E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendi nën kërcënimin e flakëve

Evakuohen me qindra banorë në tre qytete. Në Lushnjë policia arrestoi një punëtor të rrugëve rurale, i cili pranoi se u kishte vënë zjarrin barishteve të thata. Edhe në Fier arrestohet një 58-vjeçar për zjarrvënie. Në Divjakë u rrezikuan 150 banesa, digjen lehtë disa banorë

Mund të thuhet me plot gojën, se Shqipëria u rrezikua dje seriozisht nga zjarret. Në Vlorë, Fier dhe Lushnjë u bënë hi qindra hektarë sipërfaqe, dhjetëra bagëti e banesa u shkrumbuan, por nuk munguan as banorë të lënduar nga flakët. Vetëm në qytezën e Orikumit në Vlorë dhe në fshatin Dukat u shkrumbuan të paktën 12 banesa, ndërsa u rrezikuan mëse 60 të tjera, mes të cilave edhe kabina plazhistësh. Me dhjetëra hektarë sipërfaqe kullotash u përfshinë nga zjarret që dyshohet të jenë vënë qëllimisht, ndërsa forcat zjarrfikëse e kishin thuajse të pamundur ndërhyrjen në kohë, për shkak të terrenit të vështirë malor. Flakët janë favorizuar edhe nga era e fortë dhe shkurret e thata. Mes banorëve të alarmuar maksimalisht, u shënuan 15 raste asfiksimi nga tymi i dendur në Orikum, por fatmirësisht, edhe pse zjarri kishte përmasa të mëdha, asnjë banor nuk ka marrë plagë. Mësohet se përveç banorëve, në ndihmë kundër flakëve erdhën edhe pushuesit, me kova me ujë e mjete të tjera rrethanore, pasi tri zjarrfikëse funksionale u mobilizuan vetëm në vatrat e zjarrit. “Vetëm për 10 minuta zjarri është përhapur gjithandej, duke djegur kullota, shtëpi, stane etj.”, thonë për gazetën banorët e tmerruar. Por, duket se zjarret edhe në qytetin e Lushnjës nuk kanë të ndalur. Zjarri i rënë në fillim të javës në kodrat me ullishte brenda vijës së verdhë të qytetit, është i 9-ti për muajin korrik. Këtë herë, sipas policisë zjarrfikëse, dyshohet se zjarri është vënë qëllimisht nga fëmijët, të cilët e konsiderojnë ndezjen e barishteve nëpër kodra si lojë. Si rezultat i zjarrit është djegur rreth 1.5 ha me ullinj. Ullishta ka qenë pronë e të paktën pesë pronarëve, të cilët në mënyrën më indiferente ruanin nga zjarri vetëm pjesët në pronësi të tyre. Tepër indiferentë kanë qenë edhe banorët e lagjes “Çlirimi”, banesat e të cilëve rrezikoheshin të përfshiheshin nga flakët. Vetëm me ardhjen e policisë zjarrfikëse, pas gjysmë ore nga përhapja e flakëve u bë i mundur lokalizimi i zjarrit. Flakët pushtuan dje edhe fshatin Shënpremte në Divjakë, duke kërcënuar seriozisht 150 banesa. Për orë të tëra banorët përjetuan momente ankthi dhe frike. Para mbërritjes në vendngjarje të zjarrfikëseve, u përdor uji i depozitave dhe i puseve të fshatit, i cili merrej me kova nga policia dhe banorët dhe hidhej mbi vatrat e zjarrit. Në një përpjekje të tillë, mjaft persona u dogjën pjesërisht në trup, pasi zjarri ishte i fuqishëm. Banorët u irrituan me forcat zjarrfikëse, të cilat sipas tyre erdhën me tri orë vonesë nga koha e marrjes së njoftimit. Për herë të parë këtë vit, pas 10 rasteve të rënies së zjarreve, policia arrestoi si autor të zjarrvënies një punëtor të rrugëve rurale, Fiqiret Murrizin, 47 vjeç, banues në Fshatin Shënpremte. Ai e pranoi se u kishte vënë zjarrin barishteve, por me qëllim për të pastruar kanalin. Sipas ligjit, për personat që vënë zjarre të qëllimshme apo edhe pa dashje e rrezikojnë jetën e personave, ata rrezikojnë të dënohen me 7 vjet burgim.

Zjarri përfshin edhe Kuzum Babanë

Dy zjarre të tjera u shënuan mesditën e djeshme në Vlorë, në kodrën e Kuzum Babasë, mbi zonën e spitalit, si edhe një pjesë të rrugës për në fshatin Bestrovë. Nga zjarri që mendohet se është vënë qëllimisht, i favorizuar nga era e fuqishme, janë djegur edhe shumë ullinj. Fatmirësisht, ndërhyrja e zjarrfikëseve ishte e shpejtë, pa rrezikuar banesa.

Shkrumbohen qindra bagëti dhe banesa

FIER - Edhe rrethi i Fierit nuk mundi t’u bënte dot “bisht” zjarreve. Pylli shumëvjeçar me pisha në bregdetin e Darzezës u përfshi nga flakët, ndërsa u shkrumbuan tre stane verore dhe qindra bagëti të imta. Po kështu, zjarri përpiu edhe një hotel që ndodhej në pyll, së bashku me 10 banesa, fatmirësisht pa shënuar viktima. Policia ndërhyri për evakuimin e të paktën 5 mijë banorëve. Për të drejtuar forcat policore në shuarjen e zjarrit, ishte i pranishëm edhe vete drejtori i policisë së qarkut, Arian Bozhaj. Ndërkaq, blutë e Fierit prangosën dje Din Abazajn, 58 vjeç, banues në fshatin Riban të Fierit, pasi dyshohet se është zjarrvënësi në një pyll të Mallakastrës.

A. Prifti

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›