E Shtunë, 31 Tetor 2026

Familjarët e Remzi Hoxhës: Lirimi i Kumbaros, politik

Familjarët e të ndjerit Remzi Hoxha, i zhdukur në vitin 1995 nga strukturat e SHIK-ut në Shqipëri, akuzojnë Gjykatën e Lartë për "lirimin" e Kumbaros, për të cilin deklarojnë se "ishte personi i fundit që ka parë Remziun". Në një prononcim për gazetën "Shqip", Ardian Hoxha, djali i të zhdukurit, deklaron se vendimi i fundit i drejtësisë shqiptare tregon edhe njëherë se sa e brishtë dhe jo e drejtë është drejtësia dhe politika në Shqipëri. "Krimineli shpërblehet për krimet e bëra. Sidoqoftë, ekzistojnë dëshmi të mjaftueshme për implikimin e Ilir Kumbaros në zhdukjen, torturimin dhe si pasojë vdekjen e babait tim. Si duket, avokatët e ‘të fshehurit‘, gënjeshtarit dhe kriminelit, kanë arritur që ‘përkohësisht‘ ta gjejnë një zbrazëtirë në ligj, të cilën e ka krijuar qeveria ‘Berisha‘ për tua falur krimet e bëra kriminelëve, por mos të mendojë askush se Ilir Kumbaro dhe bashkëpunëtorët e tij do të shpëtojnë e të lirohen nga përgjegjësia", thotë Ardiani. Më pas shton se Kumbaro vetëm se u dëshmoi që e ka pasur të vështirë ta pranojë këtë identitet të vetin që e ka krijuar si kriminel, duke mohuar se është vetvetja dhe pretenduar se është Shaqa Shatri, një njeri i ndershëm nga Kosova, i cili jeton një jetë të qetë. "Sido që të jetë, procesi gjyqësor nuk do të ndalohet dhe do të vazhdojë deri në zbardhjen e plotë të rastit. Ka prova të mjaftueshme që dëshmojnë se Ilir Kumbaro ka qenë personi i fundit ‘që e ka pasur në dorë babanë tim‘, para se t‘i ngelte atij në dorë‘. Pra, për mua personalisht kjo nuk ka ndonjë peshë të veçantë, përveçse na tregon edhe njëherë se në Shqipëri nuk ka drejtësi të mirëfilltë", shton djali i Remzi Hoxhës, duke shtuar se mos t‘i shkojë mendja askujt se do të ndalemi së kërkuari babanë tim, pasi një gjë të tillë do e realizojë anëtari i fundit i familjes sonë.
Ndërkohë, Nexhmedin Hoxha, vëllai i të ndjerit Remzi Hoxha, thotë se politika qeveritare ka direkt gisht ndaj personave që janë të implikuar në krime dhe tani duhen të jenë të lirë. Ai thotë se ne nuk akuzojmë dhe nuk kemi padi ndaj asnjë personi fizik, por familja e tij do një varr, që askush nuk ua ka treguar se ku gjendet. "Të na tregojnë me informata anonime se ku gjendet në Vain të Lezhës saktësisht dhe kjo çështje do kishte mbaruar me kaq", thotë Nexhmedini, duke shtuar se duket qartë se ka qenë një SHIK, i cili ka funksionuar sipas dëshirave personale. "Ne duam t‘i falim fajtorët. Por të jenë të bindur se vetëm një kusht kemi: Duam varrin. Asgjë tjetër", përfundon vëllai i Remzi Hoxhës.

S.Ç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›