Berisha, urdhër Olldashit: Asfalto sheshin Skënderbej
Berisha, Olldashit: Ulu dhe bashkëpuno me bashkinë
Pas një shkatërrimi të plotë, i lënë në gjendje të mjerueshme prej kohësh nga Bashkia e Tiranës dhe pavarësisht donacionit prej 10 milionë dollarësh në adresë të bashkisë, qeveria merr përsipër asfaltimin e sheshit qendror të kryeqytetit. Kryeministri Sali Berisha urdhëroi dje ministrin e Punëve Publike dhe Transporteve që të bashkëpunojë me autoritetet lokale të bashkisë për të përcaktuar projektin e asfaltimit të sheshit që, sipas tij, është turp të kalosh nga shkatërrimi që i është bërë. Berisha kujtoi në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave se prej të paktën 2 vitesh kjo bashki disponon një fond prej 10 milionë dollarësh donacion i qeverisë së Kuvajtit, pikërisht për sheshin. Për këtë arsye Kryeministri akuzoi dje Bashkinë e Tiranë për situatën tejet alarmante të sheshit "Skënderbej". Berisha iu kundërpërgjigj kryebashkiakut Edi Rama në lidhje me çështjen e shkatërrimit të sheshit qendror të kryeqytetit. Sipas Berishës, nuk ka kryeqytet në botë me një shesh qendror si ai i Tiranës. Sheshi qendror i shqiptarëve, sheshi i heroit të tyre është në një gjendje katastrofale. Nuk ka një vend të botës, ju garantoj unë, që ti bini planetit nga veriu në jug, nga lindja në perëndim, nuk gjeni dot një kryeqytet si ku yni, ku rrugëtimi në shesh është si një horror. Kërkoj me urgjencë planin e asfaltimit, - deklaroi kreu i qeverisë. Z. Berisha akuzoi lobe të caktuara që po lënë sheshin kryesor të kryeqytetit në gjendje të mjeruar, ndaj ai urdhëroi marrjen e përgjegjësisë nga kabineti i tij. Kryeministri bëri të qartë se do të përdoren paratë e fondit prej 10 milionë dollarësh që qeveria kuvajtiane ka vënë në dispozicion prej dy vitesh. Nuk mundet që lobe të caktuara të bllokojnë sheshin e qytetit. Qeveria do marrë të gjitha përgjegjësitë. Qeveria e Kuvajtit ka dhënë 10 milionë dollarë për sheshin dhe kalohet nga gropa në gropë. Të skuqet faqja të shkosh nga xhamia te hotel Tirana. Nuk ka qendër komune në Shqipëri që të jetë në situatën e qendrës së Tiranës, - tha z. Berisha. Në janar 2008, Bashkia e Tiranës nënshkroi marrëveshjen me shtetin e Kuvajtit për të përfituar fondin të investimit me vlerë 5 milionë euro, dhuratë e drejtpërdrejtë e Emirit të Shtetit të Kuvajtit për rehabilitimin e plotë të sheshit "Skënderbej". Por sot e kësaj dite arsyet e moszbatimit të këtij projekti janë mbyllur në sirtarët e Bashkisë së Tiranës. Sa të bëhen planet, të shtrojmë një shtresë të mirë asfalti, të mos turpërojmë vendin. Nuk mund të lëmë sheshin në atë gjendje, - theksoi kreu i qeverisë kërkuan në mënyrë urgjente vendosjen e kontakteve me qeverinë vendore të Tiranës për të marrë vendimin për sheshin.