E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mban dy orë peng me thikë familjen

Rezart M. pasi doli nga spitali psikiatrik mbrëmjen e së dielës, u kthye në shtëpinë e tij, kur me një armë të ftohtë kërcënonte për vrasjen masive të familjarëve dhe vetëvrasjen e tij

TIRANË – Tri kartela me diagnoza të rënda psikike dhe kurimi prej kohësh në spitalin  psikiatrik nuk e kanë ndaluar aspak Rezart M. që të shkonte për darkë tek familja e tij e për afro dy orë të terrorizonte të afërmit, duke kërcënuar se do t’i vriste ata fillimisht e më pas veten. Burime të besueshme policore i thanë dje “Korrierit”, se rreth orës 22.00 të mbrëmjes së të dielës, 33-vjeçari, i njohur si person me të meta mendore, ka dalë pa asnjë problem nga dhoma ku ishte shtruar dhe është nisur drejt banesës së tij në Kamzë. Pjesëtarët e familjes, të cilët e pandehnin në shtratin e spitalit ku e kishin shtruar, janë habitur tej mase kur kanë parë Rezartin përpara portës së shtëpisë private që gjendet pranë Institutit Bujqësor të Kamzës, tek zona e quajtur “Batalioni i Sigurimit”. Fillimisht është sjellë normalisht, por pasi ka kaluar disa minuta, ka shkuar në kuzhinë dhe ka marrë një thikë. Është rikthyer në vendin ku po qëndronin pjesëtarët e familjes së tij, e ka kërcënuar se do të vriste ata e më pas veten. Pas njoftimit të forcave policore të Komisariatit Nr. 5, policia ka mundur të neutralizojë situatën pas afro dy orësh, fatmirësisht pa asnjë njeri të lënduar. Ndërkohë që paralelisht, forcat policore të Komisariatit Nr. 2 kanë arrestuar oficerin e Gardës së Republikës, Halil Gashin, i cili në kushtet e tronditjes së rëndë psikike ka tentuar të vrasë Adnand Xhepën, ky i fundit aktualisht ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Psikiku

Afër dy orë terror psikologjik kanë përjetuar të afërmit e Rezart M. Pasi ka marrë thikën, ai i ka izoluar të afërmit e tij brenda njërës nga dhomat e shtëpisë, duke i kërcënuar se do t’i vriste e më pas do të vriste veten. Një telefonatë e bërë fshehurazi prej njërit prej tyre i ka shpëtuar mrekullisht, falë ndërhyrjes në kohë të forcave policore. Së bashku me forcat policore të këtij komisariati, në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe specialistë të Seksionit të Krimeve Kundër Jetës. Ndërkohë që sipas burimeve, mësohet se gjatë hetimeve paraprake nga grupi hetimor rezulton se, edhe pse i shtruar në spital, ai prej kohësh mashtronte dhe abuzonte me marrjen e ilaçeve, mungesa e të cilëve e ka bërë të dhunshëm.

Spitali

Ende nuk është i qartë fakti sesi një i sëmurë mendor arrin të dalë aq kollaj nga vendi ku po kurohet. Edhe pse paqëndrueshmëria e tij mendore nuk ka mundur të ndihmojë shumë policinë, nga burime të tjera mësohet se Rezart M. nuk e ka pasur aspak të vështirë ikjen nga spitali. Ndërkohë që kushtet e sigurisë në spitalin psikiatrik të kryeqytetit prej vitesh janë në gjendje skandaloze. Duke iu referuar statistikave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, mësohet se rreth 6 mijë persona vuajnë nga sëmundja e skizofrenisë. Por me gjithë statistikat e larta të personave të diagnostikuar si të sëmurë psikikë, ende numri i atyre që arrijnë të mjekohen dhe të jenë nën vëzhgimin e stafit mjekësor psikiatër është shumë i ulët në raport me nivelin e atyre që përballen realisht me sëmundjet e rënda psikike. Ndërkohë që sipas ligjit të shëndetit mendor, thuhet qartë se dy janë rastet kur një i sëmurë mendor duhet të izolohet. “Ai izolohet kur tenton të vrasë veten dhe kur tenton të vrasë të tjerët”, - thuhet në këtë ligj.

Ishte i tronditur psikisht

Vetëm disa minuta përpara shmangies së një tragjedie të mundshme në Kamzë, një tjetër ngjarje e rëndë është shënuar në Fushën e Aviacionit. 45-vjeçari Haziz Gashi, lindur në Lushnjë dhe banues në Tiranë, oficer pranë Gardës, rreth orës 20:30 të së dielës së kaluar ka tentuar të vrasë me pistoletën e tij të shërbimit e tipit TT, 40-vjeçarin Xhepa. Arrestimi i tij u krye rreth orës 20:30 në rrugën “Artan Lenja”, në afërsi të Fushës së Aviacionit. Oficeri do të gjykohet për veprën penale të “vrasjes së kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike, e mbetur në tentativë”.

Precedenti “Shpëtim Ziza”

Më 23 tetor të vitit të kaluar, 10-vjeçari dibran Bekim Çenga shpallet i zhdukur. Pas katër ditësh kërkime e hetime, gjendet trupit i pajetë i vogëlushit, më 27 tetor. Policia e Peshkopisë vë në pranga Shpëtim Zizën, person me kartelë psikike, i cili ishte me precedentë të shumtë penalë. Ai njihej nga të gjithë si i dhunshëm, pasi nuk mjekohej për sëmundjen e rëndë nervore që kishte. Ziza pati përdhunuar e më pas vrarë me lidhësen e këpucëve vogëlushin Çenga, me të cilin ishin komshinj prej vitesh. Profili i të sëmurit mendor Ziza, tmerroi dhe mbarë opinionin publik, pasi edhe pse ishte ai autori, ndërtoi për policinë një skenë dhe një alibi që t’i çonte hetimet larg tij. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›