E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mormonët befas në qendër të vëmendjes

Mitt Romney nuk flet për religjionin e tij. Dhe mormonët nuk dëshirojnë të dëgjojnë për politikë. Megjithatë, ata po i gëzon interesimi i shtuar për kishën e tyre në SHBA, pas emërimit të Romneyt për kandidat të republikanëve për president të SHBA-së.

Rebecca, Scott dhe Peter nuk pranojnë vlerësimet negative për Mitt Romneyn. I ngurtë? Si robot? “Nuk është e vërtetë”, thotë Rebecca. Një herë kishte shpërthyer një zjarr në lagjën e tyre dhe vetë Romney personalisht ishte angazhuar, për të pastruar mbetjet. “Edhe përkundër faktit se kishte dorën e thyer”, shton ajo. Sipas disa të tjerëve, e vetmja gjë që e intereson Romneyn janë paratë.

Jo, thotë Peter. Romney një të dhjetën e të ardhurave të tij i ndan për kishën hormone.

Rebecca dhe Scott janë mormonë, pjesëtarë të Kishës së Jezus Krishtit të ditëve të fundit të shenjta, apo “Saints”, siç e quajnë. Ky çift bashkëshortor jeton në La Jolla, paralagje e San Diegos: vila të bardha, palma, deti. Rreth 40 mijë njerëz jetojnë këtu, pothuajse të gjithë të bardhë, përveç një pakice të vogël të aziatikëve. Pjesa më e madhe e banorëve të bardhë janë mormonë. Edhe familja Romney ka një vilë në La Jolla.

Mormonët nuk pijnë. As alkool, as kafe, as çaj. Madje as çaj të gjelbër. Coca Colën e pinë, ngase konsumin e saj kisha e tyre nuk e ka ndaluar.

Por a mund të ketë besimi i Romneyt ndikimin në epilogun e zgjedhjeve presidenciale në SHBA? Nëse ai fiton, atëherë SHBA-ja do të kryesohej për herë të parë nga një president, i cili nuk është i krishterë.

Kështu këtë çështje e shohin evangjelikët. “Evangjelikët madje një herë më kanë fyer edhe si ithtare të djallit”, thotë Rebecca. “Nga të krishterët këtë nuk e kam përjetuar asnjëherë”, shton ajo. Scott bën me kokë në shenjë pohimi. “Një prift një herë më pat thënë se kur bëhet fjalë për të ndihmuar, të krishterët kanë idetë, hebrenjtë japin paratë, mormonët ofrojnë vullnetarët, ndërsa evangjelikët vetëm ankohen. Jezusi, në të cilin besojnë ata, nuk është Jezusi ynë”, thotë Scott.

Peter është optimist sa i përket gjasave të Romneyt. “Vendi është shumë më tolerant dhe shumë më i larmishëm se më parë. Përndryshe as Obama nuk do të kishte fituar në zgjedhjet e kaluara”, thotë ai.

“Gjashtë milionë mormonë jetojnë në SHBA. Romney dhe për këtë janë të sigurt të gjithë, do të marrë 90 për qind të votave të mormonëve. Por jo për faktin se ai është mormon, por për faktin se mormonët votojnë për konservatorët”, vazhdon Scott.

Themeluesi i besimit mormon ishte Joseph Smith, të cilit sipas legjendës një engjëll i kishte sjellë një libër të artë në vitin 1823, të cilin ai më pas e kishte përkthyer në gjuhën angleze: Librin e Mormonit. Për një kohë të gjatë mormonët ishin të përndjekur. “Më herët, çdokush kishte të drejtë të na vriste”, thotë Scott.

Pas linçimit të Smithit, profet i ri u bë Bringham Young. Ai besimtarët mormonë i dërgoi në një territor të largët të indianëve: në Utah. Mormonët u vendosen në shpatet e Rocky Mountain: në Salt Lake City. Kur Utah u shpall shtet në vitin 1890, u ndalua edhe poligamia. Miles Park Romney, gjyshi i Romneyt u arratis me bashkëshortet e tij në një koloni të poligamisë në Meksikë, ku edhe lindi George Romney, babai i Mitt Romneyt.

Që nga emërimi i Romneyt për kandidat për president, është shtuar dukshëm interesimi për mormonët dhe kishën e tyre në SHBA. Këtë mormonët e shohin si një gjë pozitive. “Jeta ime vërtetë është përmirësuar. Për mua është një lehtësim që jemi në gjendje të flasim për besimin tonë”, thotë Rebecca.

Romney nuk flet për besimin e tij. Frank Bruni ka shkruar një artikull në New York Times, në të cilin theksoi se Romney po fsheh shpirtin e tij. Pa marrë parasysh se a do të përmbahet apo do të deklarohet haptazi si mormon, që të dy këto gjëra mund ta dëmtojnë Romneyn në zgjedhje.

Shumë amerikanë e kritikojnë Romneyn për faktin se ka vepruar si misionar mormon në Francë, gjatë kohës së luftës në Vietnam. “Misionarizmi është një gjë tejet e rëndësishme për mormonët. Kam qenë një kohë misionare në Stamboll dhe do të shkoja prapë”, thotë Rebecca.

Por cili është mendimi i zyrtarit të kishës hormone, Ted Callister, për kandidaturën e Romneyt për president të SHBA-së? “Kisha është politikisht neutrale, nuk shprehemi për këtë”, përgjigjet ai. Por Callister më tutje vazhdon:”Në SHBA po ka gjithnjë e më pak rëndësi se çfarë race apo cilit religjion i takojnë kandidatët presidencialë”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›