E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beja, tregtarët dhe politikanët e Durrësit

Familja Beja njihet në Durrës, si dhe në Tiranë, atje ku para çlirimit zhvilloi edhe veprimtarinë e vet tregtare.


Megjithëse të njohur në këtë profesion, nga kjo familje doli Shefqet Beja, deputeti i pushkatuar nga komunizmi si një njeri që kundërshtoi totalitarizmin e Enver Hoxhës

Familja Beja
"Sot, pas shumë kohëve,
Ne ju kujtojmë o gjyshërit tanë,
Ju jetuat në Durrës e Tiranë,
Në këtë tokë të bekuar,
Ju ishit të ndershëm, të besës, të butë e të mirë,
Ju ishit tregtarë në dy brigjet e Adriatikut,
Ju ishit atdhetarë për Shqipërinë e vërtetë"

Këto vargje janë një lloj historiku i shkurtër poetik i familjes së madhe durrsake Beja, të shkruara nga një pinjoll i saj, Ramazan Beja (Xhoda), i cili sot banon në Durrës.


Para shumë vitesh, kur Xhoda (siç e thërrasin miqtë e vet, por edhe nxënësit e shumtë të cilët i ka mësuar për shumë dekada), jepte mësim në shkollën e mesme të përgjithshme "Gjergj Kastrioti Skënderbeu" të qytetit të Durrësit, shikon një nxënëse të vetën që po qante. Ai e shkëput nga shoqet me të cilat po debatonte dhe e pyeti se çfarë kishte.


Ajo i thotë se shoqet e ngacmuan, sepse i kishin futur babanë në burg... Xhoda, pasi iu bërtet shoqeve të saj dhe i largon, e qetëson vajzën që ishte ende me lot në sy, duke i thënë se kështu e kishte jeta dhe nuk duhej që t'u vinte shumë veshin fjalëve, por të mësonte shumë. Pas kësaj ajo do ta shihte se njerëzit nuk ishin aq të këqij dhe do ta mirëkuptonin.


Çdo gjë do të kalonte... Vajza u qetësua, sidomos kur këtë këshillë po ia jepte një nga mësuesit më autoritarë të kësaj shkolle, i cili shquhej për korrektesën në mësimdhënie dhe për fjalët e pakta në ambientet e saj...


Shumë vite më vonë do të merrte vesh me habi se Xhoda ishte një kushëri i deputetit të pushkatuar Shefqet Beja, të lakuar nëpër historiografinë komuniste si kryesuesi i "Grupit të Deputetëve" që i dolën në opozitë të revanshit të përqendrimit të pushtetit në dorën e vetme e të hekurt të Enver Hoxhës.


jo gjë u mor vesh kur Xhoda u njoh në opinionin durrsak si një nga protagonistët e pafjalë, por mjaft aktiv të lëvizjeve të reja demokratike që shpërthyen në fillim të viteve '91.


Dhe atëherë të afërmit e nxënëses së tij që i ishin mirënjohës për këtë ndërhyrje, kuptuan se si ky mësues i rreptë kishte rrezikuar shumë gjëra, mbase karrierën e vet, sikur këto fjalë të binin në vesh të atyre që mund ta akuzonin më së paku "për shuarje të luftës së klasave", akuzë kjo që mund të të çonte në ndonjë fshat të largët ose fare lehtë mund të ishte shkak për në burg...


Xhoda tashmë ka formuluar dhe ka nisur të botojë libra të historikut të lagjes së vet "Varosh" ku ka qenë përqendruar e gjithe ajka intelektuale e tregtare e Durresit, e cila duke qënë intermediatore mes Lindjes dhe Perëndimit, nëpërmjet tregut, përbënte realisht edhe shtresën e lartë të vendit ose ajkën e elitës kombëtare shqiptare.


Në bisedë me Ramazanin, ai thotë se gjyshi i vet, Mahmut Beja, ka lindur në Tiranë në vitin 1860. I ati i tij ka qenë Hasan Beja, ndërsa e ëma Sulltane Katroshi. "Shtëpia e tyre në atë kohë, - thotë Xhoda, - ishte prapa Medresesë.


Mahmudi jetonte në një familje të madhe. Kishte 6 vëllezër dhe 5 motra. Mahmudi zotëronte turqishten, italishten, sllavishten dhe greqishten. Ai u rrit në një mjedis tregtarësh.


Në fillim merrej me transport dhe shpërndarje drithi. Në vitin 1879, në moshen 19-vjeçare u bë administrator i familjes së madhe Beja. Tregtia që bënin ishte kryesisht drithi e në veçanti misri. Misri blihej prej tyre në Manastir, që ishte kryeqendra e vilajetit dhe më pas transportohej me karvane në Tiranë.


Më pas manipulohej dhe depozitohej në Durrës. Pas kësaj dërgohej nëpërmjet barkave të marra me qira në Ulqin drejt Korfuzit. Në Korfuz, - sipas kujtimeve të mbledhura dhe të shkruara nga Ramazani, - "merreshin të dhënat e duhura për ta shitur drithin në ishujt e tjerë të bregdetit të Jonit. Për shkëmbim përdorej monedha flori, kurse në mungesë të tyre veprimi i shkëmbimit kryhej me vaj ulliri ose me lëkura të thara kafshësh të therura.


Me transportin tokësor merrej vëllai, Aliu, me djem e krushqi. Me transportin detar dhe shitjen e mallit merreshin Mahmudi, Ismaili, Jusufi. Me manipulimin e lëkurëve, të vajit, të drithit merreshin Osmani e djemtë e farefisit. Më pas këto produkte shiteshin në Trieste. Në këtë qytet bliheshin mallra evropiane që më pas shiteshin në Durrës dhe Tiranë.


Tregu pas vitit 1912


Sipas kujtimeve të shkruara nga Ramazani (Xhoda), "në vitin 1912 mbyllja e kufijve tokësorë e detyroi familjen Beja të ndryshojë drejtimin e tregtisë. Meqë nuk mund të blihej drithi jashtë vendit, familja Beja iu kushtua kryesisht tregtisë së zakonshme, por e forcoi tregun e lëkurëve e të prodhimeve ushqimore që i tregtonin në Perëndim.


Në këtë periudhë numëroheshin si pasuri disa shtëpi e dyqane në Tiranë, disa shtëpi, dyqane, furra buke e punishte në Durrës, një shtëpi në Ulqin dhe një në Korfuz". Sipas shënimeve të Xhodës, në vitin 1900 me 3000 napolona floriri u ndërtuan 2 furra buke, një tek taborri turk në lagjen e re e një tjetër në dalje të Durrësit, gjithnjë nën kujdesin e gjyshit të tij, Mahmudit.


Politika nacionaliste e kohës


Xhoda kujton duke iu referuar dokumentacionit që disponon, se në vitin 1882 Mahmudi qe martuar me Aishe Matjen, e cila ishte motra e Rexhep Matjes, deputet i krahut të Ahmet Zogut. Patën 2 djem: Hamdiun e Sulën.


Mahmudi gjendet edhe në dokumentet autentike të asaj periudhe, tek firmëtarët e parë të parisë së Durrësit, për ngritjen e flamurit kombëtar më 26 Nëntor 1912. Më 1916-n ai është zgjedhur kryetar i komisionit durrsak për të zhvilluar bisedime me çetat e Lekëve, të cilat deshën që të plaçkisnin Durrësin.


Ramazani shkruan se Mahmudi ishte kundër Esat Pashë Toptanit, prandaj mërgoi në Korfuz, ku edhe vdiq. Kufoma e tij u soll në Durrës nga Porto Romano dhe është varrosur në varrezat e qytetit, atje ku sot është Pallati i Sportit. Varrimi i tij është bërë në vitin 1917.


Drejtimin e biznesit dhe administrimit të pasurive të familjes Beja e merr rreth vitit 1920 vëllai i tij, Ismail Beja, pasi u ndanë nga trungu i familjes vëllezërit më të vegjël" Osmani, Jusufi, Abdullai dhe vajzat, që në atë kohë ishin martuar.


Në librin e Sali Hidrit, ish-drejtorit të Muzeut Rajonal "Durrësi...1900-1939" jepet e plotë lista e nxjerrë nga dokumentacioni autentik se 22 qytetarë durrsakë kanë nënshkruar telegramin e shpalljes së indipendencës drejtuar Konsullit të Austrisë, Konsullit të Francës, si dhe përfaqësues të shtetit italian ku u bëhej me dije se të nesërmen (dmth dt.26 nëntor) do të bëhej ceremonia e zakonshme (për shpalljen e pavarësisë).


Këtë listë me firmëtarë po e paraqesim të plotë, sipas dokumentacionit të botuar nga Sali Hidri, i cili shkruan: Këtë dokument e nënshkruan 22 qytetarë durrsakë... emrat e tyre po i japim si më poshtë: Myderriz Isuf Ramzoti, Myderriz Abdyl Qerim Kurti, Myderriz Hysen Mulla Alushi, Myderriz Ali Kuli, Myderriz Hafiz Jusuf Gjoni, Ismail Beja, Mahmut Beja, Hysen Dakoli, Hasan Tartari, Ismail Usta Sula, Rexhep Abdurrahman Berberi, Hysen Peni, Filip Serreqi, Kryeplaku i Katolikëve, Aqif Celkupa, Bahtiar Dervishi, Aleks Duka, Kristaq Rama, Sotir Vevecka, Hamza Tahir Himi, Muhamet Qepaxhiu, Ymer Lytfi Mallkuqi, Mustafa Milaqi."


Shefqet Beja, deputeti i pushkatuar


Një pinjoll, nga më të shquarit e familjes Beja, është edhe personaliteti i njohur, ish-deputeti i Durrësit pas çlirimit, Shefqet Beja. Kushëriri i tij, Xhoda, tregon se që në fillim të luftës ka qenë kundër pushtimit të vendit.


Me fillimin fashist të 7 prillit, sipas Xhodës, Shefqet Beja gjendet në krye të organizimit të rezistencës antifashiste. Shumë shpejt ai arriti që të grumbullojë rreth vetes qytetarë të nderuar atdhetarë e demokratë, si: Spiro Bakallin, avokatin Sule Bogdo, dr.


Enver Sazanin, dr. Medar Shtyllën, si dhe mes të tjerëve studentin Nako Spiro. Gjatë kësaj periudhe Shefqeti ka mbajtur lidhje me figura të shquara të luftës, si: Mustafa Gjinishin, avokat Skënder Muçon, dr. Ymer Dishnicën, ekonomistin Riza Dani dhe Ndoc Çobën, komandantin popullor Myslym Peza dhe me oficerin e shquar të forcave të kufirit, Abaz Kupin.


Rreth kundërvënies së mëvonshme të Shefqetit ndaj sistemit totalitar që po instalohej në Shqipëri, Xhoda tregon se Shefqeti që në ditët e para ishte anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të frontit antifashist.


Ai ka qenë një ndër mbështetësit e parë të thirrjes së Kuvendit të Pezës. Më vonë ai ndihmoi në ngritjen e gazetës "Bashkimi" dhe ishte një ndër gazetarët e parë të saj. Shefqet Beja ka qenë zgjedhur si në Labinot, ashtu edhe në Përmet, nënpresident i frontit antifashist nacionalçlirimtar.


Kjo është një pasqyrë e veprimtarisë së Shefqetit gjatë luftës, ndërsa pas saj Xhoda thekson se ai ka qenë anëtar i shoqërisë së import-eksportit, si dhe i drejtorisë së bankës.


Ai kishte kundërshtuar që në fillim marrëveshjet kolonizuese të bëra me Jugosllavinë, si: ajo e njehsimit të dinarit me lekun dhe heqjen e doganave. Ai kishte konstatuar se të gjitha mallrat e tregtarëve që u sekuestruan me vendime te paligjshme, dërgoheshin në Jugosllavi me shoqërinë import-eksporti.


Xhoda shkruan në kujtimet e veta se Shefqet Beja argumentoi në parlament, si dhe zhvilloi debate me njerëz që drejtonin ekonominë se "dhuna mbi pronën private dhe mbi vetë pronarët vërteton se shteti shqiptar nuk ka asgjë demokratike".


Shefqeti u rendit në radhet e grupit të pavarur demokrat për zgjedhjet e Asamblesë. Në mbledhjen e pleniumit të 16 shkurtit 1946 u lëshuan rrufe mbi grupin e tyre dhe u inskenua grupi tradhtar me Shefqetin kryetar, për ta eliminuar atë.


Xhoda tregon se si në një gjyq të inskenuar në shtator 1947, 16 vetë u dënuan me pushkatim dhe 16 të tjerë me burgime të rënda. Shefqet Beja u var me litar në mes të Tiranës.


Historiani Danish Bebeziqi, i cili u nda nga jeta para disa muajsh, ka shkruar rreth kësaj figure komplekse se "Shefqet Beja ka hyrë në përjetësi madhështor, i hijshëm, i pastër, i krehur me shumë kujdes dhe mendjendritur".


Rreth kësaj figure interesante kushëriri i tij shkruan se ai ishte produkt tipik i epokës së vet. Fryma tradicionale shqiptare, ashtu si atmosfera demokratike durrsake krijuan dhe skalitën si me daltë tek Shefqet Beja tiparet e ndershmërisë, besës dhe trimërisë.


I ati, Jusuf Beja, ishte i interesuar dhe kishte investuar që Shefqeti të merrte një kulturë të përgjithshme dhe të gjithanshme nëpërmjet shkollimit të përzgjedhur e privat me pedagogë të huaj.


Në vitin 1928 Shefqeti arriti që të organizonte shoqërinë kulturore sportive "Teuta" me të rinjtë e STAMLES-it dhe me nxënës e studentë durrsakë. Kjo shoqatë të rinjsh u bë bërthama e "Bashkimit", e cila në zgjedhjet bashkiake më 1936-n për Durrësin arriti të fitojë ndaj grupit konservator dhe u vendos me votë të popullit në krye të Këshillit Bashkiak.


Jusuf Beja, anëtari i suitës së Princ Vidit


Jusuf Beja, babai i tij me 1924-n ka qenë nënkryetar i Bashkisë për Durrësin. Menjëherë pas ngjarjeve të revolucionit të qershorit ai emigroi në Itali. Jusufi njihte gjuhët turqisht, italisht dhe gjermanisht.


Duke pasur dituri të madhe dhe aftësi në gjuhët e huaja, ai kishte filluar të punonte si këshilltar, sekretar - llogaritar me Luigj Shvercenerin, i cili bënte pjesë në suitën e Princ Vidit kur ai erdhi në Shqipëri. Jusufi, sipas kujtimeve të Xhodës, vuajti nga një sëmundje e rëndë, u kurua disa herë në Vjenë dhe në vitin 1932 vdiq dhe u varros në kryeqytetin austriak.


"Grupi i Deputetëve"


Më 2 dhjetor të vitit 1945, nga shteti komunist shqiptar u organizuan zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese. Pjesa dërrmuese e deputetëve të zgjedhur ishin anëtarë të Partisë Komuniste Shqiptare dhe funksionarë të lartë të partisë-shtet.


Të gjithë deputetët, pa përjashtim, ishin të lidhur ngushtë me Lëvizjen Nacionalçlirimtare, që drejtohej nga Partia Komuniste Shqiptare gjatë periudhës 1942-1944. Duke parashikuar se në Shqipëri po instalohej një shtet i tipit diktatorial dhe duke kundërshtuar hapur marrëdhëniet e tipit kolonizues të Jugosllavisë ndaj shtetit të ri shqiptar, disa prej deputetëve, si: Shefqet Beja, Gjergj Kokoshi, Enver Sazani, Selaudin Toto, etj filluan të shprehnin pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë komuniste të Enver Hoxhës.


Në vitin 1947, pa iu hequr mandati i deputetit, u arrestuan Riza Dani, deputet i Shkodrës, Shefqet Beja, deputet i Durrësit, Enver Sazani, deputet i Durrësit, Selaudin Toto, deputet i Gjirokastrës, Irfan Majuni, deputet i Dibrës, Faik Shehu, deputet i Dibrës, Kosta Boshnjaku, deputet i Tiranës dhe Gjergj Kokoshi, deputet i Shkodrës, ministri i parë i Arsimit pas Luftës së Dytë Botërore.


Jehona e pushkatimit të Bejës


Kleriku islamik, Shemsi Karbunara, kur është pyetur se si është komentuar në Perëndim vrasja e grupit të deputetëve, ka thënë se të gjithë miqtë e arratisur jashtë shtetit kanë komentuar në shtypin evropian trimërinë e treguar nga Ibrahim Karbunara dhe Shefqet Beja dhe burrninë e tyre, ndërsa shumë deputetë të tjerë u lakuan pak nga torturat.


Ai ka thënë edhe për jehonën që ka pasur në Perëndim qëndrimi i tyre. "Mbarë gazetat e botës krahas atyre të Shqipërisë shkruan me jehonë për ngjarjen e bujshme, vrasjen e një pjese tjetër të elitës së kombit shqiptar. Në Itali, Angli e SHBA gjyqi i deputetëve u komentua si krim ndaj demokracisë mbarëbotërore".


Vdekja e vajzës së Shefqetit


Shefqet Beja kishte vetëm një vajzë, Vera Bejën, e cila lindi në vitin 1940. Në vitin 1947 ndodhi vdekja e të atit, ndërsa në vitin 1949 vdes gjyshja. Vera punoi si punëtore në ngarkim-shkarkim në depon e librarisë së Durrësit, ndërsa më pas emërohet si magaziniere po atje.


Në vitin 1963 ajo u martua me inxhinierin Orest Dhonato. Pas martesës i dëbojnë si çift në Kavajë, ku i shoqi punonte në fabrikën e gozhdë-bullonave, ndërsa ajo në lavanderinë e qytetit. Atyre u lindën katër vajza. Në moshën 34-vjeçare Vera sëmuret rëndë dhe kthehet në Durrës në shtëpinë e xhaxhait Muhamed Beja, ndërsa vdes në vitin 1975.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›