E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mos lëshoni pe burra!

Nuk e di se në ekipin e burrave negociues a ka ndonjë matematikan, që do të mundë t'i bënte llogaritjet matematikore të ofertave maksimale të numrit të komunave. Nuk e di as a ka ndonjë gjeograf. Kjo do të ishte më e rëndësishme, sepse tashmë lufta negociuese nuk është përqendruar në matematikën e ofertave, por në territore etnike të Kosovës.

Mos lëshoni pe burra! Ky është fundi i zgjatjes së perit tuaj politik. Mos e shkelni vijën e kuqe, sepse ajo nuk është pe dhe nuk zgjatet. Tashmë jeni të mbështetur për muri dhe as muri nuk është pe, as vi e kuqe. Muri nuk mund të lëvizë, edhe pse ju lëvizët nga pozicionet fillestare.

Këmbëngulja e palës kosovare në numrin e komunave është kthyer si armë kundër saj. Këtë e tha edhe zv/kryeministri, përkatësisht ministri i Pushtetit Lokal, Lutfi Haziri, i cili vlerësoi se këmbëngulja në numrin e komunave po hakmerret në territor. Kjo do të thotë se tashmë lufta po zhvillohet për territor. Dhe territori i Kosovës është bërë pjesë e negociatave me bashkësinë ndërkombëtare dhe atë serbe, edhe pse është thënë se nuk ka negociata me palën serbe.

Në procesin e decentralizimit, Beogradi pak më herët i nuhati gjerat dhe kërkoi që çështja e reformimit të pushtetit lokal të futej në pakon e negociatave. Kështu edhe bashkësia ndërkombëtare e futi në pakon e standardeve, duke u bërë procesi i dy pakove, me të cilat po ballafaqohet vetë pala kosovare, duke e vënë vetëm përballë dy mureve të palëvizshme.

Në fillim të negociatave pala kosovare doli me një qëndrim "të prerë" për decentralizimin dhe tha se decentralizmi nuk do të jetë pjesë e negociatave, por u bë pjesë e bisedimeve. Kjo është shkelja e parë e fjalëve të burrave. Pastaj, kur e pranoi si pjesë të bisedimeve, tha se ky është një hap drejt pavarësisë. As kjo nuk doli e vërtetë. Pastaj, burrat tanë thanë se qëndrimi i tyre është i përafërt me atë të bashkësisë ndërkombëtare, përkatësisht të Zyrës së Ahtisaarit. As kjo nuk doli e vërtetë. Burrat tanë këmbëngulën edhe në numrin e formimit të komunave të reja me ofertë 3 +1 dhe e pagëzuan si ofertë maksimale. As kjo nuk doli e vërtetë. Pastaj, ndryshuan këtë pagëzim dhe thanë se ofertë maksimale është 5+1. Edhe kjo siç duket nuk është e vërtetë, por na shtyn ta presim rezultatin e matematikës së burrave tanë.
Nuk e di se në ekipin e burrave negociues a ka ndonjë matematikan, që do të mundë t'i bënte llogaritjet matematikore të ofertave maksimale të numrit të komunave. Nuk e di as a ka ndonjë gjeograf. Kjo do të ishte më e rëndësishme, sepse tashmë lufta negociuese nuk është përqendruar në matematikën e ofertave, por në territore etnike të Kosovës.

Të gjitha këto lëshime me ofertën e fundit maksimale, duke i ofruar komunitetit serb kompetenca të shumta në fushën e arsimit, shëndetësisë, ekonomisë e të tjera, burrat tanë kujtoj se nuk do të duhej të lëshonin pe më shumë se kaq.

Pra, mos lëshoni pe burra, sepse nuk keni arsye! E para, rrogat i keni goxha të majme. E dyta, oferta juaj është më shumë se maksimale dhe e treta jeni të mbështetur për muri dhe muri nuk është pe që mund të zgjatet, as vi e kuqe, që mund të kapërcehet. Kështu që, keni kujdes me gjeografinë, sepse negociatat janë zhvendosur nga reforma e pushtetit lokal në luftë për territore...Mos lëshoni pe burra!

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›