E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mos integroni Maqedoninë

BDSH letër SHBA-ve dhe BE-së: Integrimi i Maqedonisë të kushtëzohet me kërkesat e shqiptarëve

Bashkimi Demokratik Shqiptar (BDSH), partneri i ri i koalicionit qeverisës me VMNRO-DPMNE-në e kryeministrit Gruevski, i ka kërkuar Këshillit të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, që të ndërprejnë të gjithë bisedimet për integrimin e Maqedonisë në këto institucione dhe vazhdimin e bisedimeve ta kushtëzojë me plotësimin real të funksionimit mbi normat dhe standardet euroatlantike. Lajmi u publikua dje nga agjencitë shqiptare të lajmeve në Maqedoni, sipas të cilave BDSH-ja u ka dërguar një letër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, ku u kërkon ndalimin e diskriminimit dhe dhunës ndaj shqiptarëve etnikë në Maqedoni. “Autoritetet shtetërore të Maqedonisë kanë aplikuar në vazhdimësi të gjitha format e diskriminimit dhe dhunës ndaj shqiptarëve etnik. Dhuna mori përmasa dramatike gjatë muajit tetor, për të arritur kulminacionin në fillim të muajit nëntor të vitit 2007. Ju rikujtojmë se më 7 nëntor 2007, nën arsyetimin e ndjekjes së “të arratisurve nga burgu i Dubravës”, qytetarët e Malësisë së Tetovës u përballën me një sulm luftarak të aparateve represive shtetërore. Si pasojë e këtij agresion policoro-ushtarak, në fshatin Brodec u vranë dhe u ekzekutuan 6 persona, ndërsa 13 civilë të tjerë u paraburgosën”, thuhet në letrën e BDSH-së. Kjo parti kërkon një distancim të qartë nga politika antishqiptare e koalicioneve të njëpasnjëshme qeveritare në Shkup. “Pa një distancim të qartë nga politika antishqiptare e koalicioneve të njëpasnjëshme qeveritare në Shkup dhe pa një intervenim energjik të demokracive perëndimore për t’i thënë ndal dhunës dhe diskriminimit të shqiptarëve në Maqedoni, autoritetet shtetërore të Maqedonisë do të inkurajohen në vazhdimin e destabilizimit të vendit me rrezik për të destabilizuar tërë Ballkanin”, thuhet më tej në letër. Letra e BDSH-së vjen vetëm tri ditë pas vendimit të Gjykatës së Shkupit, e cila dënoi me 192 vjet heqje lirie të akuzuarit e rastit të Brodecit, duke i ngarkuar me veprën për terrorizëm. Avokatët mbrojtës reaguan ndaj këtij vendimi, duke e vlerësuar si politik dhe në mungesë të fakteve. Aksioni policor në Brodec i ashtuquajtur “Stuhia malore” u zhvillua më 7 nëntor 2007, ku policia në kërkim të një grupi të armatosur vrau Ramadan Shitin, Hisni Ahmetin, Bekim Mehmetin, Ferat Shahinin, Imer Gavazin dhe Fidan Fejzullahun, ndërsa arrestoi 13 të tjerë. Ndërkohë, pikërisht dje në deklaratën e tij të parë publike pas kthimit nga Gjykata e Hagës, e cila e la të lirë ish-ministri i Punëve të Brendshme në Maqedoni, Lube Boshkovski, ku u shpreh se duhen respektuar viktimat e konfliktit të vitit 2001, pa marrë parasysh nëse ata janë shqiptarë apo maqedonas. “Gjatë qëndrimit në Hagë kuptova se ne duhet të arrijmë një pajtim: ta harrojmë konfliktin dhe së bashku të shohim një ardhmëri evropiane”, ka deklaruar Boshkovski. Pas përfundimit të rastit të Lubotenit në Tribunalin e Hagës, në Maqedoni është bërë aktual diskutimi i tri çështjeve që kanë të bëjnë me konfliktin e vitit 2001, të cilat Tribunali i Hagës i ka kthyer në Maqedoni. Eksperti për çështje juridike, Naser Zyberi, është i mendimit se këto çështje duhet të mbyllen, pasi për to Tribunali i Hagës nuk ka gjetur argumente për t’i zbardhur. Procedimi i këtyre çështjeve në Maqedoni, me një gjyqësi të pareformuar do të sillte më shumë telashe, se sa drejtësi thotë Naser Zyberi. Sistemi gjyqësor i Maqedonisë duhet t’u nënshtrohet reformave rrënjësore dhe të heqë nga vetja ngarkesën etnike. Për Zyberin, gjykimi i fundit për brodecarët është një gjykim drakonik, jashtëzakonisht i rëndë, i pajustifikueshëm dhe i pambështetur në fakte. Ky proces gjyqësor tregon “se gjykatat në Maqedoni janë të ngarkuara me emocione etnike dhe se gjykojnë në bazë të përkatësisë kombëtare të qytetarëve, e jo në bazë të ligjit dhe veprave të kryera”, thotë eksperti i çështjeve juridike, Naser Zyberi. Reformimi i sistemit gjyqësor në Maqedoni është një ndër kushtet kryesore për caktimin e datës së fillimeve të bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›