E Shtunë, 31 Tetor 2026

Belgjika zvarrit zgjerimin

Nga 1 korriku, Belgjika do të marrë kryesinë e radhës së Bashkimit Evropian, që për gjashtë muaj ka qenë në duart e Spanjës.

Kriza ekonomike dhe ndërtimi i krahut diplomatik të Unionit, i njohur si Shërbimi i Jashtëm Evropian për Veprim, do të jenë përparësitë kryesore të Brukselit.

Kjo nënkupton se zgjerimi dhe politikat e fqinjësisë në lindje të kontinentit do të njohin një lloj tërheqje deri në fillim të vitit 2011, vit ku Hungaria dhe Polonia do të marrin kryesimin e BE-së.

Ngritja e shërbimit diplomatik evropian duket se do të marrë shumicën dërrmuese të energjive të presidencës belge, sa u përket çështjeve të politikës së jashtme.

Javën e kaluar, vendet anëtare arritën një marrëveshje që do të mundësojë funksionalizimin e këtij shërbimi deri në fund të vitit.

Ngritja e këtij shërbimi është artikuluar si përparësi edhe nga shefi i diplomacisë belge, Stiven Vanekër.

“Mendoj se ngritja e shërbimit është themelore për rolin dhe ndikimin e BE-së në botë. Deri më 1 dhjetor të këtij viti, një embrion i këtij shërbimi, të njohur si Shërbimi i Jashtëm Evropian për Veprim, do të jetë realitet”, ka thënë Vanekër.

Ky shërbim që parashihet nga Traktati i Lisbonës, nuk do të ketë pushtet të pavarur politik-bërjes, por do t’i marrë urdhrat nga 27 vendet anëtare.

Megjithatë, pritet që vendet që do ta kenë kryesinë e radhës, të ndikojnë për periudhën që janë në këtë detyrë edhe te përparësitë e BE-së.

Ndonëse mendohet se në kushtet aktuale zgjerimi nuk do të jetë në mesin e përparësive kryesore, sërish besohet se Belgjika është një vend që mund të ndikojë në politikat e zgjerimit.

Kryeministri Iv Leterm ka thënë, pak ditë më parë, se e ardhmja e vendeve të Ballkanit në Bashkimin Evropian nuk diskutohet.

Por, Leterm duket se ka ftohur shpresat e Kroacisë që t’i përfundojë bisedimet për anëtarësim brenda vitit 2010.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›