E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koalicioni qeverisës, dakordësi për procesin e zgjedhjes së presidentit

26-05-2012 / Gazeta 55

Konsultimet e ditës së djeshme të shefit të mazhorancës, Sali Berisha, me krerët e partive aleate, Ilir Meta, Fatmir Mediu e Shpëtim Idrizi, kanë prodhuar konfirmimin politik të qëndrueshmërisë së aleancës PD-LSI, e cila do të respektohet deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Zgjedhja e presidentit do të synohet që në raundin e parë të votimit, përmes prezantimit të një kandidature nga mazhoranca që gëzon një mbështetje të gjerë publike
Kryeministri Berisha: “Konsultimet e sotme, takimet më serioze që janë zhvilluar ndonjëherë, para zgjedhjes së presidentit të ri”

Partia Demokratike nisi dje negociatat me aleatët qeverisës, për zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës. Kryetari i PD dhe njëherazi kryeministri i vendit, Sali Berisha i mandatuar dy ditë më parë nga kryesia e demokratëve, për nisjen e konsultimeve,
Zhvilloi mesditën e djeshme takime me kryetarin e LSI-së, Ilir Meta, atë të PR-së, Fatmir Mediu si dhe kryetarin e PDIU, Shpëtim Idrizi.
Pas takimit të zhvilluar me liderin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, kreu i mazhorancës Berisha tha se nga ky proces konsultimesh synohet një proces civil, të qytetëruar, të përgjegjshëm dhe kushtetues.
“Ishte një takim me përputhshmëri të plotë mendimesh me udhëheqjen politike të Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), që është aleati kryesor i PD-së dhe koalicionit të saj. U ra plotësisht dakord që të bëhet çdo përpjekje, në mënyrë që Presidenti i Republikës të zgjidhet me konsensusin më të gjerë të mundshëm. U shpreh besimi se kjo është një mundësi reale dhe u ra dakord që të vazhdojmë takime intensive të vazhdueshme për të bërë sa më shpejtë të jetë e mundur vendin me kryetarin e shtetit, të merituar. Jua them me qartësinë më të madhe se vullneti i kësaj mazhorance do të jetë që, që në raundin e parë të ketë kandidatë seriozë, dinjitozë, kandidat i cili mund të nderojë vendin në detyrën e tij”, u shpreh Berisha.
Njëkohësisht, kreu i mazhorancës bëri me dije se në vijim të këtyre takimeve do të zhvillojë një bisedë të posaçme me kreun e PS-së si dhe me atë të PBDNJ-së. Ndërsa sa u takon takimeve të tjera po në këtë kuadër, Kryeministri Berisha ftoi Ramën që të mandatojë dy bashkëpunëtorë të tij që të negociojnë me përfaqësuesit demokrat, sa i takon procesit për zgjedhjen e presidentit.
“Unë do të vazhdoj negociatat. Më vonë, unë do të takoj dy aleatët e tjerë të mitë dhe më tej, do të zhvillohen takime me Partinë Socialiste dhe me Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Me PS-në, siç kam theksuar, takimet do jenë në parlament. E ftoj zotin Rama të tregojë besim te bashkëpunëtorët e tij dhe të mandatojë edhe ai dy  bashkëpunëtorë në këtë drejtim. Unë kam mandatuar dhe kam ngarkuar Astrit Patozin dhe Edmond Spahon në bisedimet me PS-në. Edhe me PBDNJ-në dhe Vangjel Dulen do të bëjmë takime gjithashtu”, tha kryeministri Berisha.
Kreu i mazhorancës vijoi takimet dje pasdite me kryetarin e Partisë Republikane dhe atë të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet.
Pas takimit, kreu i republikanëve Fatmir Mediu vlerësoi qëllimin e negociatave të kryeministrit dhe theksoi rëndësinë që presidenti i ri të zgjidhet në mënyrë kushtetuese. Sipas Mediut, gjatë takimit u ra dakord për një proces serioz dhe transparent. Po ashtu, si Berisha ashtu dhe Idrizi është i mendimit që presidenti i ardhshëm të zgjidhet mundësisht që në raundin e parë. Idrizi shtoi gjithashtu se presidenti i ri duhet të mbështesë çështjen çame. “Është absurde që ne të paragjykojmë palët. Të dyja partitë e mëdha kanë personazhe dhe nuk përjashtojmë asnjë kandidat. është e rëndësishme qe ne ti japim shqiptarëve një president konsensual, mundësisht që në raundi e parë”, deklaroi Idrizi në përfundim të takimit.
Ndërkaq, kreu i qeverisë paralajmëroi që bisedimet ditën e hënë do të vazhdojnë me etapa të reja. Në këto takime Berisha shoqërohej nga kreu i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi dhe deputeti Edmond Spaho.

Në përfundim të takimeve me përfaqësuesit politikë të LSI-së, PR-së dhe PDIU-së, Kryeministri Sali Berisha, ju përgjigj edhe interesimit të mediave

Sa serioz është procesi kur nuk takoheni me Edi Ramën?
Me Edi Ramën pa u takuar fare kemi ndërmarrë reformat më të thella në historinë e vendit dhe kjo nuk është show, por është thelbi ai që ka rëndësi për mua. Uroj që të jetë kështu dhe për Ramën. Kur ne kemi realizuar ndryshimet më të thella kushtetuese ne nuk bëmë një takim që  tu deklaronim gazetarëve se ja se çfarë mund  të bëjmë ne, por ne ja lamë fjalën veprave  dhe unë uroj që kjo trashëgimi të vazhdojë. Nuk ekziston asnjë lloj problemi përveçse asaj që të ecim me rezultate konkrete dhe unë them se rruga është të shtruar. Ju e shikoni se të gjitha ndryshimet e reformës zgjedhore janë bërë pa ndonjë takim, por janë bërë me autorizim. Edi Rama ka autorizuar zyrtarët e tij dhe unë kam autorizuar zyrtarët e Partisë Demokratike. Nuk mendoj se duhet të merremi me format por me thelbin. Thelbi është i tillë, qëndrimi është i sinqertë.

Ndërkohë Edi Rama në Twitter ka thënë që takimet tuaja janë teatër...?
Ajo që mund t’u them shqiptarëve është se këto takime janë ndër më seriozet që janë zhvilluar gjatë 3 viteve të fundit dhe mund ti them, po shqiptarëve, se dhe takimi  i zyrtarëve të Partisë Demokratike me zyrtarët e Partisë Socialiste, në predispozitën tonë do të jetë, një takim ndër më seriozët.

Nëse konsensusi çedon në 3 raundet e para do kemi një zgjidhje si në 2007 në raundin e katërt?
Unë gjykoj se nuk ka arsye që të çedojë konsensusi, unë gjykoj që nuk ka, shkak të predominojë  mosbesimi ndaj besimit. Unë gjykoj se duhet të predominojë serioziteti  dhe përkushtimi ynë, për ti dhënë vendit një President me mbështetjen më të gjerë. Ne si mazhorancë kemi vullnet të plotë për këtë.

Si e shikoni rrugën me LSI-në? Rrugë të shtruar, asfalt, nga këto investimet e fundit elektorale, apo rrugë me gropa?
Ajo çka duhet të them për këtë gjë, është se sot ishte një konfirmim i plotë i vlerësimeve maksimale të të dy palëve për koalicionin e firmosur në vitin 2009 dhe qëndrueshmërinë e tij në përputhje me marrëveshjen. Lidhur me asfaltin që ju thatë, nuk ka asgjë elektorale ka vetëm ndjenja thellësisht njerëzore dhe përgjegjësie të lartë që  disa qytetarë shqiptarë të mos ecin në bulevarde dhe të tjerët në rruga me gropa që ja u nxjerrin shpirtin nga lodhja. Prapë do ketë,  por dhe ne po shtrojmë në të katërt anët e vendit mijëra kilometra asfalt dhe e vërteta është  se  në vitin e parë të mandatit që vjen, Shqipëria i ka të gjitha mundësitë të jetë tërësisht e asfaltuar.

Kreu i LSI-së Ilir Meta

“Besojmë se zgjedhja e Presidentit do të ndihmojë procesin e integrimit”

Aleati i Partisë Demokratike në qeverisje, kreu i LSI-së, Ilir Meta në një prononcim për mediat pas përfundimit të takimit me kryeministrin Berisha, vlerësoi si mjaft të rëndësishëm zhvillimin e një procesi konsensual dhe të gjithë pranuar. “Kemi nënvizuar rëndësinë që zgjedhja e presidentit është një moment kulmor i një procesi që ndihmon vendin, reformat, të cilat janë të rëndësishme për integrimin. Në këtë drejtim në shprehëm gatishmërinë për një proces kushtetues, konsensual, si dhe të bëhen përpjekjet që zgjedhja e kreut të ri të shtetit të bëhet që në seancën e parë. Nuk kemi biseduar për emra konkret, por lidhur me procesin. Njëkohësisht nuk paragjykojmë se nga cila anë vijnë emrat, por kërkojmë që procesi i zgjedhjes të jetë konsensual, kushtetues dhe gjithëpërfshirës”, vlerësoi Meta, gjatë deklarimit të tij pas takimit, për gazetarët.
Ai tha se nuk është diskutuar për emra konkretë, por mbizotëron fryma për një proces gjithëpërfshirës. “Nuk kemi biseduar për emra konkretë. Kemi biseduar për rëndësinë e procesit që ai të jetë sa më gjithëpërfshirës dhe jo vetëm kaq por të jetë edhe sa më i sinqertë dhe rezultativ. Në këtë drejtim mendoj se vullneti i duhur për ta kristalizuar dhe përmbyllur këtë proces do të ishte pikërisht që mund të sjellë një dhe disa emra të pranueshëm më gjerë se sa mazhoranca aktuale në Parlament. Për ne nuk është e rëndësishme të paragjykojmë se nga nuk duhet të vijnë emrat. Për ne është e rëndësishme të jetë i sinqertë vullneti për të pasur një President të mbështetur nga nja mazhorancë më e gjerë se sa mazhoranca qeveritare”, tha kreu i LSI-së, Ilir Meta.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›