Mosha e Zonjave
Ça dreqin keni që pyesni për Moshën e Zonjave. I keni apo s'i keni sytë në ballë. Nuk i shihni sa të mira, sa të buta, sa fine, sa të sjellshme, sa të kujsesëshme, sa të ëmbëla, sa të bukura janë. Zonjave nuk u intereson mosha juaj. Ju pse j'u ha meraku për Moshën e Tyre dhe i shqetsoni duke i pyetur për moshën. Zonjat vërtet kanë një mardhënie lozonjare me peshoren dhe pasqyrën. Por problemet me ato dy sende Zonjat i zgjidhin vetë me dieta dhe të tjera masa, pa ndihmën tuaj, pa pyetjet tuaja.
Larg Moshës së Zonjave.
Nuk i pushtoni dot kështjellat labirintike të Zonjave, nuk e lëpini dot mjaltin e koshereve të Tyre po i pyetët për moshën. Merruni me të tjera mosha. Ka sa të duash mosha problematike. Merruni me moshat e të pa edukuarit, të pa shkolluarit, të korruptuarit, të hajdutit, të mafjozit, të vrasësit, por jo me Moshën e Zonjave. Merruni edhe me moshën që e keni lënë fare pas dore, Moshën e Zojushës. Që pa mbushur 20 duket si 30, dhe jo që s'është, por, pavarsisht nga pasqyra rrenacake dhe peshorja hilanjose, kurrë s'ka për të qënë më elegante, më fine, më sharmante se Zonja që ka kaluar 50, dhe u bë surrati juaj ta pyesni për moshën.
Interesimi i padrejtë për Moshën e Zonjave po shtohet aq tepër, po bëhet aq i papërmbajtur, sa prite kur ndonjë ditë shprehja; 'Nuk flitet për litarin në shtëpinë e të varurit", të zëvendësohet me shprehjen "Nuk pyetet për moshën e budallait në shtëpinë e Zonjës".
Ke qef ta përqafosh, ta përkëdhelësh, ta puthësh, ta penetrosh Zonjën, por nuk të zë gjumi asnjë çast gjithë natën se Zonja nuk të përfill. Mos rri kot pa gjumë. Respektoje dhe zbatoje vullnetin e më të mirës, më të ëmblës, më të bukurës më të dobishmes, Zonjës. Gjej ndonjë mënyrë tjetër për ta shuar mallin për Zonjën. Ik puth e përqafo ndonjë shtyllë, ndonjë dru, a merre në dorë situatën, përdor vetmjaftueshmërinë që të ka falur Perëndia, dhe lehtësohu, por për mospërfilljen e Zonjës ndaj teje mos u hakmerr duke e pyetur për moshën. Po e pyete Zonjën për moshën bën gabim fatal. Pasi të vdesësh nga sëmundjet më të tmerrëshme, do shkosh atje ku e meriton, në Ferr.
Të merresh me Moshën e Zonjave nuk është gabim, është krim. Ndër qëniet njerëzore, Zonjat janë të vetmet fitimtare në luftën më të egër, betejën me tiraninë e Kohës.
Sa budallenj dhe sa të poshtër jeni. Zonjat që gjatë gjithë jetës përgjaken duke luftuar me kohën, ato gjetët ju o të gjorë t'i pyesni për moshën. Është burracakëria më e neveritëshme që paaftësinë për përballimin e jetës ta transferosh mbi Zonjat duke i pyetur për moshën.
Thuhet për gjërat e rrethuara me mister se i ngjajnë Moshës së Zonjave. Por për vetë Moshën e Zonjave, nuk thuhet asgjë, vetëm pyetet. Kjo ndodh sepse Mosha e Zonjave nuk ka asnjë mister. I ashtuquajturi mister i Moshës së Zonjave është shpikje e meshkujve frikacakë dhe dyshues në veten e vet të cilët Zonjat nuk i njohin në thellësi, si njerëz që ndjejnë, pranojnë, refuzojnë, dashurojnë, urrejnë, por vetëm si instrument qefi.
Për gjoja misteriozitetin e Moshës së Zonjave jepen shembuj ilustrues katastrofikë. Guxojnë ta qasin misterin e Moshës së Zonjave me, për shembull, misterin e sasisë së pareve të depozituara në bankë. Turp e faqe zezë. Budallallëku më i madh të vësh pranë e pranë dy gjëra që s'kanë absolutisht asgjë të përbashkët; rafinatecën eterike të Zonjave me materialitetin trashanik të fshehtësisë bankare.
Zonjat nuk i ankohet askujt ç'tmerr provojnë kur konstatojnë ca kile të tepërta dhe sa vuajnë ato kile për t'i flakur. Pas këtyre vuajtjeve, edhe ju hajvanët që pyesni për moshën j'u kan mangut.
O budallenj që pyesni Zonjat për Moshën,
Mosha e Zonjave është një gjë shumë më komplekse se mosha juaj që është thjesht kronologjike, kalendarike. Mosha e Zonjave nuk është kronologjike. Mosha e Zonjave është diçka që ju banalët, ju të trashët, ju materialët, ju aestetikët, edhe një mijë herë po të lindni e vdisni nuk mund ta perceptoni. Mosha e Zonjave është flu. Diçka që ikën e vjen, ngjitet e zbret, duket e zhduket, ngrohet e ndizet, rrjedh e derdhet. Por kurrë nuk konstatohet, kurrë nuk kapet, kurrë nuk matet.
Halli i të interesuarve për Moshën e Zonjave në fakt është problemi me moshën e vet, me shëndetin e vet. O të mjerë, nuk e përmirësoni dot shëndetin dhe nuk zgjidhni dot asnjë problem duke pyetur Zonjat për Moshën.
Asgjë e madhe në këtë botë nuk ka në origjinë ndonjë Zoteri apo ndonjë Zojushë.
Gjithçka historikisht e rëndësishme në këtë planet; luftrat, paqet, ndërtimet, zbulimet, veprat e pavdekshme artistike, kanë pasur dhe gjithmonë do kenë në origjinë një Zonjë.
Jo se Zonjat Moshën nuk duan ta tregojë. Por sepse, në thelb, Zonjat Moshë nuk kanë. Është karakteri universal i kësaj pakohshmërie që e bën të pakuptimtë t'i pyesësh Zonjat për Moshën.
Komplimentojini Zonjat, prekini, ledhatojini, puthini, po ua deshi qefi edhe depërtojeni, por kurrë mos i pyesni për Moshën.
Po shtohen frikshëm të interesuarit për Moshën e Zonjave.
Të rinj, të vjetër, femra, meshkuj, të gjithë duan të dinë Moshën e Zonjave.
Mos u merrni me Moshën e Zonjave o hajvanë.
Lereni Zonjat në përjetësinë e tyre të shenjtë o katranë.
Mosha e Zonjave është si shiu. Bie nga qielli. Kalon nëpër fusha, male, pllaja, korije, pyje, përrenj, lumenj, det, dhe prapë nga qielli, e prap në det, e përsëri në qiell, e kështu në përjetësi. Ju nuk pyesni shiun për moshën. Mos pyesni as Zonjat.
