E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama terrorist

Karikatura e New Yorker shkakton debate mes lexuesve dhe revistës

Kopertina e revistës së famshme “New Yorker”, ku kandidati demokrat për president të SHBA-ve, Barak Obama shfaqet si një simpatizant i Bin Ladenit, ka shkaktuar polemika në qarqet mediatike amerikane. Në mes të spekulimeve të shumta mbi kandidatin presidencial dhe gruan e tij, Mishelë, revista liberale i përshkruan ata me satirë si terroristë në zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë. Obama është veshur me veshje myslimane, ndërsa bashkëshortja e tij me veshje ushtarake dhe një pushkë AK-47 të hedhur mbi shpatulla. Ndërsa në sfond, edhe pse jo e plotë, dallohet mjaft mirë portreti i kreut të Al Kaedës, Osama Bin Laden, ndërsa flamuri amerikan “përcëllohet” në oxhak. I pyetur për imazhin e publikuar, Obama mblodhi shpatullat, ndërsa zëdhënësit e fushatës së tij nxituan të bëjnë të qartë mosaprovimin e tyre, duke thënë se pjesa më e madhe e lexuesve do ta gjykojnë karikaturën pa shije dhe ofenduese. Deklarata e tyre tregoi se kishin të drejtë. Brenda pak ditësh, dhjetëra lexues thanë se do të heqin dorë nga abonimi i tyre, duke e quajtur karikaturën e Barry Blitt të sëmurë dhe patetike. Por krejt ndryshe mendojnë drejtuesit e revistës. Vetë botuesi i revistës, David Remnick, tha për “Guardian Unlimited”, se imazhi është thjesht pasqyrim i thashethemeve që kanë goditur fushatën e Obamës. Ai beson se lexuesit e revistës janë aq inteligjentë, sa të kuptojnë një shaka. Më së shumti, lexuesit kanë kritikuar faktin se bashkë me karikaturën e titulluar “Politika e frikës” duhej të ishte edhe një dixhiturë që të mos krijonte keqkuptime. Por analistë të shumë argumentojnë se asnjë dixhiturë nuk mund të justifikojë mesazhin që përçon karikatura, se Barak Obama është një terrorist. “Një dixhiturë? E çfarë duhej të thuhej në të? Se revista “New Yorker” do të dëshironte të informonte lexuesit se karikatura e mësipërme presupozohet të jetë gazmore. Ne nuk mendojmë vërtet se Obama është terrorist dhe modeli i flokëve të gruas së tij nuk është i tillë. Dhe në rast se dikush e gjykon antipatriotike, ne kujtojmë lexuesit se vijat dhe yjet e flamurit duhen mbajtur larg nga zjarri”, - thotë Paul Lewis. I vetmi shpjegim për këdo që nuk arrin të kapë shakanë, që botuesi i revistës mundi të jepte ishte pikërisht ky: “Është një kombinim i disa prej imazheve të propaganduara mbi faktin e supozuar të mungesës së patriotizmit që ka senatori i Ilinoisit, ose fakti i “të qenit i butë ndaj terrorizmit”, - tha ai. Por natyrshëm, analistët pyesin nëse imazhi i karikaturës do të forcojë më shumë frikën e masës mbi kandidatin demokrat, sikur të mos mjaftonte ngjyra e lëkurës së tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›