E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moska reagon për arrestimin e agjentëve

(E plotësuar) Ministria e Jashtme e Rusisë tha se arrestimi i dhjetë spiunëve të dyshuar rusë në Shtetet e Bashkuara, është një rikthim i Luftës së Ftohtë.

Përmes një deklarate, ministria tha se akuzat e SHBA-ve janë të pabaza dhe kanë qëllime “të paqarta”.

Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, deklaroi me sarkazëm të dukshëm se koha për arrestimet, është zgjedhur me kujdes të veçantë.

“Ata nuk na e kanë shpjeguar se me çfarë ka të bëjë kjo. Unë shpresoj se do ta bëjnë. Gjëja e vetme që mund të them është se momenti për t’i bërë këto, është zgjedhur me mjeshtri të veçantë”, ka thënë Lavrov.

Zyra Federale e Hetimeve, FBI ka arrestuar 10 persona nën akuzat se kanë qenë agjentë sekretë të shërbimit rus të zbulimit. Qëllimi i të arrestuarve ishte depërtimi në rrethet e politikbërësve amerikanë. Lajmi është bërë i ditur nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-ve.

I akuzuari i njëmbëdhjetë, që i ka bërë pagesat dhjetë të arrestuarve, është në arrati. /rel/

FBI arreston 10 agjentë të Rusisë

Dhjetë persona SHBA janë arrestuar dhe paditur mbi akuzën se kanë spiunuar për qeverinë ruse.

FBI thotë se të akuzuarit ishin agjentë sekretë të Rusisë me profile të larta, që jetonin në SHBA që nga mesi i viteve 90-të, duke pretenduar se ishin qytetarë amerikanë.

Bëhet fjalë për katër çifte që jetonin si burrë e grua, të identifikuar si komplotistë nga Bostoni, Yonkers, Seattle dhe New Jersey si dhe dy të tjerë me profile më të ulëta.

Thuhet se qëllimi i tyre ishte të amerikanizoheshin në mënyrë që të rekrutonin njerëz që do të punonin për qeverinë apo do të infiltroheshin vetë në të.

Aktakuza për ta jep shumë hollësi. Qeveria ruse me sa duket u kishte thënë atyre të mblidhnin informacione për qasjen e presidentit Barack Obama ndaj Rusisë, politikën amerikane në Azinë Qendrore dhe ndaj Iranit.

Nuk është e qartë nëse ata kishin arritur ndonjë sukses në këtë drejtim. Por e tërë kjo ka ndodhur para syve të FBI-së, që i ka mbajtur nën vëzhgim për së paku dhjetë vjet.

Informatat për arrestimin e agjentëve rusë u cilësuan si kundërthënëse na Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›