E Diel, 1 Nëntor 2026

Moratinos fton zyrtarisht Kosovën në Sarajevë

Ministri i Jashtëm i Spanjës, Miguel Angel Moratinos, në cilësinë e kryesuesit të radhës të BE-së, i ka dërguar ftesën zyrtare autoriteteve në Prishtinë për pjesëmarrje në takimin rajonal midis BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në Sarajevë. Perspektiva evropiane e rajonit do të jetë çështja kryesore në tryezën e bisedimeve, sipas zyrtarit evropian.

Ftesa, që autoriteteve në Prishtinë u është dorëzuar nga zyra e Komisionit Evropian, vlerëson arritjet në dhjetë vjetët e fundit që nga takimi rajonal në Zagreb, takim që ka sinjalizuar fillimin e reformave në vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe riafrimon perspektivën evropiane për rajonin.

"Rezultatet kanë qenë përshtypjelënëse, paqja është konsoliduar, institucionet demokratike janë më të forta, shoqëritë civile janë më dinamike dhe reformat e thella janë në rrugë e sipër në gjithë rajonin," thuhet në ftesën zyrtare, që autoritetet në Prishtinë e kanë marrë në fillim të javës.

Nënvizohet se BE-ja ka ndryshuar thelbësisht 10 vitet e fundit dhe dëshmitare për sukseset historike të procesit të zgjerimit janë dymbëdhjetë vende të reja anëtare.

"Bashkimi Evropian tani është i gatshëm dhe i përgtitur për t'u marrë me sfidat e të ardhmes," thuhet në ftesën për takimin e Sarajevës, pasi organizata konkludoi me sukses procesin "e gjatë dhe të vështirë të reformave institucionale" brenda saj me miratimin e Traktatit të Lisbonës.

Sipas ftesës, takimi në Sarajevë do të bëhet sipas formati "Gymnich" për të mundësuar shkëmbim të gjallë dhe të hapur të pikëpamjeve.

Formula Gymnich, që ka marrë emrin nga një qytet në Gjermani, dhe sipas të cilit takimet mbahen në nivel ministror, parasheh që të hapen jozyrtarisht tema të ndryshme për perspektivën evropiane të rajonit të Ballkanit dhe nuk do të obligojë asnjërin nga pjesëmarrësit në Sarajevë.

Takimi i përfaqësuesve të vendeve të rajonit, do të shënojë të parën herë që delegacionet e Kosovës dhe Serbisë do të ulen së bashku në një tryezë, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Thuhet gjithashtu se ai mund të shërbejë edhe si pikënisje e relaksimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, në kohën kur pritet vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe hapja e mundshme e bisedimeve teknike mes të dyja vendeve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›