Topi-Mesiç: Shqipëria dhe Kroacia bashkëpunim në të gjitha fushat
Presidenti Bamir Topi dhe ai kroat Stipe Mesiç kanë vlerësuar si të rëndësishme bashkëpunimin në fushën e ekonomisë dhe në fusha të tjera mes dy vendeve, pas anëtarësimit në NATO. Presidenti Topi ka konfirmuar dhe një herë idenë dhe vullnetin për krijimin e një shengeni ballkanik gjatë vizitës së tij të parë si Kryetar Shteti në Kroaci, njëkohësisht e para pas momentit historik të anëtarësimit të dy vendeve me të drejta të plota në NATO, në fillim të prillit në samitin e Aleancës në Strasburg/ Kehl.
Gjatë takimit të zhvilluar me homologun e tij kroat, Mesiç, presidenti Topi bëri një panoramë të zhvillimeve në vend duke u ndalur në ecurinë e disa prej reformave më të rëndësishme të ndërmarra në fushën e drejtësisë, të ushtrisë, ekonomisë, me objektiv përmbushjen e standardeve integruese në Bashkimin Evropian. Presidenti shprehu dhe interesimin e palës shqiptare për më tepër investime kroate në sektorë strategjikë për zhvillimin e ekonomisë shqiptare, përfshi këtu dhe fushën e energjetikës. Një kontribut real në këtë drejtim, do të ishte liberalizimi i vizave, që do krijonte afërsi dhe mundësi të reja për bashkëpunimin mes dy vendeve e popujve tanë, duke krijuar lehtësi ndaj barrierave të ndryshme administrative, ekonomike, etj, nënvizoi Topi. Nga ana e tij, presidenti kroat Mesiç shprehu bindjen në thellimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit midis dy vendeve. Lidhur me liberalizimin e vizave presidenti kroat tha se para së gjithash Kroacia duhet ta liberalizojë regjimin e vizave përkundrejt Shqipërisë. Përsa i përket vendit tonë mik, Shqipërisë, ajo regjimin e vet të vizave për qytetarët e Kroacisë e ka liberalizuar deri në fund, tha ai.