Morati gati për një këmbim Adriano-Eto`o?

Edhe Interi është i lidhur me Samuel Eto'o të Barcelonës, ku mendohet edhe një këmbim me Adrianon. Mund të jetë një nga tratativat më tërheqëse të kësaj vere. Gazeta e përditshme e Barcelonës, "El Mundo Deportivo", flet qartë për mundësinë e një këmbimi të tillë. Nëse goditja e parë interiste ishte ajo e David Suazos të Kaljarit, e dyta mund të jetë Samuel Eto'o i Barcelonës. Shoqëria zikaltër duket se i ka kaluar kushërinjtë kuqezinj në rrugën drejt sulmuesit kamerunas. E gjitha kjo falë një karte shumë të cmuar që e zotëron vetëm Masimo Morati, me emrin Adriano. E gjithë historia ka lindur falë një vizite të kryer nga Luis Suarez, një nga emrat e lavdishëm të së kaluarës si te Barcelona, ashtu dhe te Interi. Suarez besohet se ka marrë miratimin e shoqërisë katalanase për tratativën me Interin.
Presidenti i Barcelonës, Hoan Laporta, kishte pranuar ofertën zikaltër dhe ishte shfaqur entuziast në krijimin e ciftit brazilan, Ronaldinjo-Adriano, një dyshe që prodhoi spektakël në Kupën e Konfederatave të vitit 2005. Një dyshe për të cilën, falë dhe shumës që Morati do të derdhte në arkën katalanase, mund t'i shtohej edhe Tieri Henri. Në fakt, nuk është vetëm Milani, Interi dhe Liverpuli, por edhe një klub spanjoll në gjurmët e Samuel Eto'o. Lajmin e jep siti spanjoll "AS", që përmend emrat e Realit të Madridit dhe Valencias, dy klubet iberike që kanë mundësitë ekonomike për të blerë ndërkombëtarin kamerunas nga Barcelona.