E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mos rrezikoni reformat, të vazhdojë konsensusi për 12 rekomandimet e Brukselit

23-03-2012 / Gazeta 55

Stefano Sannino në zyrën e Edi Ramës

Në zyrën e Edi Ramës Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Europian, Stefano Sanino u shpreh qartësisht “pro” vazhdimit të dialogut politik dhe mos pengimin e reformave në Kuvend.
Në takimin zhvilluar me dyer të mbyllura, i cili zgjati për rreth 1 orë e gjysmë, temë e diskutimeve kanë qenë zhvillimet më të fundit politike në vend, si dhe reformat në funksion të përmbushjes së 12 rekomandimeve të Komisionit Europian, për ecjen përpara në procesin integrues. Reforma zgjedhore dhe ligjet e tjera të rëndësishme kanë qenë në qendër të bisedës mes kryesocialistit Rama dhe zotit Sanino.
Sipas njoftimit për shtyp të shpërndarë nga selia rozë, kryesocialisti Rama ka shprehur shqetësimin për shkeljen e afateve për përfundimin e reformës zgjedhore. Po ashtu, Rama ka shprehur shqetësimin mbi domosdoshmërinë për adresimin e çështjeve substanciale, si korrupsioni, çrrënjosjen e kulturës së pandëshkueshmërisë, mosfunksionimin e gjyqësorit, problemet me median dhe respektimin e të drejtat e njeriut.
Nga ana e tij, Sanino, duke vënë në dukje rëndësinë e miratimit të Plan-Veprimit për 12 rekomandimet e Komisionit Europian, ka theksuar domosdoshmërinë e zbatimit të tij në afatet e caktuara dhe angazhimin e Bashkimit Evropian për të monitoruar këtë proces.

Wollfarth: Të vazhdojë dialogu për përmbushjen e reformave
Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, i ka bërë thirrje klasës politike shqiptare të vijojë dialogun konstruktiv, me qëllim përmbushjen e reformave të nevojshme.
Wollfarth, vuri theksin tek ecuria e reformës zgjedhore, e cila sipas tij duhet të përfundojë në kohën e duhur. Ambasadori Wollfarth kërkoi që mazhoranca dhe opozita të shprehin më shumë vullnet për përmbushjen e reformave.
“Ndërkombëtarët janë në pritje të përfundimit të reformës zgjedhore. Shpresojmë të shohim paqe dhe një zhvillim paqësor në Shqipëri, sidomos në axhendën e reformave. Ne si OSBE kemi kërkuar mbarimin sa më shpejt të reformës zgjedhore në të gjitha aspektet e saj. Po ajo duhet të shoqërohet dhe me reformën parlamentare dhe atë në gjyqësor. Janë vendimtare për zhvillimin e Shqipërisë si shtet e duhet punuar hap pas hapi për ti mbyllur. Kam shumë besim për të. Garancia nuk është terminologjia e duhur në politikë por vullneti politik. Dhe është pikërisht ky vullnet që kërkohet. Duhet besim mes palëve dhe me besim çdo gjë është e sigurt”, u shpreh Wollfarth.
Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, ka lëshuar këtë deklaratë pas vizitës në selinë e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, ku përcolli urimet me rastin e festës së Sulltan Novruzit. “Politika paqësore është më e mira në një ditë të tillë”, përfundoi kreu i prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Eugen Wollfarth.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›