Mosha dixhitale, qeveria përcakton hapat e zbatimit
Sivjet trefishim të studentëve në degën e IT-së UT për vitin që vjen
Qeveria përcakton hapa të rinj për zbatimin e një prej projekteve madhore të qeverisë, Shqipëria në moshën dixhitale. Një ndër masat për të cilat Kryeministri ngarkoi me detyrë Ministrinë e Arsimit ishte trefishimi i studentëve në degën e IT-së UT për vitin që vjen. Viti që lamë pas numëroi 1900 studentë. Bilanci i përhapjes së internetit në Shqipëri ka shënuar zhvillime të jashtëzakonshme. Në 2005 treguesi i përdorimit ishte 4.8% në shkallë vendi pas katër vitesh mbërriti në 32%, ndërsa mesatarja evropiane llogaritet në 45%. Ambicia e qeverisë, siç tha Kryeministri, është që të tejkalohet mesatarja evropiane e përhapjes së internetit në shkallë vendi. Gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë, Kryeministri Sali Berisha kërkoi që të nisë puna për dixhitalizimin e të gjithë sistemit për të pajisur me internet të gjitha familjet shqiptare. Për ministrin e Arsimit do kërkoja të ndërmarrë të gjitha veprimet e domosdoshme që në të gjitha universitetet e vendit, pranimet në degën e IT-së të trefishohen. Duhet të ndërmerret një konsultë me të gjithë rektorët dhe të diskutohet rreth kësaj domosdoshmërie, - theksoi kreu i qeverisë. Berisha shtoi se universitetet e vendit duhet ti rrisin kuotat për këtë degë me 600 studentë dhe shtoi se nëse do të jetë e nevojshme edhe për pedagogë nga jashtë, të veprohet menjëherë. Është shumë normale që në departamentet tona të ketë dhe profesorë të huaj. Nuk ka absolutisht asgjë negative në këtë mes. Ne jemi pas në drejtim të përgatitjes së IT-së. Është e domosdoshme që secila ministri dhe agjenci të ndryshojë strukturën dhe të krijojë drejtoritë e IT-ve, - nënvizoi Berisha. Më tej, ai shtoi se çdo familje duhet të ketë internet me bandë të gjerë. Do ngrihet një rrjet në kuadrin e partneritetit publik dhe privat si praktika më e mirë dhe më e suksesshme. Projekti i Shqipërisë dixhitale është projekti i shkëputjes nga një trashëgimi problematike për qytetarët shqiptarë. Duhet të shpejtojmë në të gjitha drejtimet, sepse kemi marrë një zotim, internet me bandë të gjerë për çdo familje shqiptare, - tha Kryeministri.