E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimi në familje, Lirohet nga Krimet e Rënda, vret vëllanë

Autori i Lajmit: Redaksia
Tentativa për të ndaluar vëllanë të kryente vjedhje i ka kushtuar jetën. Pak muaj pasi ka lënë burgun një i dënuar për plagosje të rëndë me dashje ka vrarë vëllanë e tij. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dje në Laç, në familjen Gjoni. Autori i vrasjes ka qëlluar me sende të forta, derisa ka lënë pa jetë në dysheme vëllanë e tij, Arben Gjoni. Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka ndaluar vrasësin, i cili ishte lënë i lirë nga Gjykata e Krimeve të Rënda vetëm dy javë më parë.

Ngjarja

Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të ditës së djeshme në banesën e familjes Gjoni në Laç, kur Arben Gjoni është vrarë nga vëllai i tij, Paulin Gjoni. Burime nga policia thanë se mes dy vëllezërve kishte nisur një konflikt që kishte për motiv vjedhjet që kryente njëri prej tyre, ndërsa tjetri nuk e dëshironte këtë fakt.
Paulin Gjoni, i njohur si një person me precedentë penalë për vjedhje, ka tentuar të realizojë një vjedhje të radhës, por është penguar nga vëllai i tij, Arben Gjoni. Mes tyre ka nisur një konflikt fillimisht me fjalë e më pas Arben Gjoni është goditur nga vëllai i tij duke rënë në tokë. Megjithëse ka rënë pa ndjenja në tokë ai sërish është goditur pa mëshirë nga vëllai tij.
I plagosur rëndë, Arbeni u transportua në spital, por ndërroi jetë pak orë më pas.

Hetimet

Burime nga policia thanë se Paulin Gjoni kishte vetëm dy javë që ishte liruar nga burgu ku vuajti dënimin për tentativën e vrasjes së punonjësve të policisë në vitin 2004, por për probleme psikike ai u lirua. I arrestuari ka pranuar krimin, edhe pse ndodhej në gjendje të rëndë psikike. Burime nga policia bënë të ditur që prej lirimit, Paulini kishte kryer disa vjedhje në qytetin e tij. Polica tashmë ka dokumentuar të gjitha vjedhjet e kryera prej tij.

Ky lajm është publikuar: 25/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›