E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma në drejtësi si rrugë për më shumë pushtet

fitim-zekthiNga Fitim Zekthi

Përshkrimet e Marksit mbi jetën e vështirë të punëtorëve në Angli në shekullin e 19-të janë shumë pranë të vërtetës. Pranë të vërtetës kanë qenë edhe përshkrimet e themeluesit të inkuizicionit, Tomás de Torquemada mbi gjendjen e krishterimit, i cili ngriti një mekanizëm, ulërimat e dhimbjes të të cilit jehojnë edhe sot. Kështu ka ndodhur edhe me ata që ideuan dhe realizuan revolucionin jakobin në Francë apo me Leninin para se të përmbysej cari. Disa të vërteta janë thënë edhe nga Mao Ce Duni, Fidel Kastro, Che Guevara, Koçi Xoxe etj., etj. Fakti që thuhet e vërteta nuk tregon domosdo se nuk kemi të bëjmë me mashtrim. Një gënjeshtar që përmend të vërteta me qëllimin për të mashtruar është provuar gjatë gjithë historisë se është një fuqi shkatërruese.

Shqipëria vuan nga shumëçka, ndër to shkëlqen me mizerjen e saj drejtësia. Shumica në qeveri ka nisur, që prej dy vitesh, një betejë ekranesh, fjalësh e metaforash për reformën në drejtësi. Peshën më të madhe e ka mbajtur ministri i Drejtësisë, por Kryeministri, në mjaft raste, nuk ka mënuar të përdorë fjalor dhe metafora më banale dhe më të forta. Në këtë zabullimë, gjykatat dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në përpjekje për të treguar se janë brenda detyrës së tyre, kanë folur për sulme politike, por nuk kanë dëshmuar në asnjë rast se janë në anën e të drejtës. Gjithkush e ka të qartë se gjyqtarët, prokurorët, pushteti gjyqësor dhe në tërësi sistemi i drejtësisë është në një gjendje aq të errët, sa do të duhej heroizëm i rrallë për të gjetur momente apo raste ku e drejta dhe ligji janë e drejta dhe ligji. Është pikërisht kjo gjendje e shëmtuar, që e ka bërë dëshpërimisht të nevojshme reformën në këtë degë kaq jetike të pushtetit. Pikërisht këtë të vërtetë po përdor shumica në qeveri për të mashtruar.

Drejtësia është një ideal, të cilit shoqëria njerëzore i qaset duke ndërtuar një shtet të sundimit të ligjit. Që herët, në Greqinë e vjetër sundimi i ligjit nënkuptonte më së pari mosvënien e askujt mbi ligjin. Aristoteli duke kundërshtuar Platonin mbi filozofin mbret që duhet të ishte mbi ligjin, ishte ndër zërat më me ndikim atëbotë, por edhe mbi të gjithë qytetërimin që u ngrit më pas me idenë e tij për ligjin si autoritet suprem. Edhe në Romën e vjetër u qeveris mbi këtë parim. Madje të qenit shërbëtor i ligjit shihej si mjeti i vetëm për të qenë i lirë. Në Kinë jetuan bashkë dy ide: konfucianizmi që mbronte idenë e ligjit si qeveritari më i lartë dhe legalizmi, që i jepte imunitet mbretit dhe aristokracisë, domethënë e vinte mbi ligjin. Qytetërimi islam njihte qartë, që në shekullin e shtatë, ligjin si autoritet suprem dhe ndaj tij nuk kishte imunitet as Kalifi. Ishte kryepeshkopi i Kanterbury-t në Angli ai që udhëhoqi betejën për mosqenien e mbretit mbi ligjin. Magna Carta si një dokument madhështor bëri përfundimisht realitet këtë përpjekje të kryepeshkopit. Më pas, gjithë historia vijon në këtë drejtim, me përjashtim të totalitarizmave si komunizmi apo nazizmi.

Shqipëria, ndonëse 24 vjet nga rënia e komunizmit, një totalitarizmi kriminal, nuk po mundet të ndërtojë një shoqëri dhe një sistem drejtësie ku askush nuk është mbi ligjin. Gjithë përpjekja për reformim në drejtësi ka tipar të sajin të pandashëm faktin se disa janë dhe mbesin mbi ligjin, pasi reformimi i drejtësisë nuk kërkohet nëpërmjet mjeteve të drejta dhe rrugës së duhur. Në doktrinën e së drejtës që gjendet e mishëruar në dokumentet e OKB-së dhe kartat ndërkombëtare thuhet se sundimi i ligjit nënkupton: 1) qeveritarët dhe zyrtarët e lartë, ashtu si dhe qytetarët, japin llogari para ligjit, 2) miratimin e ligjeve të qarta, publikimin, zbatimin e tyre dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut përfshirë sigurinë dhe pronën etj. 3) procesi i miratimit të ligjeve duhet të jetë transparent, i ndershëm, demokratik dhe ku të gjitha grupet e interesit të kenë zërin e tyre në diskutime, dhe 4) dhënia e drejtësisë në kohë si dhe emërimi i gjyqtarëve kompetentë, të moralshëm dhe të pavarur.

Tani të shohim pak se si qeveria e sheh sundimin e ligjit. Pasi ka luftuar ekraneve dhe sallave para mikrofonave, qeveria ndryshoi ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, duke i marrë këtij këshilli disa kompetenca dhe duke e ekspozuar atë ndaj ndërhyrjeve të Parlamentit. Pas këtyre ndryshimeve ajo ngriti një komision hetimor për shkarkimin e dy anëtarëve të Këshillit. Presidenti, si kryetar i KLD-së, i kundërshtoi ndryshimet dhe ligji u ankimua në Gjykatën Kushtetuese. Qeveria me shumicën e saj parlamentare vendos t'i shkarkojë dy anëtarët pa pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi kushtetutshmërinë e ndryshimeve të ligjit, ndryshime që bëjnë të mundur shkarkimin. Vetëm pak kohë më parë Gjykata Kushtetuese e quajti antikushtetues shkarkimin e anëtarëve të KLD-së.

Ndërkohë qeveria, në sy të të gjithëve emëron njerëz, të cilët dyshohen se kanë probleme me drejtësinë, prish ndërtesa dhe nxjerr njerëz në rrugë duke zbatuar në disa raste vendime gjykatash, ndërsa në rastin e godinës së Partisë Socialdemokrate të z Gjinushi nuk e zbaton vendimin e gjykatës për t'ia kthyer pronën pronarit. Ish-drejtori i INUK akuzohet nga prokuroria se ka pezulluar ndërtimet e bulevardit të ri të Tiranës në mënyrë krejt të paligjshme, se ka bllokuar, madje prishur ndërtime në thyerje të ligjit. Ai është aktualisht në një detyrë të lartë shtetërore. Kryetari i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, një nga iniciatorët e shkarkimit të anëtarëve të KLD-së, flet për gjyqtarë banditë, për president që duhet të japë llogari, për krime monstruoze që janë kryer mandatin e kaluar (partia e z Braho ka qenë në qeveri edhe mandatin e kaluar). Më herët ky njeri u kap duke hyrë paligjshmërisht në serverat e tatimeve dhe shumica nuk lejoi hetimin parlamentar të tij dhe ngjarjes. Kjo sa i takon pikës së parë të nevojshme për sundimin e ligjit.

Është e kotë të flasësh se si e kupton shumica dhe qeveria pikën e dytë, por po japim një shembull. Kur Gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzojë aktin normativ për Statusin e Nëpunësit, qeveria e publikoi atë rreth 25 ditë pasi vendimi u zbardh. Ndërkohë që qeveria e publikoi aktin e saj normativ disa orë pasi ai u miratua më 30 tetor të vitit që shkoi. Vetë deputetët shprehen se nuk i kuptojnë shumë ligje, ose shumë ligje janë të paqarta. Ndërsa sa i takon procesit të miratimit të ligjeve, duhet thënë se jemi një vend spektakolar. Për shembull, Parlamenti miratoi një amnisti vitin që shkoi. Kur u botua ligji në Fletoren Zyrtare u pa që amnistohej edhe blerja e votave, e cila nuk ishte miratuar nga Parlamenti. Me anë të këtij ligji u mbyll hetimi për blerje votash në bashkinë e Korçës. PD kundërshtoi me forcë dhe PS tha se do ta rikthente ligjin, gjë që nuk ndodhi. Pra ka hyrë në fuqi një ligj i pamiratuar nga Parlamenti.

Pika e katërt, ajo që ka të bëjë me dhënien e drejtësisë në kohë nga gjyqtarë kompetentë, të moralshëm dhe të pavarur, është fushëbeteja e qeverisë. Gjendja në këtë pikë është e lemerishme, por fakti që shumica kërkon të reformojë drejtësinë vetëm në këtë pikë tregon se ajo nuk kërkon të ndryshojë mënyrën se si jepet drejtësi, ajo kërkon gjyqtarë si këta, por të sajtë. Në këtë mënyrë e nisi reformën në drejtësi edhe qeveria Berisha 10 vite më parë dhe gjendja që shohim është pasojë edhe e reformës së tij. Ajo kërkoi të ndryshojë KLD-në, (rasti Gjermeni) të marrë në dorë emërimin e gjyqtarëve. Këtë rol tashmë e ka marrë shumica e re. Ajo nuk ka nevojë as për shembull. Shembulli jeton kahmot me ata vetë. Komisioni për reformën në drejtësi që është miratuar nga të dyja palët, duhet të tejkalojë këtë kulturë të të kuptuarit të reformës. Reforma ndryshon parimin e funksionimit të një gjëje dhe jo drejtimin e mekanizmave të subjektit të saj.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›