të paktët e plejadës së tij, në mos të thuash i vetmi, që argumenton dhe e sheh punën e tij dhe teatrin në të gjitha rrafshet e debatit. Një njeri që i hyn rolit për t’i bërë katarsin artistik, ashtu siç i takon një aktori në një përqasje sa më filozofike, dhe në skenë ta materializojë atë si gjuhë të gjallë teatri.

Rreth dy muaj më pas, po e sillni për herë të dytë monodramën tuaj “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit”. Cila është arsyeja, ndoshta mungesa e vëmendjes?

Në të vërtetë unë doja të thosha se nuk po e risjell, por në fakt unë po e sjell tamam atë në skenën e Teatrit Kombëtar, sepse ne kemi bërë vetëm një natë premierën e saj, në Tiranë. Ishte pragu i Viti të Ri kur e kam vënë së pari në skenë dhe për arsye kohore si dhe fakti që paralelisht me të shfaqej edhe një tjetër premierë e TK-së, ndikoi në këtë tërheqje. Pra, kanë qenë arsyet objektive ato, që ajo të vihet si një shfaqje informative në teatër dhe më pas u pezullua. Në këtë mënyrë është normale që vetëm me një shfaqje në një qytet metropol siç është Tirana, një qytet artdashës, nuk mund të gjykohet për t’u vënë vetëm në një natë të vetme në skenë një vepër e tillë. Madje në mënyrë modeste kam kënaqësinë të them se barometri më i besueshëm, siç është publiku, ka pasur shumë kërkesa për këtë shfaqje. Është normale që njerëzit dëshirojnë për ta parë dhe të formulojnë edhe një mendim për të. Tani unë e filloj saktësisht mobilizimin tim artistik, si dhe të teknikës përreth me udhëheqës artistik, Alfred Bualoti, për të treguar atë çka kemi dashur ne t’i themi spektatorit me anë të kësaj shfaqjeje. Motivet që na kanë shtyrë për të dhënë këtë shfaqje janë të shumta. Për mendimin tim janë të vlefshme dhe shumë aktuale.

Ndërprerja e shfaqjes, si ka ndikuar në përgatitjen tuaj profesionale, për ta rivënë edhe një herë atë në skenën e Teatrit Kombëtar, çfarë keni korrigjuar nga interpretimi i parë?

Ndërprerja nuk është si një mbyllje rubineti. Kjo është krejtësisht e pamundur, sepse nuk është një ndërprerje mekanike. Gjatë gjithë kësaj periudhe “Zoti Ibrahim...” ka qenë me mua, por edhe ai më ka shoqëruar në të njëjtën kohë, kudo. Kjo lidhje ka qenë gjithnjë e vazhdueshme edhe pse gjatë kësaj periudhe kam qenë shumë i impenjuar me aktivitete të tjera. Marrim shembullin konkret ftesën nga Bashkia e Athinës, për të qenë pjesëmarrës në një aktivitet dymujor, e planifikuar për spektatorin vendas, e natyrisht duke mos përjashtuar edhe spektatorin shqiptar, i cili tashmë është bërë pjesë e padiskutueshme dhe reale e popullsisë athinjote, në mënyrë të veçantë në një prej teatrove më të rëndësishëm bashkiakë, i cili ka rreth 500 vende. Por edhe ky impenjim ku unë do të shkoja në vendlindjen e Sokratit, nuk e ka zbehur marrëdhënien, lidhjen dhe njëkohësisht përgjegjësinë për shfaqjet e dhënies së kësaj premiere, të cilën unë e kam realizuar në Durrës dy muaj më parë.

Unë bashkë me pjesën tjetër të teknikës së kësaj shfaqjeje kemi një përgjegjësi shumë të madhe, kështu që kjo pauzë dhe shfaqjet që kemi dhënë deri tani le të na shërbejnë si një moment për të riparuar edhe ndonjë problem që na kanë nxjerrë shfaqjet paraardhëse.

Në të njëjtën kohë dua që të kemi edhe atë nivel të spektatorëve që patëm natën e premierës. Mbaj mend që kemi pasur një spektator shumë të kualifikuar, njerëz të cilët e njohin teatrin shumë mirë, por njëkohësisht edhe problematikën si shoqërore, por edhe politike, të një karakteri kozmopolit.

Cilat janë këto shqetësime që nëpërmjet kësaj vepre doni të nxirrni në pah? Si shikohet situata fetare në këtë pjesë, a bëhet kjo pjesë e moralit të sotëm, në këtë sistem që po jetojmë?

Në këtë vepër nuk flitet vetëm për problemet tona, edhe pse shfaqja reflekton më shumë shqetësime aktuale të vendit tonë, por dua të theksoj se ka shumë problematika kozmopolite shumë të mprehta, siç është bashkëjetesa midis kulturave të ndryshme fetare, por baza e mesazhit të veprës nuk është kjo, por problemet mbi moralit të njeriut. Është një fjalë magjike, e cila mund të duket shumë e thjeshtë kur shprehet, por që në të vërtetë përmend thelbin e krijimit të një shoqërie, bazamentet e ndërtimit të një sistemi. Nuk mund të ketë një sistem demokratik, aq më tepër në qoftë se nuk do të mbështet në normat e moralit. Ligji është shumë më i zbehtë në krahasim me moralin, madje nuk do të kishim aspak edhe një shoqëri të përparuar nëse nuk do të kishte një moral të fortë dhe dinjitoz. Të gjitha shoqëritë kanë probleme, por në fakt realiteti jonë i dalë nga një periudhë e gjatë deformimi të moralit në një tranzicion, i cili është vërtet i mundimshëm, ku edhe pse janë bërë ndryshme fizike të mëdha, midis tyre ka edhe nga ato që janë ngritur duke shkelur moralin. Në këtë mënyrë ne po rrezikojmë që të deformojmë edhe implementimin e këtij sistemi demokratik, bashkë me sistemin aktual nëse nuk do të vendoset së pari morali tek njeriu. Po qe se ai nuk do t’i rikthehet kërkesave morale, kërkesave të dinjitetit të tij, të karakterit, të ndershmërisë, respektit, sakrificës, dhe të ndjesisë së përgjegjësisë njerëzore. Për këto elementë moralë, njerëzorë, jetësorë dhe më gjerë bëhet fjalë në këtë vepër.

Shumë teatro të botës e kanë vënë në skenë këtë vepër, a jeni ndikuar ndopak nga ky fakt në përshtatjen e veprës në TK?

Vepra “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit”, jo më kot është vënë në disa dhjetëra teatro të Francës, në disa teatro të Gjermanisë, e mbarë botën, duke filluar nga Amerika, nga Rusia, Izraeli, ku një natë luhej nga një trupë palestineze, e një natë nga një trupë aktoresh hebrenj deri në Japoni. Madje, rekomandimin përpara pesë vjetëve kur kam filluar punën me këtë vepër e kam pasur nga Bullgaria, sepse është vënë në forma të ndryshme, dhe jo në formën e një monologu. Vepra nuk është vepër dramaturgjike, por një vepër letrare.

Nuk është e famshme si monodrame, por më shumë si letërsi. Kjo vepër është trajtuar edhe në një film. Siç e thashë edhe më lart, shumë artistë të ndryshëm e kanë adaptuar atë në forma të ndryshme, ashtu siç kam vepruar edhe unë.

Në këtë rrafsh, po ju si e keni trajtuar këtë vepër për t’iu afruar spektatorit dhe realitetit shqiptar?

Unë e kam trajtuar në formën e një monodrame, në formën e një tregimi. Natyrisht kam përzgjedhur ato pjesë që mua më dukeshin interesante. Dhe për këtë mund të them se kjo ka qenë një punë kolosale. Shprehem kështu, sepse redaktimi i veprës, gjetja e një forme artistike për ta shndërruar materialin nga një vepër letrare në një vepër dramatike duhej me patjetër një intrigim në mënyrën e paraqitjes së materialit. Së bashku me udhëheqësin artistik, Alfred Bualotin, jemi treguar shumë të kujdesshëm në mënyrë që veprës të mos i cenohen linjat kryesore. Pikërisht nga këto linja ne kemi shkëputur ato linja që ishin më aktuale, dhe që ne na duken më të domosdoshme për shoqërinë tonë.

Kam përshtypjen se ia kemi dalë. Ne e kemi gjykuar edhe në trajtimin e saj që të përdorim edhe materiale filmike në formën e peizazheve për paraqitjen e dekorit. Nuk kemi dashur që të kemi një dekor të rënduar, duke i zëvendësuar ato me pamje fotografike, të cilat e ndërthurin me atmosferën e vendit që tregohet. Këto, bashkë edhe me disa elementë të tjerë në skenë shërbejnë për të ndihmuar rrëfenjën, edhe pse në thelbin e saj mbetet thjesht një rrëfenjë, herë tragjike, herë humoristike, por ka edhe raste që shoqërohet edhe me lirizëm dhe dramaticitet në varësi të subjekteve që trajton personazhi kryesor, i cili quhet Momo, që vjen si ish-Moisiu dhe tani si Muhamedi.

Kjo është monodrama juaj e dytë, duke i risjellë në skenë brenda një kohë të shkurtër, a ka huazime të veprës “Apologjia e Sokratit” me shfaqjen që do të shfaqet nesër në mbrëmje?

Po, kjo është monodrama e dytë e imja. Monodrama është pothuajse një aventurë në jetën artistike, janë momente jashtëzakonisht të rëndësishme, për të mos thënë që janë momente unike. Në këtë rast për mua mbetet unike monodrama “Apologjia e Sokratit”, pasi tentova dhe realizova edhe një monodramë të dytë. Ajo çfarë i çmoj monodramës së dytë është fakti që ajo nuk ka asnjë pikë referimi me të parën. Në pikëpamje të gjetjes artistike të interpretimit të shfaqjes nuk ka asnjë lidhje me “Apologjinë e Sokratit”. Ndërsa një sy i mprehtët dhe i kualifikuar do të kuptonte se mesazhet e të dyja veprave janë shumë të lidhura me njëra-tjetrën. Nëse “Apologjia e Sokratit” ka tendencën që të stigmatizojë dhe të denoncojë fenomenet të cilat sjellin deformime në shoqëri, dhe pikërisht këto deformime ajo i gjen kryesisht në abuzimet që bëjnë klasat dhe superstrukturat me fasadat, apo gënjeshtrat e tyre, që ato bëjnë me premtimet e paqena. Në këtë pikë “Zoti Ibrahim...” ka gjetur gjuhën e afirmimit, ndërkohë që tek “Apologjia e Sokratit” shfrytëzohet gjuha e denoncimit. Që të dyja veprat kanë si objektiv njeriun, shoqërinë, familjen dhe mbarëvajtjen e jetës, mbi bazën e principeve të vërteta demokratike dhe njerëzore. Njëri denoncon, ndërsa tjetri afirmon, por këndvështrimet janë të ndryshme. Dhe në këtë pikëpamje mua më kanë dhënë mundësinë që të mos bie në përsëritje dhe të mos huazonin elementë nga njëra-tjetra.

Sa e vështirë ishte të sillni dy monodrama në një kohë kaq të shkurtër?

Sado që mund t’u shpjegoj, unë nuk do të arrijë t’ua shpjegoj dot se sa e vështirë është të realizosh një monodramë. Është jashtëzakonisht e vështirë, sepse nuk është një punë mujore, por një punë kolosale që shfrytëzon disa vjet për ta formuluar atë sa më të plotë në një skenë teatri. Madje, kjo nuk është një punë e përcaktuar vetëm brenda një harku kohor prej tetë orësh, por është një punë ku për 24 orë me radhë duhet të rrish të përjetosh, të humbasësh pas problematikave, që kur të dalin në fund të mos krijosh aspak idetë që kanë mbajtur gjithë këtë prapavijë mundimi dhe përpjekjesh, e hulumtimi. Është një punë kolosale, por vetëm nëse do të sjellësh një shfaqje të vërtetë teatri, ama.

Box

Suksesi i “Sokratit”

Një sukses që nuk e priste. Kjo është ndjesia që artisti i merituar Mirush Kabashi ka përshkruar dje pas kthimit nga skena helene. Ka qenë një ftesë dymujore e kryetarit të Bashkisë së kryeqytetit grek, Athina, për të mishëruar personazhin e tyre më të famshëm, Sokratin, tek një tjetër i huaj, kësaj here ishte radha e aktorit shqiptar, Mirush Kabashi. “Ishte një përgjegjësi shumë e madhe për mua të vija në skenë një vepër të tillë, një monodramë siç ishte ‘Apologjia e Sokratit’”, - është shprehur mjeshtri i madh i skenës, Kabashi, në një konferencë për shtyp.

Kur “bosi” shtet të merr në dorë

Kur shteti të merr me një dorë serioze e kupton qartë se ç’do të thotë. Dy muzetë etnografikë ai i Krujës dhe i Beratit që janë në varësi të ministrisë duket se nuk e kanë problematikën e muzeve të tjerë, si fjala vjen ajo e Elbasanit që një ditë më parë në gazetën “standard” përshkruhet si një nga rastet më fatkeqe të mungesës së vëmendjes nga “bosi” shtet.

Dje, në një njoftim për shtyp, nga Ministria e Kulturës bëhet e ditur se dy muzetë e mirënjohur etnografikë i Krujës dhe ai në Berat kanë pasur një fluks të madh vizitorësh. Kjo tërheqje vëmendjeje nuk vjen rastësisht pasi, po dje, publikohet zgjerimi i aktivitetit të këtyre dy muzeve, duke u bërë së fundi pjesë e një projekti në kuadër të INTERREG III A, Itali-Shqipëri, ku është e mundur të shihen në versionin e tyre online për herë të parë në disa gjuhë.

Muzeu Kombëtar Etnografik i Krujës u përurua më 20 Nëntor 1989. Ai është i ndërtuar në një banesë karakteristike qytetare të vitit 1764. Banesa është monument kulture i kategorisë së I. Në mjediset e brendshme, si edhe objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë e zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe i mënyrës së jetesës, duke filluar që 300 vjet përpara. 90% e objekteve të këtij muzeu janë origjinale dhe 100% janë funksionale. Në të gjejmë objekte prej qeramike, druri, guri, hekuri, pambuku, mëndafshi, leshi, qëndisma të ndryshme të ekspozuara me finesë. Mosha e këtyre objekteve varion nga 60-70 deri në 500-vjeçare.

Ndërkohë që në Berat, muzeu etnografik u përurua në vitin 1979. Në të përfshihet kultura popullore etnografike e trevës së Beratit, si edhe ajo e Shqipërisë së Jugut. Muzeu është vendosur në një godinë dykatëshe treshekullore, tipike e trevës beratase. Në katin e parë është ngritur një sallë në të cilën është imituar një rrugicë mesjetare me dyqane tradicionale në të dyja anët e saj. Në këtë sallë është vendosur edhe pavijoni i lashtësisë. Po kështu, në katin e parë janë vendosur objekte që janë përdorur për përpunimin e ullirit. Në katin e dytë ndodhet çardaku i hapur për pritje miqsh. Në këtë kat ndodhen me radhë arkivi, tezgjahu, dhoma e pritjes e fshatit, kuzhina dhe dhoma e pritjes e qytetit. Në mjediset e jashtme të muzeut janë vendosur shumë objekte origjinale, masive dhe funksionale të kulturës sonë popullore.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›