E Diel, 1 Nëntor 2026

Morën 1.8 milionë euro nga rrëmbimi, iu sekuestrohen pasuritë

Mariglen Kuqi dhe Oltion Sadikaj, akuzohen se bashkë me 6 persona të tjerë rrëmbyen një grua të moshuar në Selanik


Gruaja e moshuar u la e lirë nga rrëmbyesit pasi miku i saj 76- vjeçar pagoi shumën. Prokuroria kërkoi bllokimin e pasurive në kuadër të "Antimafias"


TIRANË- Me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, gjykata bazuar në ligjin "Antimafia" vendosi sekuestrimin e pasurive të dy personave të dyshuarve për mbajtjen peng të një gruaje 74- vjeçare në Selanik të Greqisë. Kundrejt lirimit të gruas së moshuar dy rrëmbyesit kanë përfituar, bashkë me gjashtë persona të tjerë, shumën e majme prej 1.8 milionë euro.


Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të Gjykatës së Krimeve të Rënda në kryeqytet, të cilët pas shqyrtimit të seancës gjyqësore kanë pranuar kërkesën e prokurorit Besnik Muçi për sekuestrimin e pasurisë së familjarëve dhe vetë shtetasve Mariglen Kuqi dhe Oltion Sadikaj. Sipas vendimit të gjykatës, të dy të dyshuarit që po hetohen në shtetin helen për "pengmarrje dhe kërcënim" në bashkëpunim me 6 të tjerë, në Shqipëri po hetohen për "pastrim parash".


Mariglen Kuqit nga Lushnja iu sekuestruan dy apartamente me vlerë rreth 208 mijë euro dhe një llogari bankare me vlerë rreth 301 mijë lekë të reja.


Elbasanlliut Oltion Sadikajt, gjykata i sekuestroi vetëm një llogari bankare me vlerë 30 mijë euro. "Sipas hetimeve të ardhura nga Prokuroria e Athinës dhe akteve të procedimit penal, rezulton se Mariglen Kuqi në kërkim Oltjon Sadikaj, i arrestuar në Greqi, akuzohen se në bashkëpunim me gjashtë të tjerë, me 19 qershor 2009 e rrëmbyen në hyrje të banesës së saj në "Palio Faliro Krono 1921" 74- vjeçaren Evanthia Farnkogjeorgji.


Pas rrëmbimit, autorët i kërkuan mikut të saj 76- vjeçarit Ari - Anastasi Theodhoridhi 1.8 milionë euro, e paguar me 26 qershor 2009, kur dhe është liruar gruaja,- thuhet në vendim. Sipas këtij të fundit, rezulton se Kuqi dhe Sadikaj, të nesërmen e lirimit të pengut hynë në territorin shqiptar, e konfirmuar kjo nëpërmjet sistemit TIMS në kufi. Nëse vendimi lihet në fuqi nga Apelit, prokuroria pritet të kërkojë që pasuritë të konfiskohen dhe të kalojnë në pronësi shtetit.


Sipas hetimeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të kryera në adresë të lushnjarit të shpallur në kërkim, Mariglen Kuqi dhe pjesëtarëve të ngushtë të familjes së tij, rezultoi se ata disponojnë dy apartamente dhe një llogari bankare të krijuar pas datës 26 qershor 2009, ditë kur është liruar pengu.


Menjëherë pas "dorëzimit" të pengut mësohet se Kuqi ka hyrë në Shqipëri, ndërsa babai dhe bashkëshortja e tij pak kohë më vonë, duke realizuar blerjen e dy apartamenteve në Tiranë dhe Golem të Kavajës. I ati i të shpallurit në kërkim, shtetasi me inicialet N.K. më datë 6 korrik 2009 ka blerë një apartament në Golem të Kavajës me sipërfaqe 108.9 metra katror me vlerë 70 mijë euro.


Më pas, më 28 tetor 2009 bashkëshortja e të kërkuarit me inicialet B.K. ka blerë një apartament në Tiranë me sipërfaqe 106 metër katror me vlerë 138 mijë euro. Të dy këto blerje janë kryer me para në dorë.


Gjithashtu, nga hetimet ka rezultuar se i ati i të kërkuarit dhe vetë ai kanë një llogari bankare të përbashkët të hapur pas 26 qershorit 2009 me shumën prej 301 mijë lekë, me cilësimin "të ardhura nga emigracioni".


Ndërkohë, për të dyshuarin Sadikaj që po hetohet nga njësia e Task-Forcës së prokurorisë së kryeqytetit për akuzën e "pastrimit të parave", ka rezultuar se më 27 qershor 2009 shtetasi Oltion Sadikaj ka hyrë në territorin shqiptar dhe më pas ka kryer disa derdhje dhe tërheqje të shumave të mëdha parash, ku përfundimisht më 27 korrik ka derdhur 30 mijë euro në një llogari bankare duke i cilësuara si të "ardhura nga emigracioni". Këto para, dyshohet se janë të ardhura të fituara nga pagesa e lirimit të pengut 74 -vjeçare.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›