E Shtunë, 31 Tetor 2026

Morati do Ranierin deri në verë më pas, Kapelon o Guardiolan

Humbja në Novara i ka kushtuar postin Xhampaolo Gasperinit, që në krye të Interit nuk arriti as edhe një fitore

Inter vazhdon rënien e lirë, ndërsa në pikiatën e tij ka marrë me vete trajnerin Xhampaolo Gasperini, i cili i ka dhënë fund karrierës së tij zikaltër pas vetëm dy muajsh. Nuk mund të ndodhte ndryshe, sidomos pas humbjes së fundit 3-1 në fushën e Novarës, ku kampionët e botës kanë konfirmuar krizën e këtij fillim-sezoni. Një pikë në tre ndeshje të Serisë A dhe një humbje në Champions, rezultate këto që e kanë bërë të pashmangshëm shkarkimin e Gasperinit nga pankina. Goditja “KO” për teknikun ishte humbja në Novara, ku zikaltërit treguan një formë me të vërtetë të dobët. Vendasit do të mbyllnin pjesën e parë në avantazh me golin e Mexhorinit, ndërsa me rikthimin në fushë do të dyfishonin me Rigonin nga pika e penalltisë. I pafuqishëm Interi përpara portës së ruajtur nga shqiptari Ujkani, megjithëse zikaltërit do të hynin në ndeshje vetëm në limitet e kohës së rregullt. Kambiaso dërgon topin në rrjetë, por Interi nuk i shpëton dot humbjes turpëruese. Rigoni do të vuloste me golin e tretë fitoren e Novarës dhe në të njëjtën kohë do të firmoste shkarkimin e Gasperinit, i cili i ka lënë vendin në pankinën zikaltër Klaudio Ranierit. Presidenti Morati ka vendosur për teknikun 60-vjeçar si zgjedhje eksperience, por edhe të përkohshme. Ranieri pritet të firmosë një kontratë 1-vjeçare, pasi verën e ardhshme zikaltërit do të synojnë një emër të madh mes Pep Guardiolës dhe Fabio Kapelos.

Zaneti: Asgjë s’po funksionon

Kapiteni i Interit, Havier Zanetti është munduar të shpjegojë krizën aktuale në të cilën po gjendet ekipi, duke thënë se “asgjë nuk është duke funksionuar”. Zikaltërit pësuan humbje të befasishme 3-1 nga Novara të martën mbrëma dhe aktualisht kanë vetëm një pikë nga katër ndeshje zyrtare në Serie A dhe Ligën e Kampionëve. Si rezultat, trajneri Xhan Piero Gasperini u shkarkua nga detyra. “Është një moment i vështirë. Asgjë nuk është duke funksionuar nga ajo që ekipi mund dhe duhet të bëjë”, tha Zaneti për Sky Italia.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›