Nepravishta: Në shkurt do të ndryshojmë çmimin e energjisë v

Që prej fillimit të muajit korrik, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes po e blen energjinë e prodhuar në vend me një çmim të ulët. Enti Rregullator i Energjisë ka marrë vendimin për shitjen e energjisë në vlerën 1.6 lekë kilovati që nga 1 korriku deri në 28 shkurt 2009. Shkaku që Enti Rregullator ka marrë këtë vendim, është shkëputja e OSSH-së nga korporata dhe çmimet e larta të energjisë që blihet nga importi. Pra, çmimi i ulët i energjisë që blihet në vend nuk do të lejojë një rritje tjetër të çmimit të energjisë për konsumatorët brenda vitit 2008. Por pas privatizimit situata do të ndryshojë sërish. Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, Bujar Nepravishta, tha për gazetën “Korrieri”, se pas muajit shkurt 2009, çmimi i shitjes së energjisë me shumicë të prodhuar në vend do të ndryshojë. Sakaq, në përcaktimin e vlerës së shitjes së energjisë me shumicë në vlerën 1.6 lekë/kilovati, është marrë në konsideratë sasia e lartë e energjisë që Operatori i Sistemit të Shpërndarjes do të importojë. Sipas Entit Rregullator të Energjisë, përgjatë kësaj periudhe do të importohet 2 miliardë kilovatë energji, në një kohë që çmimet e importit kanë pësuar rritje. Pra, në këtë situatë, çmimi i ulët i shitjes së prodhuar në vend është një ndihmesë për OSSH-në, në mënyrë që të përballohet furnizimi me energji. Sipas llogaritjeve, diferenca mes çmimit të energjisë që OSSH-ja blen në vend dhe asaj që shet te konsumatorët është në vlera të konsiderueshme, duke krijuar mundësinë financiare për blerjen e energjisë dhe nga importi. Privatizimi i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë (OSSH), i cili parashikohet të përmbyllet në fillim të muajit shtator, do të shënojë fillimin e liberalizuar të tregut të energjisë në vend, ku rol kryesor do të luajë krijimi i operatorit publik të furnizimit me energji. Sipas burimeve të OSSH-së, ndër efektet kryesore pozitive që jep një treg i liberalizuar i energjisë menjëherë pas privatizimit, janë ulja e ndjeshme e humbjeve të energjisë elektrike, rritja e arkëtimeve dhe përmirësim i të gjithë treguesve ekonomikë dhe financiarë të shpërndarjes së energjisë. Në planin e masave për vitet 2008-2010, KESH-i parashikon që në fund të 2010-ës humbjet të arrijnë në 28.7 për qind, nga 34.2 për qind që parashikohet të jenë në fund të 2008-ës. Ndërsa arkëtimet do të rriten në 93.1 për qind në fund të vitit 2010, nga 92 për qind të planifikuar në fund të vitit 2008. Përmirësimi i treguesve kryesorë, siç janë arkëtimet dhe humbjet, pritet të ndikojnë në përmirësimin e furnizimit me energji të konsumatorëve.
Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë tha se çmimi i energjisë që do t’i shitet kompanisë private që do të blejë Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes, do të jetë në varësi të energjisë së prodhuar në vend. “Pas përfundimit të afatit kohor të këtij vendimi, që është data 28 shkurt 2009, do të merret një tjetër vendim për çmimin e shitjes së energjisë me pakicë dhe kjo do të jetë në varësi të energjisë së prodhuar në vend. Në rast se sasia e energjisë do të jetë e lartë dhe çmimi i shitjes do të jetë i tillë, prodhimi do të jetë i ulët dhe çmimi i shitjes do të jetë i tillë”, shpjegon Nepravishta.