E Diel, 1 Nëntor 2026

Tension në gjyq, prokurori kërcënohet nga Lul Berisha

Banda e Durrësit

Anton Martini, akuzoi të pandehurin për kërcënime. I dyshuari si drejtues i bandës mohon kërcënimet


TIRANË- Prokurori Anton Martini "kërcënohet" në sallën e gjyqit nga i pandehuri Lulëzim Berisha. Ky i fundit e mohon para gjykatës të ketë kryer një veprim të tillë, duke e cilësuar pretendimin e prokurorit si të pavërtetë.


Edhe trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Gurali Brahimllari, pas pretendimit të prokurorit të çështjes, u shpreh se nuk kishte dëgjuar ndonjë kërcënim.


Kjo situatë ndodhi përpara se prokurori Martini, të lexonte kundërshtimin e deklarimeve të dëshmitarit Geri Beja, në lidhje me një autoveturë të vjedhur ndaj tij që dyshohet se është përdorur nga banda në një vrasje. Martini i kërkoi trupit gjykues të ishte më i vëmendshëm, pasi i pandehuri Berisha po e kërcënonte.


"Z.Kryetar, unë jam këtu si përfaqësuesi i shtetit dhe i ligjit. Nuk kam asgjë personale me asnjë nga këta të pandehurit. Lulëzim Berisha sapo më kërcënoi, duke më thënë: Do e shohësh më pas ti". Unë nuk kam asgjë personale, thjesht bëj detyrën time si prokuror"-tha Martini. I menjëhershëm qe reagimi i Berishës, nga brenda kafazit të hekurt, në sallën nr.1 të Gjykatës së Krimeve të Rënda.


"Nuk është e vërtetë. Unë nuk kam kërcënuar dhe nuk kërcënoj njeri. Pretendimi i prokurorit është i pavërtetë dhe është një provokim",- tha Berisha. Ai i kërkoi gjykatës t'i tërheqë vëmendjen prokurorit.


Pas pretendimit të prokurorit dhe reagimit të Berishës, drejtuesi i seancës, Gurali Brahimllari, u shpreh se "ai nuk kishte dëgjuar gjë". Edhe avokatët mbrojtës reaguan pas pretendimit, duke e cilësuar pretendimin e prokurorit të pavërtetë dhe të sajuar.


Më pas, seanca vazhdoi me pyetjen e dy punonjësve të policisë, të cilët nuk dhanë ndonjë detaj të ri për ngjarjet për të cilat ishin thirrur. Seanca e djeshme gjyqësore filloi me pyetjen e dëshmitarit të akuzës, Geri Beja, i cili duhej të dëshmonte në lidhje me veturën "BMË" të përdorur në vrasjen e Dritan Dishës.


Kjo makinë, sipas akuzës, është marrë një natë para ngjarjes në Tiranë tek Geri Beja, nga Adriatik Coli me porosi të Lulëzim Berishës. Kjo veturë më pas është përdorur në vrasjen e Dishës në nëntor të '99 dhe është gjetur e braktisur në një lagje të Durrësit.


Sipas Bejës, prokurori në 2006 gjatë marrjes në pyetje i kishte bërë presion duke e mbajtur 10 orë në prokurori, dhe më pas e kishin liruar.


Ai nuk pranoi se veturën ia kishte dhënë Adriatik Colit, si dhe as faktin se të nesërmen e ngjarjes, Lulëzim Berisha e kishte telefonuar, duke i thënë të bënte kallëzim për vjedhje të makinës. Gjatë marrjes në pyetje në prokurori, Beja kishte pohuar se makinën e kishte marrë një person me emrin "Tiku" dhe Berisha i kishte thënë të bënte kallëzim.


Më pas, reagoi edhe i penduari i "bandës", Coli, që përsëriti deklarimet e tij në lidhje me këtë fakt, duke i kujtuar gjykatës se ishte Beja i cili ia kishte dhënë makinën pasi kishte komunikuar në telefon me Lulëzim Berishën.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›