E Shtunë, 31 Tetor 2026

UT publikon procedurën për ndryshimin e degës

Transferimi i studimeve, përfitojnë edhe studentët që frekuentojnë universitetet e huaja dhe ato private


TIRANË - Rektorati i Universitetit të Tiranës ka bërë publike gjatë ditës së djeshme procedurat që duhet të ndjekin studentët për transferimin e programe universitare nga një fakultet në tjetrin, së bashku me data gjatë të cilave do të kryhen këto veprime.


Kështu studentët e interesuar për transferimin e studimeve kanë rreth 20 ditë kohë për paraqitjen e kërkesës së tyre pranë Rektoratit të Universitetit të Tiranës.


Aplikimet sipas njoftimit të këtij institucioni do të nisin më datën 27 gusht dhe do të vijojnë deri më 18 shtator. Gjatë kësaj kohe studentë mund të dorëzojnë një dosje personale e cila duhet të përmbajë tetë dokumente.


Dokumenti i parë është kërkesa për transferim, në të cilën studenti duhet të arsyetojë edhe motivet e lëvizjes nga universiteti ku është regjistruar paraprakisht. Njëkohësisht me kërkesën për transferim, në dosje duhet të jetë edhe përmbajtja e planit dhe programit e studimit që ka ndjekur më parë ky student. Programi duhet të jetë i plotë për të gjithë periudhën e studimeve, qoftë kjo edhe mujore.


Dokumenti i tretë është lista e lëndëve, krediteve dhe notave të fituara pranë institucionit arsimor të lartë përkatës, si edhe një kopje e noterizuar e indeksit të notave, për ato universitete të cilët e kanë një të tillë.


Krahas dokumenteve të mësipërm, studentët që kërkojnë transferim të studimeve, duhet të dorëzojnë në Universitetin e Tiranës kopje të noterizuar të diplomës së shkollës së mesme, si dhe një kopje të kartës së identitetit.


UT-ja kujton studentët e interesuar se, për ata që vazhdojnë studimet jashtë dhe kërkojnë të bëjnë transferimin e studimeve në këtë institucion, të gjitha dokumentet duhet të jenë të certifikuara nga institucioni që i ka lëshuar.


Vç dokumenteve të nevojshme për transferimin e studimeve, studentët duhet të paguajnë pranë njërës prej bankave të përcaktuara nga Universiteti i Tiranës, mandat arkëtimi prej 1 mijë lekësh, i cili kalon në llogari të vetë institucionit.


Transferimi i studimeve në Universitetin e Tiranës vlen edhe për studentët që cilët aktualisht vazhdojnë studimet në universitetet private, por që për arsye të ndryshme dëshirojnë të vazhdojnë studimet më tej në institucionet arsimore publike të larta.


Për të kryer transferimin e studimeve, këta studentë duhet të dorëzojnë në protokollin e Universitetit të Tiranës 7 dokumente, ndërkohë që në ndryshim nga studentët që vazhdojnë studimet jashtë vendit, nuk do ta kenë të detyrueshëm përkthimin e tyre.


Përgjigjja për miratimin ose jo të kërkesës për transferim do të jepet brenda një afati të shkurtër kohor, ku sërish studentët e interesuar do të duhet të drejtohen pranë zyrës së protokollit në Universitetin e Tiranës.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›