E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mos harroni se historia mund të përsëritet!

26-05-2012 / Nga Eden Babani

Në 28-vjetorin e revoltës së Qafë-Barit

Tubimi në Qafë-Bar ishte pelegrinazh i vërtetë i ish të përndjekurve politikë, në kujtim revoltës së 22 majit 1984, e cila njihet tashmë me emrin “Revolta e Qafë-Barit”. Një autobus i vënë në dispozicion nga Ministria e Mbrojtjes, si dhe një numër veturash të personave të veçantë u nisën prej Tirane në orën 6 të mëngjesit, nën një shi të furishëm që dukej se nuk do të pushonte gjithë ditën.
Padashur, më ngjan sikur po përjetoj transferimet e njëpasnjëshme prej njërit kamp, në tjetrin, - thotë Sherif Merdani, ish-i burgosur politik në Qafë-Bar, ndërsa mbrohet nën çadrën e vet, përpara se të hyjmë në autobus. “E çuditshme! - shton ai. - Sa herë më dilte emri në lista transferimesh të tilla, mbaj mend se ditët kanë qenë të vrenjtura e me shi. Thua rastësia ta ketë shpuar qiellin sot, bash në përvjetorin e Revoltës, që ne, të ndrydhurit e burgjeve komuniste, të përjetojmë këtë pelegrinazh me gjithë fuqinë e shpirtit?
Ndërkohë, pelegrinët mblidhen një nga një, ndonëse qielli rrjedh. Ata i bashkon përndjekja politike, dashuria për liri e demokraci. Dikush, ish i dënuar në atë burg të tmerrshëm të komunizmit, ka ardhur që të përkujtojë ditët e dhimbjes. Dikush, në këmbë të një të afërmi që humbi jetën gjatë revoltës, ose më pas. Të tjerë, thjesht si bashkëvuajtës. Që të gjithë, për të shkundur pluhurin e harresës të së kaluarës së dhimbshme dhe për të nderuar kujtimin e shokëve që nuk jetojnë më. E kaluara s’duhet harruar. Poeti Visar Zhiti, të cilit Qafë-Bari ia ndrydhi  vargjet e ia rrënoi ëndrrat, ka marrë me vete djalin. Simon Miraka, gjithashtu. Logjika e së ardhmes: gjyshërit dhe baballarët e përjetuan vetë absurdin e kohës komuniste; më të rinjtë, bijtë dhe bijat, nipërit dhe mbesat, t’i shkruajnë në kujtesë tmerret e terrorit komunist, pse jo, edhe në libra. Sepse historia nuk shkruhet në një ditë dhe nga e njëjta dorë. Ajo qëmtohet pak e nga pak, kudo, falë përkujtimoreve të tilla.
Rrebeshi e përcolli autobusin deri përtej Fushë-Krujës, kurse pa kaluar Laçin, do rreze dielli të ndrojtura ranë mbi xhamat e autobusit. Zoti deshi ta çante qiellin ca nga ca, që mos t’ia nxiste më tej kujtimin e drithërimave të hershme këngëtarit të njohur, tashmë flokëthinjur, të cilin diktatura e burgosi sepse dashuronte këngën dhe se përmes saj përjetonte lirinë. Pas një pushimi të shkurtër në Pukë, ramë në Fushë-Arës. Sipas paralajmërimit të policisë së kontrollit rrugor, autobusi nuk mund udhëtonte në drejtim të Qafë-Barit, për shkak të rrugës së keqe, të lënë pas dore. Më tej, udhëtimi do të vazhdonte me mikrobusë.
* * *
Cilindo që rasti e ka çuar në ato gryka të thella, do ta ketë tronditur ajo çka donte me thënë të udhëtoje këtu e tridhjetë vjet përpara me automjetet e quajtura “auto-burg”, të cilat Gëzim Çela, antikomunisti që u dënua tri herë dhe përballoi mbi 20 vjet burgje të diktaturës, i ka quajtur “makina të mishit”. Po nënat, po gratë, po bijat e të dënuarve! – fshan bri meje Sekretarja e Shoqatës, Lili Ndoci. Sakrifica të panumërta kanë bërë ato, hipur mbi kamionë ngarkuar me mineral, pa hotele e restorante, pa një strehëzë ku të fusnin kokën, në shi e në të ftohtë, në borë e në akull, me qëllim që të shiheshin një herë me njerëzit e dashur, t’u shpinin atyre diçka për të mbajtur frymën gjallë. M’u kujtua tregimi i Gëzimit “Klithma e një nëne”. Atë ditë e përjetova thellë frymëzimin e shokut tim të klasës, vlerën e tregimit të tij, ndonëse ka ende njerëz që s’duan të lexojnë, që s’duan të kuptojnë...
Do të duhej një mendje tejet djallëzore që të gjente atë vend të vetmuar me emrin Qafë-Bar, ku të vendosej kampi i të burgosurve, ndonëse malet përreth, deri në Munellë e më tej, janë të pasur me pirit. Kampi-burg do të ngulej atje ku malet mbyllen në formën e një amfiteatri, larg botës, qoftë edhe asaj “socialiste” që lëngonte pa pra qysh prej nëntorit të ’44-s, larg syve të njeriut, qoftë edhe atij socialist, “vepër e partisë”. Antinjeriu e kishte zgjedhur atë vend të fshehur ndoshta edhe prej syve të Zotit lart në qiell, paçka se do të bëhej një ditë dëshmi e qëndresës njerëzore për liri e demokraci, do të bëhej njëherësh edhe varri simbolik i Sokol Zef Sokolit, i Sandër Sokolit, i Tom Ndojës. Sepse varrin e vërtetë, trimave ua mohoi përjetësisht diktatura, kurse sot e gjithë ditën, për ironi të fatit, atyre u rëndon ende akuza për terrorizëm. Është e njëjta mendje djallëzore, që ideoi Qafë-Barin, Spaçin, burgun e Burrelit, Maliqin, Vlashukun, Bedenin, Urën Vajgurore etj., etj. E njëjta mendje djallëzore, që mbijetoi falë djallëzisë dhe urrejtjes për jetën, për njeriun. Është po ajo që u rëndon shpirtrave të tyre edhe pas vdekjes. Kur do të vijë koha që shoqëria jonë e lirë të shkarkojë engjëjt e lirisë dhe të demokracisë nga akuza të sajuara për terrorizëm? S’duhet harruar se liria dhe demokracia, pas gjysmë shekulli diktature,  e kanë rinisur rrugën e tyre bash në Spaç, bash në Qafë-Bar, ku terroristët e vërtetë mbytën jetë të pafajshme.
“Revolta u provokua nga banditët e veshur me pushtet, - tha në fjalën e tij Simon Miraka, Drejtori i Institutit të Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë, - por ajo u përfaqësua dhe do përfaqësohet si një ngjarje që s’do të harrohet kurrë në historinë e këtij vendi për nga gjurmët që la në memorien tonë. Ajo është një thirrje që do të ushtojë gjithmonë në ndërgjegjen e kombit për një Shqipëri të lirë dhe demokratike. Ne gjithmonë do të vijmë në ketë vend, duke u ndjerë krenarë për veprën tuaj të madhe. Ta duash lirinë do të thotë të luftosh për të. Ta urresh robërinë gjithmonë duhet guxim e burrëri. Ju, vëllezërit tanë të paharruar, i patët këto cilësi kaq të vyera...”
Krimet e komunizmit, ndonëse duken sheshit, ndonëse i hasim në çdo hap që hedhim, duhen ndëshkuar edhe në planin ligjor, edhe në atë moral. Ato i kishim të pranishme bash në autobusin tonë, me krahun e paralizuar të Kostandin Gjordenit nga një plumb gjatë revoltës, ose me fotot e atyre që nuk jetojnë më. Në këtë drejtim, ne, shqiptarët, jemi shumë të vonuar, ndonëse ish të përndjekurit politikë i kanë hedhur me kohë hapat e kërkuar dhe vazhdojnë t’i hedhin me nisma të tilla si pelegrinazhi në Qafë-Bar, pavarësisht mungesës së vullnetit politik nga ana e së majtës ekstreme, pasardhëse e ish Partisë së Punës, ku mbijetojnë ende bijtë e nomenklaturës së lartë komuniste dhe mbeturina të ish sigurimit të shtetit.
Ndërtesat e burgut të tmerrshëm, njëherësh edhe kamp i punës së detyruar, themeluar më 1983, qëndrojnë ende në këmbë, ndonëse të rrënuara. Ato duket se presin ditën që t’i shndërrojmë në muze, sikurse gjermanët, austriakët, polakët etj. i kanë shndërruar kampet naziste të përqendrimit. Ndërsa përshëndeti të pranishmit, një ndër ish-të burgosurit e Qafë-Barit i ftoi studiot tona televizive që Nexhmie Hoxhën ose të ftuarit e tyre opinionistë që mbështesin të venë e diktatorit, të gjejnë mënyrën t’i regjistrojnë në Spaç ose në Qafë-Bar. Më shumë sesa përrallat ndjellakeqe të kinse opinionistëve, atje flasin ende fjetoret e të burgosurve me ndonjë palë tuta bojëkafe hedhur përdhe, me ndonjë tek çizmeje mbetur aty-këtu nëpër shkallë ose ndonjë dyshek me lecka. Më shumë se kinse analizat e tyre, atje flasin gojët e hapura të galerive që duket sikur vjellin pa pra mbeturinat e dherave të varfëruara nga minerali i piritit. Ata që kanë sy, le të shkojnë në Qafë-Bar të shohin sesi njeriu i vërtetë diti të mbijetojë në atë ferr, madje, diti të shprehë edhe ndjenjën e së bukurës, që nuk iu nda për asnjë çast. Visar Zhiti i ftoi të pranishmit të shihnin shkallët e jashtme të mjedisit të kampit ose një mur përballë, i cili duket se i mbronte shkallët nga gërryerjet e vepruesve atmosferikë. Ndonëse të dëmtuara dhe të mbuluara me bimësi të egër, ato dukeshin të projektuara dhe të ndërtuara nga duar mjeshtri. Kishin dalë prej mendjes dhe prej mundit të Hajredin (Dine) Fratarit, ish i burgosur dhe pjesëmarrës në revoltë, sot ndërtues i përkushtuar, që dijet prej inxhinieri dhe dashurinë e tij për të bukurën, po i vë përditë e më tepër në dobi të bashkëqytetarëve.
* * * 
Po sjell, më në fund, disa fragmente të një letre të cilën Lek Miraka e kishte dërguar nga SHBA dhe me të cilën përshëndeste bashkëvuajtësit e vet. “Edhe unë jam aty” e kishte titulluar Leka letrën, të cilën e lexoi Dine Fratari. “Sot në përkujtim të 28-vjetorit të asaj ngjarjeje të madhërishme kundër regjimit komunist, që njihet si “Revolta e Qafë-Barit”..., një numër bashkëvuajtësish, janë mbledhur për t’i thënë shoqërisë shqiptare se diçka e tmerrshme dhe madhështore ndodhi brenda atij burgu të tmerrshëm. Mësova se do të jetë Haxhiu, Kola, Dini, Mondi, Bedriu e shumë të tjerë që do të më falin se nuk po mundem t’i përmend. Do jetë edhe Dalipi, që refuzoi lirimin për të mos u bërë ortak me hienat që projektonin një tmerr shumë më të tmerrshëm se ai qe u përjetua...
Sot bashkëvuajtësit e mi do të bëjnë apelin ku do të mungojnë shumë shokë. Do të mungojë Sokol trimi, babaxhan e i ndershëm. Do të mungojë Tom trimi, që i bëri gardianët e burgut të takojnë thembrat e këmbeve me prapanicat e trashura, të  asaj qenieje që mund të thirret me çdo emër, por jo njeri e shqiptar. Shokët e mi dhe unë do të donim të dinim, a thua vallë ata qe u nxorën sytë heronjve, studentët që punuan me sytë e tyre të shkulur me urdhër te kriminelëve mafiozë, a panë tmerrin që i panë sytë Sokolit e Tomës ne birucat e sigurimit? Ju studentë, ju mjekë që ndoshta pa vullnetin tuaj u bëtë ortakë në atë monstrouzitet, pse heshtni, pse nuk tregoni çfarë patë në  retinën e syve të atyre djemve që patën vetëm një faj: deshën lirinë më shumë se dritën e syve të tyre?
...Nuk do jetë sot mes jush Sandri i ndershëm e naiv qe besonte në komunizëm e komunistët i thyen shtyllën kurrizore. Nuk do të jenë shumë bashkëvuajtës që sot nuk jetojnë më. Po unë, Bardhi, Dineja, Naimi, Bardhyli, Gaspri e të gjithë ata që i mbijetuan shfarosjes, do të jemi aty me ju, për t’u thënë shqiptarëve e gjithë botës Mos harroni se historia mund të përsëritet!... Jemi jo që të flasim duke heshtur, por që të ulërijmë se na harruat ne, që meritojmë respekt dhe vëmendje më shumë...  Jemi aty për të bërtitur se askush nuk ka të drejtë të na përdorë si certifikatë mirësjelljeje për të mbuluar indiferencën e shumë herë përbuzjen e atyre që janë përgjegjës për krimet e kryera kundër njerëzimit. Jemi aty për t’i transmetuar brezit të ri të vërtetën, se atë ditë Shqipëria bëri histori, histori “prej të vërteti” do të thoshte bashkëvuajtës ynë i talentuari Visar. Jemi aty për t’i thënë e për t’i lëne brezit të ri dëshminë se heronjtë e vërtete të popullit tonë nuk janë ata që media e papërgjegjshme e disa here kriminale jua paraqet si të tillë, po janë ata që bënë revoltën e Spaçit e të Qafë-Barit. Ne jemi sot aty për t’u lëne amanet nipërve e stërnipërve, dëshminë se ne e fituam sfidën ndaj krimit, se ne mbijetuam vetëm “për me tregue...”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›