E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Dorëzo para drejtësisë përgjegjësit e tragjedisë"

Shoqata e Familjarëve të Viktimave të Gërdecit ka protestuar dje pasdite përballë Parlamentit të Shqipërisë, disa minuta para se të hapej seanca plenare, duke i bërë thirrje Kryeministrit Sali Berisha që të "dorëzojë" para drejtësisë përgjegjësit e tragjedisë së 15 marsit, ku humbën jetën 26 persona. "Po ju drejtohemi me këtë kërkesë të paprecedentë, ashtu siç edhe ishte e paprecedent ajo që ndodhi në Gërdec më 15 mars 2008 dhe po aq e paprecedent ishte edhe ajo që ndodhi në Gjykatën e Lartë, kur kjo e fundit konstatoi se vullneti juaj i pashprehur rishtazi ishte një mburojë për të akuzuarin kryesor të kësaj tragjedie", fillon letra e familjarëve të Gërdecit. Më tej thuhet se shoqata, në emër të të gjithë familjarëve të viktimave, të plagosurve, të dëmtuarve materialisht dhe në emër të çdo shqiptari kërkon vënien e përgjegjësve përpara drejtësisë. Sipas tyre, tragjedia vazhdon ende dhe ka lënë një mori problemesh. "Vetëvrasja e Kujtim Osmanit është një tjetër pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së vëmendjes së shtetit ndaj viktimave të tragjedisë. Pak muaj më parë ka humbur jetën si pasojë e depresionit dhe përkeqësimit shëndetësor e psikologjik edhe e ndjera Naile Ahmeti, duke e rritur numrin e viktimave në 28", thuhet në peticion, i cili vazhdon se shenjat e para dhe të qarta të distancimit që e lënë pa zgjidhje këtë çështje, kanë filluar të vijnë nga disa institucione. "Nën këtë trysni të pashmangshme, mazhoranca dhe kreu i saj, z. Berisha, ka deklaruar publikisht që do të mbajë qëndrim të njëanshëm lidhur me kuadrin e ri ligjor për imunitetet e deputetëve, si dhe ai është shprehur që do të pranojë pa kushte të gjitha kërkesat që do të vijnë për shqyrtim. Në këto kushte, ju vëmë në dijeni se shoqata jonë ka vënë në lëvizje organet e drejtësisë me anën e të gjithë instrumenteve që njeh ligji dhe së shpejti pranë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë do të mbërrijë kërkesa nga Gjykata e Lartë për të autorizuar procedimin penal të deputetit Fatmir Mediu", vijon peticioni, duke shtuar se Gjykata e Lartë do e kryejë këtë veprim në kuadër të procedimit të kërkesës së të dëmtuarve akuzues për plagosje dhe në një rast të tillë kërkesat për procedim paraqiten nga gjykata dhe jo nga prokuroria, siç dikton edhe vendimi nr. 39, dt. 23.06.2000 i Gjykatës Kushtetuese. "Në këtë situatë, presim nga ana juaj që jo vetëm të dorëzoni pa kushte deputetin e akuzuar përpara drejtësisë, por edhe t‘i çelni rrugën çdo lloj procedimi ndaj këtij personi. Mos harroni se nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme është vënë në dispozicion të Kuvendit një dosje voluminoze që fakton veprimet dhe mosveprimet e kundërligjshme të z. Fatmir Mediu dhe se Kuvendi gjithashtu disponon edhe raportin përkatës që ka rekomanduar heqjen e imunitetit të tij", përfundon mesazhi për kreun e qeverisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›