E Diel, 1 Nëntor 2026

Heronjtë e rinj

Kosova përgatitet të nderojë figurat ndërkombëtare që përkrahën pavarësinë

Në përgatitjet për 15 qershorin, Kosova planifikon të vlerësojë Bill Klinton, Madlenë Ollbrajt dhe Uesli Klark, për kontributin e tyre ndaj pavarësisë. “Kur kushtetuta e re të hyjë në fuqi, figura të rëndësishme ndërkombëtare do të ftohen në një ceremoni zyrtare përkujtuese për punën e këtyre personaliteteve”, -raporton e përditshmja kosovare “Koha Ditore”. Sipas gazetës, qeveria në Prishtinë ka për qëllim të vlerësojë ish-presidentin amerikan, Klintonin, ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Ollbrajt dhe ish-komandantin suprem të forcave të NATO-s për Evropën, Klark, të cilët mbështetën përpjekjet e kosovarëve për pavarësinë e vendit. Mediat e huaja shkruajnë se shumë faktorë shoqërojnë projektin e ndërtimit të shtetit të Kosovës. Disa prej tyre, si miratimi i kushtetutës së re, zgjedhja e flamurit dhe shpallja e festave zyrtare tashmë kanë përfunduar. Por, e gjendur në një përpjekje të vazhdueshme për simbole të reja, që të jenë të pranueshme si për shqiptarët, edhe për serbët, Kosova ka gjetur disa heronj të rinj, si Bill Klinton apo Uesli Klark”, - shkruan “Balkantravellers.com”. Agjencia kujton se një prej bulevardeve kryesore në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, ka marrë emrin e Bill Klinton, megjithëse plani për kurorëzimin e tij me një statujë tre metra të lartë të ish-presidentit ka mbetur pezull.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›