E Diel, 1 Nëntor 2026

Moska: Vizita e Niksonit në Kinë trazon Tiranën

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Nju-Jork, 17 nëntor 1971 – A janë me të vërtetë të nevojshme udhëtimet e ardhshme të presidentit amerikan, Riçard Nikson, në Pekin dhe Moskë? Po të dëgjosh kritikët nga të dyja anët e spektrit politik nuk do të mendoje kështu. Konservatorët janë kundër çdo takimi me komunistët. Ata e refuzojnë thjesht si çështje bindjeje çdo rregullim në politikën e jashtme amerikane për tiu përshtatur ndryshimeve të rrethanave historike. Liberalët, dhe veçanërisht demokratët, të cilët do të kandidojnë përballë presidentit Nikson në zgjedhjet e vitit 1972, i konsiderojnë këto vizita të presidentit si manovra politike për rizgjedhjen e tij. Pa dyshim që ka përftime të jashtëzakonshme në politikën e brendshme që mund të arrihen nga takimet e Pekinit dhe Moskës gjatë këtij viti elektoral. Zoti Nikson është duke e prezantuar veten ndaj elektoratit amerikan gjithnjë e më shumë si një negociator paqeje në çështjet ndërkombëtare. Politikani, i cili u bë i njohur gjatë valës së fushatës antikomuniste pas Luftës së Dytë Botërore, me sa duket, shpreson që të futet në librat e historisë, si presidenti që tejkaloi traumën komuniste të shumë amerikanëve dhe që e çoi vendin drejt një epoke të re të politikës ndërkombëtare realiste. Megjithatë, do të ishe dritëshkurtër po ti shikoje këto dy raunde takimesh në Pekin dhe Moskë nga një pikëpamje politike e pastër partizane. Zoti Nikson, një profesor i vjetër i çështjeve të jashtme, me sa duket, e shikon formën e topit të ri diplomatik që po shfaqet. Ai ka qenë prej një kohe të gjatë i vetëdijshëm se lufta e ashpër ideologjike mes Rusisë dhe Kinës ka hapur një mundësi të re për ta çuar përpara politikën e tij të “negocimit pa përplasje”. Sipas diplomatëve evropianolindorë, ndryshimi radikal në politikën e jashtme të Kinës gjatë vitit të fundit po shkakton gjithnjë e më shumë alarm në Moskë. Taktika e re e vetëvendosjes së kombit dhe shtetit mbi ideologjinë marksiste-leniniste ka rritur ndikimin e Pekinit, veçanërisht në vendet që kanë marrëdhënie të këqija me Moskën. Për shembull, ndërsa Rusia përplaset me Sudanin, që u pasua dhe nga një grusht i dështuar shteti, Kina ka marrëdhënie shumë të mira me qeverinë e Khartumit. Si rezultat i kësaj, ndikimi i Pekinit në kontinentin afrikan është shtuar. Ofensiva diplomatike e Mao Ce Dunit dhe kryeministrit Çun En Lai kundër Leonid Brezhnjevit dhe njerëzve të tij në Kremlin nuk është kufizuar vetëm brenda vendeve komuniste, por ka marrë përmasa ndërkombëtare. Lufta e Kinës për të fituar zona influence është zhvendosur nga periferia drejt zonës politike botërore, në zemër të perandorisë ruse, Ballkan. Në një editorial të fundit të gazetës moskovite “Pravda” thuhej qartazi se Pekini nuk po e kursente përpjekjen e nisjes së një “lufte psikoze” në Shqipëri, me qëllim “mbjelljen e farës së tensionit në Ballkan”. Vizita e ardhshme e kryeministrit Çu En Lai në Jugosllavi, Rumani dhe Shqipëri, ka rritur shqetësimet në Moskë për krijimin e boshtit Pekin-Beograd-Bukuresht-Tiranë. Ndoshta, rusët po e trumbetojnë më shumë se çduhet. Kina është ende një shtet shumë më i dobët se Bashkimi Sovjetik. Ajo nuk mund të shndërrohet menjëherë në një rivale të ardhshme politike dhe ushtarake e Rusisë në Ballkan dhe Evropën Perëndimore. Por udhëheqësit e Kremlinit frikësohen se politika e Pekinit po gërryen unitetin e “komunitetit socialist”, duke nxitur evropianolindorët që të bëhen më të pavarur nga Moska. Presidenti Nikson duket se i kupton dhe vlerëson shqetësimet e botës komuniste. Ai do të shkojë në Pekin për të matur pulsin e kinezëve misteriozë dhe të kuptojë deri në fund çarjen e tyre me Bashkimin Sovjetik. Ky udhëtim, mund ta ndihmojë presidentin e Shteteve të Bashkuara të gjejë një zgjidhje të ndershme dhe realiste për luftën vietnameze. Më pas presidenti do të udhëtojë drejt Moskës, në një përpjekje për të siguruar udhëheqësit gjithnjë e më të dyshimtë të Kremlinit se afrimi Uashington-Pekin nuk është një koalicion amerikano-kinez i drejtuar kundër Bashkimit Sovjetik. Ky ka qenë një shqetësim shumë i madh për udhëheqësit sovjetikë. Por, fatkeqësisht, nuk ka asnjë garanci që takimet e Niksonit do të sjellin arritje të mëdha diplomatike. Vetë presidenti ka paralajmëruar kundër optimizmit të tepruar. E kush e di? Konfirmimi i neutralitetit amerikan nga Niksoni mund të ketë një efekt kthjellues mbi Pekinin dhe Moskën për të shtyrë një përplasje shkatërrimtare mes kundërshtarëve të botës komuniste. Sigurisht, vizitat e presidentit amerikan do të ndihmojnë në qetësimin e mjedisit ndërkombëtar edhe për pak kohë pas tyre. Rusët, të shqetësuar me armiqtë e tyre kinezë, duan që të konfirmojnë status kuo-në në Evropë, përfshirë dhe ndarjen e Gjermanisë. Ata kërkojnë gjithashtu pranimin e Perëndimit se Evropa Lindore është një zonë influence e Bashkimit Sovjetik. Kinezët, të cilët jetojnë në frikë prej një sulmi të mundshëm bërthamor sovjetik, duan të dalin nga izolimi i vetëvendosur dhe të fitojnë sa më shumë miq dhe aleatë në botën jokomuniste. Si Rusia ashtu edhe Kina po u vijnë rrotull Shteteve të Bashkuara, vendit të tretë në trekëndëshin e superfuqive botërore.

Ky lajm është publikuar: 11/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›