Homazh Fehmiut me "Mbledhësin e puplave"

Hera e dytë brenda një vitit që Akademia e Filmit dhe Multimedias "Marubi"projekton
"Mbledhësi i puplave" (1967) i Aleksandar Petrovic-it.
Me një nga veprat më të mira të historisë së kinemasë në epokën e ish-Jugosllavisë, i bëhet homazh Bekim Fehmiut i cili ndërroi jetë para pak ditësh. Interpretimi i tij në rolin protagonist të ciganit është në lartësinë e filmit i vlerësuar me "Palmën e Artë" në Kanë më 1967 dhe i emëruar për Çmimin "Oscar" një vit më pas.
Me "Skuplijaci Perja", Aleksandar Petrovic, i bën homazh jetës endacake dhe pa kokëçarje të ciganëve, por ai është një kërkim i zjarrtë dhe pasionant brenda për brenda botës së tyre.
Bora dhunon dhe dashuron në mënyrën me gjenuine; jeton në varfëri dhe nga ana tjetër është i dhënë me pasion pas parasë. Ky njeri është metafora e vetë filmit:
gjaku i zi dhe puplat e bardha.
Ecejaket e tregtarit të puplave të patës janë një udhëtim i pandërprerë në ish-Jugosllavinë, kurse ciganët janë melankolia më e përkryer e saj. Liria e tyre nuk tregon tjetër gjë, veç kufijtë e ngushtë të jetës së tyre. Prandaj, "ciganë të lumtur" është ironi me atë që është shitur si bota moskokëçarëse e njerëzve të lumtur.
Në gjuhën angleze, filmi njihet me titullin "I Even Met Happy Gypsies" (Kurrë nuk kam parë ciganë të lumtur), titull që i referohet një vargu të këngës rome "Djelem, dhelem".
Aktori Bekim Fehmiu, atëherë 31-vjeçar, është një nga pak aktorët profesionistë që ka përdorur regjisori.
Ishte një emër i njohur në kinema në atë kohë dhe famë ndërkombëtare do të fitonte me filmat "Odiseja", "Aventurieri", "Rruga" etj., përkrah artistëve si John Huston, Olivia de Havilland, Ava Gardner, Robert Shoë, Dirk Bogart, Sharl Aznavur, Irene Papas, Claudia Cardinale etj.
Historia e Borës shfaqet nesër, ora 19.00, në kinemanë "Marubi". Zgjat 94 minuta, shfaqet me subtitra anglisht. Përkrah Fehmiut interpretojnë Bata Zivojinovic, Olivera Vuco, Gordana Jovanovic, Mija Aleksic, Rahela Ferari etj.
Peizazhi i zhveshur i Vojvodinës, muzika cigane luajtur me instrumente tradicionalë, gjuha rome përzier me serbishten, e bën këtë film të mrekullueshëm dhe tërheqës.