E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Mos dil nga shtëpia", masakron gruan

Xhelozia pas më shumë se 2 dekadash martesë i merr jetën nënës së 4 fëmijëve. 

GJIROKASTER/ PIRO NASE

 I shoqi 53-vjeçar masakroi me daltë në të gdhirë të ditës së djeshme gruan 44 vjeçe, ndërsa në dhomën tjetër ndodheshin fëmijët. Krimi i radhës në familje ndodhi në fshatin Valare, rreth 2 km në lindje të qytetit të Gjirokastrës. Halil Roshi është autori i vrasjes së gruas të tij Donika, i arrestuar vetëm në orët e pasdites së djeshme. Sipas fqinjëve të familjes, shpeshherë ai e vinte në dijeni gruan mos të qëndronte shumë jashtë "sepse brenda shtëpisë gratë kanë hijen e tyre", citohet të jetë shprehur dhjetëra herë autori i krimit familjar. Ngjarja ka ndodhur në orët e mesnatës duke u gdhirë e premtja, në dhomën e gjumit ku flinte çifti. Debatet e ashpra mes çiftit, sipas dëshmitarëve, kanë marrë dhenë qysh në orët e mbrëmjes së një dite më parë kur me zë të lartë Halili i ishte drejtuar dhjetëra herë të shoqes, që të mos dilte nga shtëpia pa lejen e tij. Në sherrin e lindur para aktit të krimit kanë marrë pjesë edhe dy fëmijët, që banojnë aktualisht në fshat pasi dy fëmijët e tjerë, 20 dhe 24 vjeç, djalë e vajzë, studiojnë në Tiranë. Pothuajse i njëjti fjalor është përdorur nga çifti konfliktual, deri në momentin e goditjes fatale në kokën e viktimës, Donika Roshi. Halili ka arritur në një moment, kur gjithçka i ishte errësuar para syve të vet dhe ka goditur tre herë në kokë të shoqen. Një daltë e ndryshkur me diametër ende të paidentifikuar nga policia, ka qenë arma e krimit në familje, i cili tronditi opinionin e fshatit Valare. Menjëherë pasi ka parë që gruaja ndërroi jetë, 53-vjeçari i ka telefonuar të vëllait në Tiranë, që të njoftonte fëmijët se nëna e tyre vdiq. Më pas është larguar në drejtim të paditur. Fëmijët që ndodheshin në pjesën tjetër të shtëpisë e kanë mësuar fatin tragjik të nënës nga telefonata e xhaxhait. Me telefonin celular në dorë kanë shkuar në dhomën e gjumit të prindërve, ku panë dhe skenën makabre, pasojë e sherrit që zgjati disa orë mes prindërve të tyre. Ata kërkuan ndihmën e fqinjëve të tyre, për të lajmëruar policinë. Specialistët e Krimeve të Rënda dhe grupi hetimor kanë konstatuar në vendngjarje se krimi është kryer me një mjet të fortë metalik, por i pamundur për t'u identifikuar pasi ishte marrë me vete nga vrasësi. Menjëherë forca të shumta të policisë së qarkut rrethuan zonën dhe filluan me nxitim krehjen e hapësirës rurale me një diametër 2 km katror për të bërë të mundur kapjen e autorit duke ngritur madje edhe postblloqe në akset primare dhe sekondare. Fëmijët e çiftit mjaft të shokuar nga ajo çfarë kishin parë, pasi janë marrë në pyetje nga policia, deklaruan se shkaku ka qenë xhelozia e të atit karshi gruas. Ndonëse jo me urrejtje për babanë, fëmijët me lot në sy herë pas here shprehnin qëndrime dhembshurie edhe për të të, duke e karakterizuar si njeri që e donin, por që nuk i takonte t'i merrte jetën nënës së tyre. "Prej kohësh prindërit tanë grindeshin, por kurrsesi nuk na shkonte ndër mendje të përfundonte në këtë mënyrë jeta e nënës sonë", u shprehën dy djemtë e çiftit Roshi. Nëna e tyre, Donika, ishte e papunë, rriste një lopë dhe merrej me punët e shtëpisë, ndërsa Halili, punonte si hekurkthyes në firmën që merret me ndërtimin e autostradës Gjirokastër-Tepelenë. Edhe komshinjtë e familjes Roshi janë pyetur për ngjarjen e djeshme, por që të gjithë ata kanë shprehur qëndrime të rezervuara për autorin e krimit ndërsa për viktimën, për ta ishte një amvisë, grua besnike dhe nënë shembullore, duke hedhur poshtë hamendësitë e lindura nga i shoqi për imoralitet ndaj viktimës.

Fqinjët: Gruaja ishte shembullore

Ngjarja e djeshme nuk ka kaluar lehtë edhe për opinionin e fshatit Valare ku ndodhi krimi. Komshinjtë e familjes Roshi, kanë qenë ata që janë befasuar nga ajo çfarë panë e dëgjuan. Njëri prej tyre Ismet Lalaj 64 vjeç, shprehet për gazetën "Panorama" se çifti prej kohësh ndeshej me zënkat që sipas tij, kanë qenë të përditshme. "Mjaft herë, - thotë Ismeti, - kam dëgjuar debatet e Halilit me Donikën dhe më së shumti kanë qenë debate kryesisht familjare, pasi në çdo shtëpi konflikte të natyrave të ndryshme ekzistojnë. Në mjaft raste i jam drejtuar Halilit se përse zihesh me fëmijët, duke iu shmangur kështu qëllimisht se zënkat kanë qenë më të shoqen, por ai ma kthente se fëmijët janë të prapë". Megjithatë sipas tij, Halili ishte një burrë i mirë, familjar dhe një komshi i kudogjendur. Të njëjtat konsiderata komshiu i familjes Roshi, shpreh edhe për viktimën. "Ajo ishte një grua e mirë që nuk i dëgjohej zëri, por pamja e saj xhelozonte pa masë të shoqin, të cilit i dukej sikur e ngacmonin njerëzit në fshat. Të them të drejtën Donika ka qenë një grua shembullore që nuk i ndihej zëri, dilte në mëngjes, milte lopën e pastaj ia jepte një gruaje për të shitur qumështin në Gjirokastër".

Autori, në pranga pas kurthit

Pas 12 orësh kërkimesh, sektori i Krimit të Organizuar në Policinë e Gjirokastrës me në krye shefin e tij kryekomisar Afuz Basha, kanë bërë të mundur kapjen e autorit të vrasjes Halil Roshi. Ky i fundit u arratis mëngjesin e djeshëm, duke marrë me vete edhe mjetin me të cilin kishte qëlluar për vdekje të shoqen. Një çoban është inkuadruar në zbulimin e vendndodhjes së kriminelit. Ai ka njoftuar policinë, e cila përdori metodat e zbulimit inteligjent, duke mos pasur shumë lëvizje të trupave policore në zonë. Dy prej policëve, u lidhën me telefon me të, duke u hequr si tepelenas që mund t'i siguronin atij vendstrehim në zonën e tyre. Menjëherë Roshi ra në grackën e policisë, duke dekonspiruar vendndodhjen e tij. Tunelet në ish-repartin ushtarak në fshatin "Arshi Lengo", 2 km në juglindje të vendit të krimit, ishin vendstrehimet e autorit për 12 orë rresht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›