E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moska e domosdoshme, Brukseli i nevojshëm

Politika paralele përmban diçka nga dinakëria e dhelprës që, strofkën e nëndheshme e gërryen me dy dalje. Ka shtete që, disa herë u përngjajnë njerëzve të caktuar, si ta zëmë, bashkësia ndërkombëtare është mësuar ta durojë Serbinë, siç një njeriu i falen faje, nga të përshtaturit e të tjerëve me të apo nga dobësia për të. Çdo vend e ndërton politikën që i duhet. Edhe Serbisë i përket kjo e drejtë. Por kur ajo politikë dëmton popullin tjetër, atëherë kjo nuk mund të pranohet dhe bëhet e dënueshme. Politika e Kosovës dhe politika e Serbisë janë thellësisht të kundërta, sepse Prishtina udhëhiqet nga një politikë euroatlantike, Beogradi zbaton një gjeopolitikë të dyfishtë. Poashtu, krejt të ndryshme janë edhe kumtet e aleatëve. Më 20 tetor, Presidenti rus Dimitri Medvedev, ishte në Beograd, një vizitë aspak e rastësishme në ditën e 65-vjetorit të futjes së Ushtrisë së Kuqe në këtë vend, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai u tha serbëve që, ”Rusia do të vazhdojë të mbështesë Serbinë në çështjen e Kosovës, për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial”. Më 1 nëntor, në Prishtinë shkoi Ish-Presidenti amerikan Bill Klinton, i cili u kumtoi shqiptarëve krejt tjetërçka, duke thënë që, “Unë mund t’ju nxisë të përmirësoni dhe zgjeroni përpjekjet për të siguruar serbët dhe pakicat e tjera të jenë të integruara dhe të mbrojtura, dhe të kuptoni se keni nevojë për njëri tjetrin”.  
Beogradi, një nostalgjik i rrënuar i Ish-Jugosllavisë Federative, përpiqet të përtërihet si nostalgjik i Titos, me një politikë tashmë të vdekur për të, që nuk e gjallëron dot më. Ajo mund të jetësohej vetëm po të fundosej bota prapë në një Luftë tjetër të Ftohtë e të ngrihej një Mur i Dytë. Pavarësisht nga kjo pamundësi, nacionalizmi më i  thekur i Europës - ai serb, e detyron çdo qeverisje atje, ta mbajë Serbinë në shtet të politikës paralele, me njërën shpreh deklarata properëndimore, në tjetrën ndjesi të zjarrta shpirtërore.
Një lloj i asaj politike është pushteti paralele serb në Kosovë. Aq pak serbë atje, sillen si pushtet i Serbisë në territorin e shtetit tjetër, vetëm sepse kjo u kërkohet nga Beogradi, kushtëzohet nga Beogradi dhe financohet nga Beogradi. Ky është vetmashtrim i pakicës serbe në Kosovë dhe mashtrim për gjithë nacionalistët nëpër Serbi se, në Kosovë vijon integriteti i shtetit serb përkundër theksimit nga shqiptarët për territor unik të Republikës së Kosovës. Faktori ndërkombëtar rri e sheh e nuk e çbën këtë paralele serbe, ndërsa qeverisë së Kosovës i është lënë veç e drejta e faljes, e ftesës dhe e shpresës. Kosova as që do ta çante kryet për këso politikash, sikur ajo të mos i kundërvihej drejtpërdrejt asaj e të mos goditej drejtpërdrejt për t’u dëmtuar prej saj, siç që, prej dhjetë vjetësh, ky duhet llogaritur si dëmtimi i dytë serb më i madh në paqë pas atij me luftë. Çështja është se, ndërsa lufta erdhi si ndërprerje e shkatërrimit përfundimtar të Kosovës, dëmtimi serioz ndaj Kosovës po i  lejohet Serbisë me pushtetin paralel, që ajo e ushtron mizorisht, pa u ndaluar dhe e pandëshkuar.
Një lloj tjetër i politikës paralele, për të cilën Serbia lobon dhe shpenzon për ta ushqyer, është brenda vet Bashkimit Europian. 22 shtete e kanë njohur Kosovën, por 5 vende të BE-së, nga të cilat tre ballkanike - Greqi, Rumani, Qipro, plus Spanjë e Sllovaki, përsërisin kohë pas kohe se nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Kështu, rreth njohjes së pavarësisë së shtetit më të ri që doli nga mposhtja e krimit shtetëror serb, brenda Bashkimit Europian shkojnë dy paralele, 22 shtete në një krah dhe 5 shtete në krahun tjetër. Këto të 5-ta, fatkeqësisht janë vendosur në anën e Serbisë, politika e të cilës u ndëshkua më një luftë për ndalur terrorin shtetëror e spastrim etnik, ndër më çnjerëzoret e shekullit që shkoi. Thelbi i politikës paralele duhet gjykuar nga dëmi që kryen: të 22 shtetet njohëse të pavarësisë së Kosovës, nuk e dëmtojnë aspak Serbinë, përkundrazi, ato votojnë rregullisht për t’i krijuar asaj lehtësira e lëshime në procesin integrues, që nga heqja e vizave e deri në anëtarësim të plotë, edhe pse Serbia mban qendrim armiqësor agresiv ndaj shtetit fqinj, krijon probleme kufitare me të, e trajton Kosovën pjesë të Serbisë, mban peng pakicën serbe, krijon precedentin e papranueshëm të ndarjes, si me Mitrovicën e Veriut. Ndërsa 5 vendet që nuk e njohin Kosovën, e dëmtojnë shtetin e ri drejtpërdrejt, siç është dhënia zemër për të mbajtur Mitrovicën të ndarë, nuk kritikojnë Serbinë për krijimin e pushtetit paralel, ndikojnë në ngadalësimin e njohjes së Kosovës nga vende të tjera të botës, dhe për më tepër Bashkimin Europian e pengojnë të jetë një ndaj pavarësisë, siç përshembull janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Brukseli, në gati dy vjet, nuk ka pasur fuqi të njëjtësohet ndaj pavarësisë së Kosovës dhe të shkurajojë politikën paralele që dëmton.
Një lloj i tretë i politikës paralele është i përmasës Bashkimi Europian - Rusi, me një Serbi që paradoksalisht rri midis. BE e do Serbinë, ose BE dëshiron të jetë edhe në Serbi. Por atje, dhe më përpara, gjindet Rusia e, Moska mëton e do të mbetet atje, pavarësisht që nuk kundërshton integrimin e Serbisë në BE. Serbia, si asnjë vend tjetër, sillet me hipokrizi politike, bën perëndimoren dhe mban të përplasura BE me Rusinë për çështjen e Kosovës. Pasi Moska hodhi edhe 1 miliardë euro mbështetje për Beogradin, shfaqja serbe e ka ndarë skenën përgjysëm, me Rusinë - sigurinë strategjike dhe qendrueshmërinë ekonomike, me BE lëvizjen e lirë dhe tregtinë. Edhe pse ngjan si e pamundur, Serbia zotëron moderacionin e kësaj politike, shpirtin të lidhur me Moskën, Brukselit i shfrytëzon interesin që ai ka për përfshirjen e Serbisë në hartën e plotësuar të BE.
Kësaj paralele gjeopolitike, përveçse dëmtuese e drejtpërdrejtë ndaj Kosovës, penguese brenda BE dhe përplasëse të BE me Rusinë, nuk se vetëm i janë bërë lëshime, por çuditërisht ka dhe një përshtatje me të. Ajo në Kosovë vepron dënueshëm, BE-së ia thotë copë që sakrifikon anëtarësimin për Kosovën. Kjo trimëri nuk buron nga fuqia, e drejta apo krenaria serbe, por nga që brenda BE-së janë 5 shtete përkrahëse. Ndërsa, Rusinë e nxjerrin sa herë u duhet, sipas mendësisë që, Serbia nuk mund të kapërcehet, me një Moskë mbrapa. Beogadi lexon ndryshe nga BE: Brukselin e llogarit të nevojshëm, Moskën të domosdoshme.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›