Studentët, protestë masive para ministrisë, MASH: Diplomat nuk ndryshojnë
Më shumë se njëqind studentë kanë dalë dje përpara Ministrisë së Arsimit, për të protestuar për çështjen e diplomave, ndërkohë që prej ditës së djeshme nuk është kryer asnjë orë mësimi në Fakultetin e Historisë dhe në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja. Organizatorët e protestës paralajmëruan se me ta do të bashkohen edhe studentët e Shkencave Sociale dhe Shkencave të Natyrës.
Protesta
“Duam diploma, jo certifikata”, “Duam të mos mbetemi pa punë”, “Stop certifikatave të reja” dhe slogane të tjera u përdorën dje nga studentët e Historisë dhe të Gjuhëve të Huaja, gjatë protestës përpara Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës. Ata kërkuan edhe njëherë rikthimin e diplomave të reja, pasi sipas tyre, diplomat aktuale nuk kanë vlerë në treg, ndërkohë që nuk morën asnjë përgjigje nga Ministria e Arsimit, zyrtarët e së cilës nuk i takuan. Ministria reagoi me anë të një njoftimi për shtyp, pasi kishte përfunduar protesta.
Studentët e dy fakulteteve të Universitetit të Tiranës deklaruan se nuk kanë për t’u tërhequr dhe se do të protestojnë deri sa të gjendet një zgjidhje e pranuar nga të dyja palët. Sipas tyre, nëse diplomat nuk do të kenë titull, atëherë ata nuk do t’i tërheqin nga fakultetet dhe do të vazhdojnë protestat përpara Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, si edhe bojkotimin e mësimit.
Reagimi
Por, Ministria e Arsimit nuk i ka pranuar argumentet e studentëve, duke deklaruar se nuk do të tërhiqet. “Sipas ligjit shqiptar dhe Marrëveshjes së Bolonjës, emërtimi i diplomës universitare përmban nivelin dhe fushën e studimit të kryer dhe jo titull profesional. Shqipëria do të mbajë të njëjtin standard si të gjitha vendet e BE-së dhe do të ecë përpara drejt konvergimit evropian dhe nuk do t’u kthehet më modeleve të së shkuarës”, – bëri të ditur zëdhënësja e ministrisë, znj. Ermelinda Muho. Sipas ministrisë, diploma e studentëve është tërësisht e vlefshme për të gjetur punë në Shqipëri, dhe, në sajë të standardeve të Bolonjës, edhe jashtë saj, në të njëjtën mënyrë e hapësira në treg, si edhe studentët që kanë diplomën pas tri vjet studimesh “Bachwelor” në vendet e BE-së. “U bëjmë thirrje studentëve të mos manipulohen politikisht, të shikojnë me sytë e tyre si janë diplomat e universiteteve evropiane, të kuptojnë që vendosja e fjalëve apo siglave të Republikës së Shqipërisë dhe MASH në diploma u intereson atyre, sepse certifikon zyrtarisht nga shteti diplomat e tyre”, – deklaron MASH.
Komisioni i Arsimit
Të ndryshohen diplomat brenda kufizimeve ligjore
Rishikimi i diplomave duhet bërë, por brenda kornizës ligjore. Ky sugjerim, që doli nga mbledhja e djeshme e Komisionit parlamentar për Arsimin, vjen në përgjigje të ankesave të studentëve të Gazetarisë mbi formën dhe përmbajtjen e diplomave të ciklit të parë të studimeve sipas sistemit të Bolonjës. Pakënaqësitë e studentëve, zëvendësministrja e Arsimit, znj. Adriana Gjonaj, i konsideroi si një reminishencë e së kaluarës, që sot ka një ndikim si për ata që diplomohen, edhe për punëmarrësit. Ndërsa anëtarët socialist të komisionit kërkuan plotësimin e kërkesave të studentëve. Lidhur me përcaktimin e titullit të profesionit në diplomë, Gjonaj tha se “të gjitha vendet evropiane e kanë të papërkufizuar titullin, sepse realisht ai kufizon dhe nuk zgjeron mundësitë e punësimit. Pra, një gazetar mund të punojë jo vetëm si gazetar, por edhe në marrëdhëniet me publikun, apo si redaktor. Kur mbaron ciklin e parë, studenti mund të kalojë në ciklin e dytë edhe në një fushë tjetër studimi, ku kualifikohet, pasi nuk kufizohet”.