Në një tjetër planet
Përkundër asaj që thotë partneri socialist i qeverisë, Evangelos Venizelos, plani për kufizimin e vendeve të punës nuk pati asnjë shans që të dështojë. Më saktë, sikundër edhe ligji në reformën universitare, ai nuk u vendos kurrë në funksionim. Skema për kufizimin e vendeve të punës ishte, në fakt, asgjë më shumë se një program pensionimi i parakohshëm. Ne vend që të peshojnë me kujdes detyrimet e veta financiare dhe të mbyllin organizatat e panevojshme, zyrtarët zgjodhën të spastrojnë sektorin publik dhe të pushojnë stafin në mënyrë horizontale. Plani për kufizimin e vendeve të punës, i prezantuar rishtazi në vitin 2011, nuk kishte kuptim dhe pikë. Ai ishte projektuar për t’ju shërbyer qëllimeve politike. Në vend që të rregullonin aparatin shtetëror, politikanët zgjodhën të mbronin punonjësit. Në vend që të hiqnin qafe departamentet e padobishme, ata kërkuan të shkurtojnë vende pune. Por largimet nga puna nuk u bënë në përputhje me eksperiencën apo aftësinë e personave, por me datëlindjen e tyre. Në këtë mënyrë, sistemi ynë politik tregoi edhe një herë tjetër se sa kundra-produktiv është. Në vend që të projektonin një shtet të shfrytëzueshëm, sistemi ynë politik përpiqet të riprodhojë atë që tashmë ekziston. Kur një departament është kundër-produktiv në sektorin privat, ai mbyllet dhe personeli pushohet. Kjo shpjegon se pse kompanitë e transportit nuk kanë më nevojë për njerëz që të drejtojnë karrocat e tërhequra nga kuajt. Politikanët i trajtojnë punonjësit e shtetit si lopë të shenjta. Politikanët kujdesën për ta madje edhe nëse kjo nënkupton shpenzimin e parave të të papunëve të sektorit privat, të cilët përballen me përfitime të vogla për një periudhë të kufizuar. Por për të mbështetur “lopët e shenjta”, ju duhet të mbështesni edhe organizatat që i punësojnë këta punëtorë. Në këtë mënyrë, ne vazhdojmë të lexojmë raporte që tregojnë për gjykata të paqëta, të cilat me zor lëshojnë një vendim që gjithsesi do të shfuqizohet; se Panairi i Selanikut do të shkrihet me Helezpon; se ndërmarrjet komunale që u mbyllën për shkak të planit të reformës administrative Kallikratis tashmë janë hapur megjithëse nën emra të ndryshëm; se numri i institucioneve të arsimit të lartë në Greqi do të reduktohet kur 14 nga 28 kolegjet teknike që u mbyllën vitin e kaluar, pritet të rihapen. Asnjë nuk dëshiron të bëjë shkurtime. Çdokush ka një justifikim të mirë (social, ekonomik, madje edhe kulturor) për ta mbajtur të pandryshueshme gjendjen. Madje edhe skema e kufizimit të vendeve të punës (kjo është e drejta e të punësuarve në shtet, të mos bëjnë asgjë dhe të paguhen) konsiderohet si gjë e dështuar nga politikanët tanë. Ata janë të pavëmendshëm ndaj faktit se punonjësit e sektorit privat nuk kanë lukse të tilla kur rreken të rindërtojnë jetët e tyre. Në sytë e politikanëve tanë, sektori privat ndodhet në një tjetër planet. Mendoj se kjo vjen ngase ata nuk mund të bëjnë atë që duan atje.